Qeveria i “lan duart” me Gërdecin. Pas 3 ditësh banorët duhet të lënë Konvaleshencën
Megjithë pretendimet e banorëve për një rivlerësim të denjë të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i depos së demontimit të municioneve më 15 mars, qeveria e
Megjithë pretendimet e banorëve për një rivlerësim të denjë të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i depos së demontimit të municioneve më 15 mars, qeveria e konsideron pothuajse të mbyllur cështjen, duke rritur kështu pakënaqësinë e mijëra banorëve të Gërdecit, Marqinetit, e më gjërë, banesat e të cilëve u shkatërruan totalisht nga ngjarja e rëndë e cila mori edhe jetën e 26 personave.
Tiranë- Ende pa u mbyllur faza e parë e kompensimit të banorëve të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit, qeveria e ndërgjegjshme për sabotimin e këtij procesi nuk ka hezituar të kalojë menjëherë në kompensimin e dytë, i cili sipas të gjitha gjasave do të përqendrohet më tepër tek bizneset të cilat gjithashtu patën dëme të mëdha financiare, përllogaritja e të cilave u shoqërua po ashtu me mjaft probleme, por kësaj here në disfavor të faturës financiare shtetërore. Megjithë pretendimet e banorëve për një rivlerësim të denjë të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i depos së demontimit të municioneve më 15 mars, qeveria e konsideron pothuajse të mbyllur cështjen, duke rritur kështu pakënaqësinë e mijëra banorëve të Gërdecit, Marqinetit, e më gjërë, banesat e të cilëve u shkatërruan totalisht nga ngjarja e rëndë e cila mori edhe jetën e 26 personave. Ministria e Financave ka deklaruar dje se së shpejti pritet të miratohet një kompensim i dytë për bizeset dhe banesat e dëmtuara në Gërdec, ku ndonëse ekspertët financiarë ende po punojnë për rivlerësimin e dëmeve për familjet që kanë pasur pretendime në kompensimin që i është përcaktuar për vlerën e dëmit të shtëpive, si dhe për dëmet që ka pësuar biznesi në këtë zonë, janë bërë tashmë llogaritë paraprake sipas të cilave fatura arrin në 468 982 000 lekë, shifër kjo që do të financohet nga fondet e papërdorura të llogarisë së Qeverisë për tragjedinë e Gërdecit, ose nga burime të tjera financiare ku nuk përjashtohen as donacionet. Megjithatë edhe sipas zv.ministrit të Financave, Sherefedin Shehu, përveç kostos direkte për të dëmtuarit e Gërdecit, ka dhe shumë kosto të tjera të identifikuara nga ministritë e linjës, të cilat kërkojnë financime të konsiderueshme, të cilat ende nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria. Shëndetësi-arsim, energji-transport dhe mjedis-bujqësi, janë vlerësuar si tre nga sektorët kryesorë që kërkojnë mbështetje prioritare nga qeveria për të normalizuar jetën në Gërdec. Ndërkohë cështja e e kompensimit të dëmit të shkaktuar në banesat e banorëve të Gërdecit dhe të fshatrave përreth duket se do të mbetet përfundimisht e pazgjidhur, edhe për shkak të indiferencës totale ndaj këmbënguljes së opozitës e cila në saj të një pune serioze ka përgatitur një projektligj për dëmshpërblimin 100% të këtyre familjeve, i cili është paraqitur me kohë në Kuvend por kreu i qeverisë, Berisha ende e pengon miratimin e tij. Sipas këtij projektligji evidentimi i pasurisë apo pronës private të dëmtuar, do të kryhet nga vetë të dëmtuarit, nëpërmjet plotësimit të formularëve tip, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në mënyrë që 4.000 të dëmtuarve në Gërdec, t`ju jepet dëmshpërblim në masën 100 %, të të gjitha pasurive të paluajtshme dhe të luajtjshme, të dëmtuara plotësisht, si dhe në masën 100 %, për ato pasuri që kanë humbur vlerën e përdorimit dhe mund të rehabilitohen.
Tiranë- 1 Qershori është caktuar si afati i fundit për akomodimin në ambientet e Konvaleshëncës në Durrës të ish-banorëve të Gërdecit. Pas kësaj date familjet e zonës më të dëmtuar të Gërdecit që janë akomoduar në në Shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të asaj së Mbrojtjes, do të dalin prej andej dhe do të strehohen në shtëpi me qera. Kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili bëri të ditur se afati është përcaktuar nga një udhëzim i dalë së fundmi nga Ministria e Brendshme. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, për çdo familje që banonte brenda zonës së cilësuar si krateri i shpërthimit do të sigurohet qeraja prej 25 mijë lekësh të reja në muaj, për një periudhë jo më të gjatë se 1 vjecare, ndërsa për familjet banesat e të cilave ndodheshin jashtë zonës 300 metra të shpërthimit, edhe pse shtëpitë janë shkatërruar plotësisht qeraja prej 25 mijë lekësh në muaj vlen vetëm për një periudhë 6-mujore. Bashkia e Vorës ka ngritur madje edhe një grup pune, i cili do të bëjë verifikimin në terren të shtëpive të shkatërruara, me qëllim që të evidentojë saktë numrin e familjeve që do të përfitojnë. Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili theksoi se sipas vlerësimeve paraprake, mendohet se janë rreth 350 familje që do të përfitojnë qeranë nga qeveria, derisa shtëpitë e tyre të përfundojnë se ndërtuari. Koha e rindërtimit të banesavë për këto familje duket ende e largët edhe sipas parashikimeve të qeverisë e cila jo vetëm që është në pritje të monitorimit të plotë të nivelit të ndotjes së tokës, gjë e cila kërkon të paktën 2 vjet, por ende nuk ka bërë prezent mekanizmat e procesit që do të përfshijnë këtë rindërtim. Familjarët që pas 3 ditësh do të lënë Konvaleshencën pasi për qeverinë më e rëndësishme është cilësuar sezoni turistik i destinuar për shtëpitë e pushimit, ndihen totalisht në mëshirë të fatit i cili kësaj here nuk është më pak tragjik për shkak se së shpejti ata do të mbeten në qiell të hapur dhe pa asnjë ndihmë financiare.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj