Spitalet në prag të krizës për furnizimin me gjak
Pacientët e hemodializës në protestë: Po vdesim, spitali s`ka ilace. Tiranë- "Jemi në prag të kolapsit për furnizimin me gjak". Me këtë paralajmërim, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar për herë të parë se të sëmurët në verë rrezikojnë të mos marrin gjak, ose në rastin më të mirë sasia do t'u përgjysmohet
Tiranë- "Jemi në prag të kolapsit për furnizimin me gjak". Me këtë paralajmërim, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar për herë të parë se të sëmurët në verë rrezikojnë të mos marrin gjak, ose në rastin më të mirë sasia do t'u përgjysmohet. Shkak bëhet ulja e dhurimeve familjare nga 700 vetëm në 200 dhurime në muaj. Shifrat bëhen më kritike nëse do të llogarisim se vetëm të sëmurët talasemikë, që duan gjak në mënyrë kronike, janë më shumë se 500. Në një vit, në Shqipëri bëhen 20 mijë dhurime. Për të plotësuar nevojat me gjak duhen të pakten 35 mijë të tilla, pa llogaritur këtu nënproduktet e tij. Në këtë situatë Ministria e Shëndetësisë po kërkon të marrë gjak nga jashtë. Sipas specialistëve, evitimi i krizës varet nga sensibilizimi i shqiptarëve për të dhuruar gjak. Por, për fat të keq ai është gjithmonë e më shumë në ulje. Aq më tepër kur gjaku nuk mbahet dot rezervë që tani për verën, pasi brenda 40 ditëve ai skadon. "Shtimi i kërkesave për gjak në sezonin e verës vjen kryesisht nga aksidentet, një fenomen ne rritje në këtë periudhë, si dhe për pacientët me anemi kronike, e paraprirë nga ulja e dhurimeve vullnetare", tha Drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, duke theksuar se "ka shumë nevojë për gjak të sigurtë në përballimin e nevojave gjithnjë e në rritje, ndërkohë që dhënia e 300 mililitrave gjak nuk shkakton asnjë problem shëndetësor në shëndetin e njeriut". Shqipëria mbetet një nga vendet me traditë të ulët përsa i përket dhurimit vullnetar të gjakut. Tiranë- Pacientët e Hemodializës kanë protestuar dje përpara ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë pasi jeta e tyre po kërcënohet seriozisht. Të sëmuret denoncojnë mungesat e theksuara në këtë shërbim, gjë e cila po vë në rrezik edhe jetën e tyre. Protestuesit kërkuan nga ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka një zgjidhje sa më emergjente të problemeve të tyre. Pacientët e hemodializës paralajmërojnë se pajisjet që u mundësojnë trajtimin e tyre janë drejt fundit. Sipas drejtuesve të Shoqatës së të sëmurëve me veshka, ditën e djeshme kanë mbaruar filtrat që bëjnë të mundur procesin e dializës. Janë 80 të sëmurë që çdo ditë duhet të kalojnë në këtë proces, sepse veshka e tyre është jashtë përdorimit. Pacientët i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë të zhvillojë sa më shpejt tenderat, pasi pa dializë jeta e tyre rrezikohet. Kjo nuk është hera e parë që QSUT gjendet pa ilace, pasi pothuajse nuk mbahet mend koha kur medikamentet dhe pajisjet e tjera të nevojshme për shërbimin spitalor qëndrojnë rezervë. Prej kohësh pacientët madje edhe vetë mjekët denoncojnë mungesën e barnave në spitale, si pasojë e vonesave të përsëritura të zhvillimit të tenderave për blerjen e tyre. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë është shumë e ngarkuar me reformën e ndërrmarë sipas saj në sistemin shëndetësor, duke lënë në harresë shqetësimet reale që kanë pacientët dhe shërbimi shëndetor në përgjithësi.Vlereso artikullin



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj