Ngre tiparin në Fier, Festivali i 7 Mbarëkombëtar i Aktrimit
Tiranë- Mbrëmjen e të hënës ka nisur në Fier, Festivali i 7-të Mbarëkombëtar i Aktrimit. Ceremonitë festive filluan me bandën frymore të qytetit, duke vazhduar më pas me koncertin e Ansamblit “Myzeqeja
Tiranë- Mbrëmjen e të hënës ka nisur në Fier, Festivali i 7-të Mbarëkombëtar i Aktrimit. Ceremonitë festive filluan me bandën frymore të qytetit, duke vazhduar më pas me koncertin e Ansamblit “Myzeqeja “, ndërsa në sallën e Kinoteatrit “Bylis “, u çel zyrtarisht edicioni i festivalit të aktrimit “Fest 08”. Regjisori i festivalit, Klajdi Marku, u uroi të gjithë artistëve pjesëmarrës sukses në këtë ngjarje të rëndësishme artistike, ku promovohen vlerat në mjeshtërinë e interpretimit të artit skenik. Aktorja, Hajrie Rondo, në fjalën e saj do t’i quante artistët dhe artin si një urë lidhëse mes popujve, mes botës së jashtme dhe asaj shpirtërore, si ambasadorët e paqes. Më pas trupa e Teatrit “Bylis “ shfaqi dramën “Fqinjët “, të autorit Ruzhdi Pulaha, me regji të Dhimitër Orgockës.
Dramaciteti i pjesës letrare, loja e bukur dhe plot ndjenjë e aktorëve, mesazhet aktuale që përcillte pjesa, bënë që artistët të merrnin duartrokitje. Në vazhdim, u dha shfaqja e trupës nga Kosova, në ambientet e “Rustika Kala”. Publiku fierak e mirëpriti me duartrokitje lojën e bukur të aktorëve, duke treguar edhe njëherë vlerat e tij kulturore.
Mbretëresha Elisabet II, vizitë në Turqi
Mbretëresha britanike Elisabeta II mbërriti dje për vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të presidentit turk Abdulla Gul, njoftojnë mediat turke. Mbretëresha do të shoqërohet nga bashkëshorti i saj princi Filipi dhe nga sekretari i Jashtëm britanik Dejvid Miliband. Në kuadër të vizitës, e cila do të zgjasë deri më 16 maj, mbretëresha do të vizitojë Ankaranë, Bursën dhe Stambollin. Rreth 750 gazetarë nga mediat e huaja dhe ato turke do të pasqyrojnë vizitën e saj. Presidenti turk Abdulla Gul tha se vizita është veçanërisht e rëndësishme për vendin dhe për imazhin e saj para botës. Burime diplomatike turke theksojnë se vizita do të jetë kontribut i rëndësishëm për përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Lidhur me këtë, ata theksojnë faktin që mbretëreshën Elizabeta II po e shoqëron shefi i diplomacisë Miliband. Britania është ndër vendet e para mes shteteve të BE-së, që mbështesin perspektivën evropiane të Turqisë.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj