Bota pas pasqyrës
Botët e Pacit
Për herë të dytë Adrian Paci i tregon publikut gjerman punimet e tij në një ekspozitë personale në Kunstverein Hannover. Është një nga videot më të këndshme për syrin: Fëmijë që vrapojnë nëpër lëndinë, të veshur me rroba pranverore, dielli ndriçon, pamja është idilike, të kujton kopshtin e parajsës, ndërsa zhurma e erës që dëgjohet në dhomën ku është projektuar filmi 35 mm është kërcënuese dhe duket sikur paralajmëron një fatkeqësi. Fëmijët pozojnë para kamerës, apo ashtu duket? Jo. Ata janë përballë një pasqyre. Njëri prej tyre godet me llastiqe dhe pasqyra thyhet, pamja përballë kamerës copëtohet.
"Per speculum", një film që në afro tetë minuta reflekton ndaj pjesshmërisë së perceptimit dhe naivitetin fëmijëror që ndoshta nevojitet për ta plotësuar atë. „Per speculum“ është një nga punimet më të fundit të artistit shqiptar, Adrian Paci, veprat e të cilit për herë të dytë i tregohen publikut gjerman në kuadrin e një ekspozite personale. Këtë radhë në Kunstverein Hannover (19.04-15.06.) dhe nën përkujdesjen e kuratorit me emër, Martin Engler. Nuk kanë kaluar as dhjetë muaj që kur „Still Moving", ekspozita e parë personale e Pacit në Gjermani, mbylli portat në "Museum am Ostwall" të Dortmundit (17.06 – 30.09.2007). "Ndërsa ekspozita e atëhershme kishte një dimension më njerëzor e intim, kjo e Hannoverit ka një ton pak më të theksuar politik", vëren Paci. “Per Speculum“ vjen nga latinishtja dhe do të thotë “përmes pasqyrës“. Titulli i referohet letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintasve. Fëmijët marrin nga një copë të pasqyrës së thyer dhe e drejtojnë nga dielli. Një gjest i vetëkuptueshëm për kureshtinë e moshës. Pastaj ata të shpërndarë nëpër degët e një peme, që të kujton „pemën e diturisë“, lëshojnë shkëndijat e vogla të rrezeve të diellit, reflektimi i të cilave rreth trupit të tyre krijon një aureolë shenjtorësh. Ndoshta „Per Speculum“ tematizon dhunshmërinë e së vërtetës dhe ekzistencën e copëzuar të saj. Ëshët njëra nga veprat që mund të thuhet se del jashtë kontekstit të ekspozitës, ose më saktë, që u jep kornizën reflektuese punimeve të tjera, të cilat të paktën për nga tematika duket se janë më politike. Është fjala për punime të tilla si videoinstalimet „Centro die permanenza contemporanea” (2007), “Klodi” (2005), instalacioni „Piktori“ (2002), fotoseriali "Home to Go" (2001) videoinstalimet „After the Wall There are Some Walls“ (2001) ose “Believe me, I'm an artist” (2000), e deri tek punimi i parë i ekspozuar në Hannover "Albanian Stories" (1997) e që duket se të tëra kërkojnë një përgjigje rreth pyetjes, se si mund të ruhet tërësia individuale duke qenë vazhdimisht i përçarë ndërmjet hapësirave, epokave, roleve ose përcaktimeve që të jep shoqëria. Kjo pyetje mund të quhet një nga lajtmotivet kryesore të punës së piktorit të lindur në Shkodër në vitin 1969 e që në vitin 1997 emigroi në Itali, ku jeton si piktor i lirë.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj