Punëtorët akuzojnë: Kunati i Berishës sillte kalibrat në fabrikë
Tiranë- Punëtorët që kanë qenë në depon e çarmatimit të armëve në kushte minimale sigurie deri sa një pjesë e madhe e tyre humbën jetën, pohojnë se të afërm të kryeministrit punonin në fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec. “Kunati i tij, ekonomist vinte sillte e merrte kalibra me makinën e tij të shtrenjtë”, tha një nga grevistët duke i bërë thirrje qeverisë që t’i ndihmojë pasi siç theksojnë ata “është më e pakta nga ajo që na shkaktoi dora e shtetit në Gërdec”. Tashmë faktet dihen qartë, madje edhe prokuroria ka provat që vërtetojnë se kunati i kryeministrit Berisha ishte një prej emrave që shfrytëzuan punën e tyre për të bërë para duke vënë jetën e personave në rrezik, përfshirë këtu edhe gra e fëmijë. Ekzistenca e baxhanakut të kreut të qeverisë në fabrikën e Gërdecit, ku ai gjeti vdekjen, u mbajt e fshehur nga ana e Berishës, i cili edhe më pas ka pohuar se nuk dinte asgjë për zonën e Gërdecit dhe as se aty demontoheshin armë të kalibrit të rëndë. Në fakt, veprimtaria që kryhej në këtë depo paraprihej nga vendime qeveria dhe urdhra të firmosur nga ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Për këtë arsye, kryeministri Berisha dhe gjithë qeveria e tij jo vetëm që nuk mund të mohojë dijeninë e tij mbi atë që po ndodhte në Gërdec, por për më tepër nuk mund të mohojë pasojat e asaj tragjedia që u la të ndodhte. Vetë kreu i qeverisë premtoi të zhdukte pasojat e shpërthimit tragjik të 15 marsit brenda një muaji.
Kërkesat e punëtorëve të fabrikës së Gërdecit: Ndihmë emergjente dhe rrogë e asistencë për një vit
Tiranë- Punonjësit e fabrikës së Gërdecit kanë hyrë në grevë pa afat duke kërcënuar se do të qëndrojnë të ngujuar pa afat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Punëtorët kërkojnë lidhjen e një pensioni familjar prej 40 mijë lekësh për personat që humbën jetën nga shpërthimi tragjik i 15 marsit, ndihmë emergjente 400 mijë lekë të reja për çdo punëtor dhe dëmshpërblim. Për personat e plagosur në fabrikë kërkohet dëmshpërblim prej 150 mijë lekësh të reja, rrogë për një vit dhe asistencë për vitin tjetër. Pjesë e kërkesave është edhe lidhja e sigurimeve shoqërore sipas vështirësisë. Punëtorët kanë kërkuar gjithashtu dëmshpërblime për mjetet motorike të dëmtuara nga shpërthimi dhe dëmshpërblim dhe shpenzimet e varrimeve për personat që nuk i kanë marrë ende. Punëtorët që kanë punuar në kushte minimale të sigurisë në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec janë shprehur se kërkojnë këtë ndihmë nga qeveria jo vetëm sepse ngjarja e rëndë e 15 marsit është shkaktuar nga vetë ajo, por edhe sepse puna e vështirë në atë fabrikë i ka bërë të pamundur të punojnë në punë të tjera. Punëtorët i quajnë të drejta kërkesat e tyre, pasi vetë qeveria mori përsipër t’i ndihmonte ata pas ngjarjes së shpërthimit në Gërdec, ku ata humbën jetën dhe punën. Të gjithë banorët e zonës kanë pritur kohë të tëra për të marrë ndihmën e premtuar, por në vend të saj janë përballur me indiferencën e qeverisë, që vazhdon akoma edhe tani që punëtorët e fabrikës janë futur në grevë urie, duke u shprehur se janë gati madje edhe të vetëflijohen deri sa të përmbushen kërkesat e tyre.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj