“Engimë e pezullt”, kthimi në shtëpi i piktorit Naxhi Bakalli
Tiranë- Ekspozita “Enigmë e pezullt” e piktorit Naxhi Bakalli do të prezantohet në datën 15 Maj 2008, ora 19.00 në Sallën Nr. 1 të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ajo do të përmbajë 170 punime në pikturë, grafikë e skulpturë. Punimet prezantojnë krijimtarinë 17 vjeçare të piktorit Naxhi Bakalli, periudhë në të cilën ai ka jetuar jashtë vendit (Itali). Ekspozitën e parë personale Naxhi Bakalli e ka prezantuar në vitin 1991 po në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe ky rikthim me krijimtarinë e tij shumëvjeçare është një kthim në “shtëpi”. Naxhi Bakalli ka lindur në Tiranë në vitin 1397. Ka kryer Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura), Tiranë. Piktori Naxhi Bakalli njihet në punimet e prezantuara më parë për kombinimin e suksesshëm e subjekteve historike me idetë bashkëkohore, të përdorimit të konturit dinamik dhe paraqitjes me psikologji elokuente të pasurisë tradicionale etnografike shqiptare. Cikli i tij i vizatimeve “Vallja e Luftës” (1971), personifikon stilin e tij dhe subjektet që ai trajton, të cilat janë të frymëzuara nga epikat legjendare dhe arti mesjetar shqiptar. Të tjera cikle në akuarele dhe vizatime, si “Lufta e Shtimjes” (1981) shquhen për simbolizmin e tyre të fuqishëm dhe tregojnë tranzicionin e Bakallit drejt pikturës monumentale. Temat e tij murale si “Përballimi” (18.4 x 5.6 m,1982) në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë dhe “Kuvendi i Dukagjinit” (4 x 3.2 m, 1986) në Muzeun Historik të Burrelit, prezantojnë subjektin historik të sfumuar me elementët etnik dhe filozofik. Në ekspozitën “Enigmë e pezullt” Naxhi Bakalli do të prezantohet me krijimtari të ndryshme nga ajo e prezantuar më parë, si reflektim i mungesë së gjatë në vendin e tij. Ekspozita do të qëndroj në GKA deri në datën 2 Qershor 2008.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj