Grupi i Himarës, më i miri në “Bylisfonia 2008”
Grupi folklorik i Himarës u vlerësua me çmimin e parë në natën finale të edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Polifonisë "Bylisfonia 2008"
Grupi folklorik i Himarës u vlerësua me çmimin e parë në natën finale të edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Polifonisë "Bylisfonia 2008", që u zhvillua me pjesëmarrjen e 16 grupeve nga data 24-25 maj në qytetin antik të Bylisit, rreth 42 km larg Fierit. Juria me kryetar Lefter Cipën, folklorist ekspert dhe studiues i polifonisë dhe kulturës popullore vlerësoi me çmimin e karrierës grupin folklorik "Kiva" i Kanadasë, grupin folklorik të Sardenjës, Itali dhe grupin e Janinës, Greqi. Drejtuesit e Unionit Kulturor Kombëtar, organizatore e këtij aktiviteti, u shprehën se "Bylisfonia 2008 " do të shndërrohet në një traditë të përvitshme. Në Festivalin Ndërkombëtar të Polifonisë "Bylisfonia 2008" morën pjesë 16 grupe me 120 artistë, ndërsa kohëzgjatja e koncertit për çdo grup ishte 30 minuta. Grupet polifonike shqiptare që u ngjitën në skenën e qytetit antik të Bylisit, ishin grupi i Korçës, Dukatit, Vlorës, Çamërisë, Mallakastrës, Skraparit, Gjirokastrës , Fierit, grupi i shoqatës "Polifonia", etj. Ndërsa grupet polifonike ndërkombëtare ishin ato të Bullgarisë, Korsikës, Epirit, Kanadasë, Rusisë, Kosovës, Francës, etj. Të ftuar të festivalit ishin grupi i valleve Tropojë, këngëtarë nga Mali i Zi , si dhe rapsodë nga qyteti i Kukësit.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj