Rama: Integrimi, të përballemi me sfidën e plotësimit të formularit të aplikimit
Më lejoni, që jo për protokoll, por për hir të së vërtetës, të falënderoj Fondacionin “Qemal Stafa”, për këtë zinxhir debatesh “Me Dyer të Hapura”, që japin mundësi të diskutojmë në thellësi
Më lejoni, që jo për protokoll, por për hir të së vërtetës, të falënderoj Fondacionin “Qemal Stafa”, për këtë zinxhir debatesh “Me Dyer të Hapura”, që japin mundësi të diskutojmë në thellësi me ekspertë, me miq e bashkëpunëtorë, me njerëz të paangazhuar politikisht, por që nuk kanë nguruar të kontribuojnë, apo me të tjerë që politikisht mund të jenë të angazhuar në një drejtim tjetër, por që përsëri nuk kanë nguruar të kontribuojnë në drejtim të formësimit të alternativës sonë të re. Këto debate të Fondacionit “Qemal Stafa”, materialet që i paraprijnë apo që pasojnë, do të përbëjnë pjesë shumë të rëndësishme të programit tonë të ri qeverisës, i cili do të jetë një program me angazhime konkrete. Mbi të gjitha do të jetë një instrument në duart e të gjithë atyre që do të duhet t’i plotësojnë këto angazhime. Nuk do të jetë një libër premtimesh elektorale, i cili bëhet i papërdorshëm pas fitores së zgjedhjeve. Në këtë adresim, unë kam zgjedhur t’i referohem Progres Raportit të vitit 2007, si një udhërrëfyes shumë i vlefshëm, në të gjitha çështjet me të cilat lidhet problematika e integrimit evropian të Shqipërisë dhe si një pikë referimi, janë mjaft objektiva për të kuptuar gjendjen dhe njëkohësisht edhe për të kuptuar rrugëdaljet e mundshme, duke ju referuar sugjerimeve që burojnë nga ky progres raport.
Në funksion të një leximi të Progres Raportit, me qëllimin e këtij debati, do të doja të bëja dy apo tre nënvizime, që besoj se janë të rëndësishme për punën tonë në drejtim të rrugës së integrimit evropian dhe adresimit sa më të drejtë të prioriteteve në këtë rrugë. Pa dyshim që një nga elementët kryesorë për të kuptuar se ku jemi dhe njëkohësisht për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë, është legjislacioni. Në të gjitha Progres Raportet e Komisionit Evropian, ky element zë një vend të veçantë dhe tek ky element vihet një theks i posaçëm edhe në raportin e vitit 2007, ku flitet konkretisht për cilësi të dobët të legjislacionit dhe ku numërohen një sërë shkaqesh në të cilat performanca e ulët e punës së Kuvendit dhe komisioneve të tij, ndryshimet e shpeshta me karakter politik në përbërje të komisioneve të Kuvendit, mungesa e ekspertizës dhe posaçërisht duke përfshirë edhe çështjet e integrimit evropian në punën e Kuvendit, mungesa e konsultimit me grupet e interesit, dominimi i punës së Kuvendit nga axhenda politike afatshkurtër si dhe keqmenaxhimi i buxhetit të Kuvendit.
Në këtë aspekt, besoj se angazhimet tona do të jenë të qarta, do të jenë konkrete dhe do të jenë të bazuara në prirjen për ta ndryshuar në mënyrë radikale cilësinë e Kuvendit të Shqipërisë, cilësinë e punës së tij, cilësinë e debateve në Kuvend dhe cilësinë e menaxhimit të Kuvendit. Kur vjen çështja te qeverisja, Progres Raporti i vitit 2007, thekson me forcë faktin se ka një progres të munguar në jetësimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, për të përcaktuar shtrirjen gjeografike dhe kompetencat e autoriteteve lokale. Ka një alokim të pabalancuar të burimeve financiare dhe mbi të gjitha të detyrimeve që qeveria ka ndaj organeve të qeverisjes vendore, gjë që ka të bëjë në fakt me një nga pjesët thelbësore të problematikës së rënduar që ka sot Shqipëria. Njëkohësisht me një nga pjesët thelbësore të programit tonë të ri, i cili do ta adresojë çështjen e decentralizimit dhe çështjen e harmonizimit mes niveleve të qeverisjes, në një mënyrë të re, në një mënyrë të vendosur, për të bërë edhe këtu ato ndryshime radikale që mungojnë prej një periudhe shumë të gjatë dhe që kanë sjellë disekuilibra shumë të rëndë në mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, Progres Raporti flet për një kapacitet shumë të kufizuar institucional të Ministrisë së Integrimit Evropian. Thekson si shkak, lëvizjet e stafit, të cilat ne jemi të vetëdijshëm se janë bërë bazuara në kritere jo meritokratike, por politike. Njëkohësisht, në vonesa, për të plotësuar pozicionet kyç në staf kur është fjala për gjithë grupin e njerëzve që duhet të punojnë për përafrimin e legjislacionit dhe menaxhimin e sektorëve specifik të asistencës komunitare, ku flitet për komunitetin evropian. Pra, jemi në kushtet e një situate, kur shumë nga mbështetja dhe asistenca potenciale e Komunitetit Evropian, mbetet e pashfrytëzuar për shkak të mungesës së organizimit të brendshëm në strukturat qeverisëse. Po ashtu, Progres Raporti i vitit 2007, flet për një organizim jo konsistent të njësive të integrimit evropian nëpër ministri dhe për mungesë të rolit të planifikuar, që ato duhet të kenë, për të jetësuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Nga ana tjetër, flitet për mungesën apo nevojën e progresit dhe koordinimin ndërdikasterial të punës për integrimin evropian. Një tërësi, kjo, që na bën të kuptojmë fare mirë, përmes këtij vërshimi objektiv, atë problematikë që ne e kemi identifikuar dhe që njëkohësisht debatuar publikisht, për një hendek ende të madh, që ekziston midis propogandës të integrimit evropian dhe punës kapilare që duhet bërë për integrimin evropian, si pjesë strukturore e vetëdijes së përditshme të qeverisjes së këtij vendi.
Progres Raporti thekson problematikën e administratës publike. Një problematikë që ne e kemi identifikuar dhe për të cilën kemi folur në mënyrë të vazhdueshme, por që nga ky këndvështrim objektiv, nënvizohet si një problematik e përbërë nga vijueshmëria e emërimeve politike në pozicionet drejtues dhe të mesme, në shkelje të ligjit për shërbimin civil, nga rekrutimi dhe promovim që duhet të rregullohet mbi kritere objektive dhe meritokratike, që gjë sot lë shumë për të dëshiruar. Kjo më lejoni ta nënvizoj se është një plagë e hapur në organizimin e shtetit shqiptar, jo sot, por prej shumë vitesh, e cila vazhdon të thellohet për shkak të ndryshimit politik në Shqipëri, dhe e cila me patjetër duhet kuruar dhe mbyllur përmes angazhimit tonë, konkret dhe të vendosur. Kjo, për të bërë edhe këtu një ndryshim radikal në përqasjen ndaj një administrate publike, e cila duhet të jetë administrata e shtetit të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Nga ana tjetër, edhe ndarja e qartë midis niveleve politike dhe administrative, që sot mungon dhe që në Progres Raport nënvizohet si një domosdoshmëri është pjesë e kësaj problematike. Duhet të jetë pjesë e këtij angazhimi që duhet të përcaktohet qartë në programin tonë të ri. Nuk do të hyjë në të gjitha problematikën e listuar të sistemit gjyqësor në Shqipëri, që zë një vend të rëndësishëm në progres raportin e 2007, por do të them vetëm se ne jemi nismëtarë të hedhjes së një hapi shumë të rëndësishëm për ekuilibrat e shtetit në Shqipëri, dhe përforcimin e drejtësisë dhe të rolit të saj, përmes Paktit Kombëtar për Drejtësinë, që e kemi propozuar konkretisht, ku përfshihen të gjitha problemet e nënvizuara edhe në Progres Raportin e 2007, dhe ku në themel kemi vendosur vetëdijen se politika duhet të largojë një herë e mirë duart nga drejtësia. Ky duhet të jetë një angazhim i të gjitha forcave politike, që solemnisht duhet ta kthejnë këtë Pakt Kombëtar, në një angazhim konkret të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë, si një axhendë afatgjatë për të gjitha forcat politike, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë, apo anasjelltas. Pa dyshim që korrupsioni mbetet një problem serioz. Korrupsioni i ka shtrirë më tutje tentakulat e tij në trupin e shoqërisë, përmes një shteti shumë të parcelizuar në funksion interesash partiake dhe klanore, por duke cituar progres raportin, korrupsioni është mjaft i shpërndarë dhe përbën një problem shumë serioz për Shqipërinë. Ashtu si kundër strategjia e re e qeverisë, nuk përmban objektiva dhe indikatorë konkretë. Shkruar në këtë këndvështrim, që besoj se është më objektiv dhe nga ana tjetër, theksohet në çështjen e këtij kapitulli, edhe çështja e imunitetit, për të cilën ne e kemi deklaruar publikisht, se jemi të hapur të diskutojmë, por e cila nuk mund dhe nuk do të jetë për sa na takon një çështje e veçuar nga diskutimi i thelluar i të gjithë problematikës së Paktit Kombëtar për Drejtësinë. Nuk do të jetë as një arsye për t’u rifutur në Kushtetutë, për një element të vetëm. Por, do të jetë pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë, për të cilën duhet të ketë një diskutim të madh, publik dhe e cila duhet të vijë si rrjedhojë e asaj vetëdije që mishërohet në Paktin Kombëtar për Drejtësinë dhe atij angazhimi që forcat politike duhet të marrin për këtë pakt.
I falënderoj të ftuarit, në mënyrë të posaçme, qoftë zotin Roucek, qoftë zotin Lohan, që nga ana tjetër meritojnë njëkohësisht shprehjen e respektit dhe të mirënjohjes, për gjithçka bëjnë në vijimësi, për të na ndihmuar në rrugën e këtij partneriteti jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dua ta mbyll me bindjen se këto debate, na vlejnë për të plotësuar një kuadër angazhimesh, të cilat Partia Socialiste duhet t’i bëjë të vetat, në funksion të plotësimit të aspiratave dhe njëkohësisht të ambicieve të shumë më tepër shqiptareve dhe shqiptarëve, se sa ajo vet përfaqëson.
Do të doja të theksoja, vetëm me dy fjalë vetëm për atë që zoti Roucek preku dhe për atë ç’ka përbën sot një nga arsyet themelore pse të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë, ndihen keq dhe që mendoj se përbën një padrejtësi, kjo është pamundësia për të lëvizur lirisht, si bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.
Sot, shqiptaret dhe shqiptarët, kanë mundësi të lëvizin vetëm në 17 vende. Në këtë pikë, renditemi jo vetëm mbrapa evropianëve të atashuar në komunitetin evropian, por edhe mbrapa koreano-veriorëve. Mendoj, se është domosdoshmëri që qeveria shqiptare të vrapojë për të plotësuar ato kritere teknike që janë të domosdoshme, duke filluar nga Regjistri Kombëtar, tek kartat e identitetit. Por, nga ana tjetër edhe që nga ana e Bashkimit Evropian, të ketë një përqasje edhe më të hapur ndaj kësaj problematike, posaçërisht, për të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, që janë ende sot e gjithë ditën, të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Dua ta ritheksoj këtu atë ç’ka është sot një qëndrim i njohur publik i yni, se në kushtet e sotme të Ballkanit perëndimor, dhe me zhvillimet e fundit, edhe në Serbi, ku besoj se biem në një mendje se është domosdoshmëri mbështetja e forcave progresiste, besoj se është në rendin e ditës, një përshpejtim i procesit të integrimit të të gjithë këtyre vendeve.
Janë 22 milion njerëz që mbeten të izoluar në një Evropë prej qindra milionësh. Këta 22 milion njerëz janë të izoluar në një situatë, ku plot ndër ato gjëra që duhen arritur për t’u integruar, janë objektivisht të pamundura, pa mekanizmat e veta të integrimit. Për arsye jo vetëm historike, por edhe për arsye të një tradite në vetë strukturat politike e shtetërore, që është një pengesë kryesore, dhe besoj që është një detyrim i yni, karshi qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi, që të nxitim qeverinë, që të paraqesë aplikimin për statusin e vendit kandidat, jo më vonë se vjeshta e ardhshme. Duke besuar dhe inkurajuar një politikë të nxitjes dhe inkurajimit të forcave progresiste në të gjithë rajonin, posaçërisht edhe në Serbi, dhe duke dëshiruar një integrim të të gjithë të kësaj pjesë të rajonit në Bashkimin Evropian, ne duhet të mos mbetemi mbrapa në këtë proces, por përkundrazi, të përballemi me sfidën e plotësimit të formularit të aplikimit. Duke u përballur njëkohësisht me ato 4000 pyetjet, të cilave duke ju përgjigjur do të jemi në gjendje ta shikojmë si në një skaner, të gjithë procesin, të gjithë problematikën dhe të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e sfidës tonë. Për këtë pjesë të Ballkanit, është e domosdoshme, një politikë nxitëse dhe inkurajuese, duke konsideruar faktin se një pjesë e rëndësishme e atyre kushteve dhe atyre arritjeve që duhen për integrimin e plotë në BE, janë të pamundura pa pjesëmarrjen në strukturat e tij.”



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj