Ulqini: Qëndrimi i qeverise ndaj RTSH, qëndrim antipublik dhe antidemokratik
Pavarësisht nga formalizmi, që gjithnjë e më shumë shoqëron raportimet në Kuvend të organeve kushtetuese dhe atyre
Pavarësisht nga formalizmi, që gjithnjë e më shumë shoqëron raportimet në Kuvend të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, unë gjykoj që diskutimi i sotëm rreth raportit vjetor të Këshillit Drejtues të RTSH-së për punën e realizuar gjatë vitit 2007 nga ky institucion, është një rast i mirë për të bërë një diskutim serioz për problemet dhe sfidat e shumta me të cilat ndeshet çdo ditë në veprimtarinë e vet transmetuesi i vetëm publik në vend. E theksova që në krye të herës që për RTSH-në është e nevojshme të bëhet një diskutim serioz në Kuvend, sepse RTSH duhet të përballojë disa sfida të cilat i kanë vënë një pikëpyetje të madhe të ardhmes së tij.
Sfida e parë dhe më e vështira është rinovimi i tij teknologjik. Edhe pse RTSH është pa dyshim një gjigand mediatik informativ kombëtar, ai po e thellon gjithnjë e më shumë hendekun me mediat e tjera private, kur është fjala për futjen e teknologjive të reja. Rinovimi teknologjik i RTSH-së përmes futjes së teknologjive të reja është sot një nevojë urgjente që e ka vënë RTSH-në përballë dilemës ”të jetë apo të mos jetë”. Të jetë apo të mos jetë sot dhe në të ardhmen një transmetues i mirëfilltë publik që prodhon dhe transmeton programe jo për të fituar para, pra jo programe komerciale, por programe për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun sipas parametrave të njohura të funksionimit të transmetuesve publik në vendet demokratike.
Pavarësisht nga zhvillimi i mediave elektronike private, që është një arritje e patjetërsueshme e mediave në epokën tonë, nga kryeqendrat e demokracisë së Evropës së zhvilluar Brukseli dhe Strasburgu çdo vit dalin direktiva dhe jepen rekomandime për qeveritë demokratike të Evropës për rëndësinë e dorës të parë që ka forcimi dhe zhvillimi cilësor i mediave elektronike publike. Për këtë arsye vetëm transmetuesit publik financimin kryesor e kanë nga taksa e publikut dhe bordet e tyre të menaxhimit, ku janë përfaqësues të spikatur të publikut, zgjidhen nga parlamentet.
Këta transmetues e kanë detyrë specifike të mbështesin kulturën dhe krijimtarinë letrare dhe artistike, të edukojnë dhe zhvillojnë kulturën e të folurit me gjuhë normative sipas rregullave të drejtshkrimit në vendet përkatëse. Këta transmetues e kanë për detyrë të sigurojnë shumëllojshmëri informacioni politik, social, kulturor dhe argëtues nga vendi dhe bota, e kanë për detyrë të sigurojnë informacion për pakicat kombëtare, e kanë për detyrë të japin informacion për publikun jashtë vendit dhe të mbulojnë me informacion dhe sinjal gjithë territorin e vendit, edhe zonat e thella urbane, edhe atje ku banorët janë të pakët në numër. Për këto cilësi, që janë krejt të ndryshme krahasuar me transmetuesit privat, transmetuesit publik kanë përparësi në financim. Ata nuk financohen vetëm nga taksa e publikut dhe reklamat por për sektorë dhe çështje të caktuar dhe nga buxheti i shtetit. Kështu funksionon nga pikëpamja ligjore edhe RTSH.
Për shkak të rëndësisë dhe të specifikës në informimin e publikut RTSH ka një kontroll të dyfishtë nga publiku dhe Parlamenti në mënyrë që të mos lejohet që politika të keqpërdorë fuqinë e saj mediatike.
Por çfarë ka ndodhur në këto 17 vjet me RTSH-në? Deri ditën që RTSH ishte i vetmi transmetues radioteleviziv në tregun e vendit ai ishte në sytë dhe vëmendjen e politikës. Aq e vërtetë është kjo saqë gjatë viteve të qeverisjes të parë të Partisë Demokratike presidenti i asaj kohe dhe kryeministri i sotëm e vuri nën një kontroll të jashtëzakonshëm RTSH-në duke kontrolluar me dorë të hekurt edicionet e tij informative. RTSH në shumë raste u keqpërdor ndaj opozitës së kohës, njëlloj në mos më keq siç e përdorte atë partia shtet në kohën e monizmit.
Pas daljes dhe zhvillimit të mediave elektronike private dhe ardhjes së opozitës së kohës në pushtet u kalua në ekstremin tjetër. RTSH thuajse u braktis nga politika, duke e dëmtuar rëndë atë veçanërisht me mungesën e investimeve dhe vjeljen e taksës së publikut. Këtij qëndrimi ju bashkëngjit edhe keq menaxhimi i bordeve drejtuese dhe veçanërisht drejtimi aspak profesional i disa drejtorëve të përgjithshëm.
Tani jemi përpara një situate tjetër, kur mungesa e investimeve në teknologji rrezikon ta nxjerrë tërësisht jashtë tregut mediatik RTSH-në. I kontribuojnë këtij qëndrimi ndaj RTSH-së edhe aleanca të fuqishme mes pronarëve të mediave të ndryshme private dhe kryeministrit aktual, të cilët për interesat e tyre private dhe politike janë gati ta dëmtojnë edhe më shumë RTSH-në. Përballë interesave private dhe politike interesi i publikut po sakrifikohet përditë e më shumë.
Më konkretisht:
1. Atëherë kur pritej që në adresë të RTSH-së të shumëfishohen investimet e qeverisë si detyrim i kësaj të fundit në përputhje me kërkesat e nenit 117 të ligjit për mediat elektronike dhe në përputhje me kërkesat detyruese të dispozitave ligjore të Këshillit të Evropës, qeveria aktuale e pakësoi në mënyrë drastike financimin e RTSH-së për vitin e kaluar, duke mos marrë në konsideratë as detyrimet e mësipërme dhe as nevojën urgjente për të investuar në futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe transmetim.
2. Me një vendim të paprecedent mazhoranca parlamentare vitin e kaluar vendosi ti heqë nga pronësia disa objekte të rëndësishme RTSH-së dhe t`ja kalojë një institucioni tjetër. Ky vendim absurd bie ndesh me nenin 147 të ligjit për mediat elektronike i cili thotë: ”Të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që shfrytëzohen nga RTSH, të tilla si: godinat administrative, radio-stacionet, pikat e transmetimit, objektet e MCR-së, të gjitha pajiset teknike kalojnë në pronësi të këtij institucioni pa shpërblim, duke u pasqyruar në kontabilitetin e RTSH-së në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ligjvënësi i ka dhënë këtë të drejtë RTSH-së në përputhje me udhëzimet për funksionimin e transmetuesve publikë të dala nga Këshilli i Evropës në formën e direktivave përkatëse që janë detyruese për vendet anëtare, pra dhe për Shqipërinë. Ky ka qenë edhe sensi i kundërshtimit nga opozita të këtij vendimi absurd të miratuar nga mazhoranca aktuale, sipas një procedure krejt në kundërshtim me rregulloren e funksionimit të këtij parlamenti. Sensi i vetëm i këtij vendimi është aleanca e privatëve dhe e drejtuesve më të lartë të kësaj mazhorance për ta përdorur RTSH-në dhe pasurinë e tij si plaçkë tregu për interesat e tyre private dhe politike.
Sipas ligjit KD i RTSH duhet të hartojë dhe të miratojë strategjinë e kthimit të RTSH-së në një transmetues të mirëfilltë publik. Ky këshill me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë arriti të hartojë në shkurt të vitit të kaluar këtë strategji. Sipas këtij dokumenti ky proces kishte si element të tij të rëndësishëm edhe detyrimin e BE-së, të sanksionuar edhe në legjislacionin tonë që në vitin 2012 të gjithë transmetuesit publikë dhe privatë do të kthehen në transmetues dixhital. Kjo strategji ka një kosto financiare. Kjo strategji ka një vit që është në tavolinën e qeverisë. Qeveria shqiptare për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i stabilizim asocimit dhe anëtarësimin ën Këshillin e Evropës është e obliguar të kryejë detyrimet e veta ndaj RTSH-së. Dhe detyrimi i dorës së parë është rinovimi i teknologjisë së prapambetur të RTSH-së. Ligji në fuqi në nenin 117 sanksionon që buxheti i shtetit financon projekte të rëndësishme teknike për futjen e teknologjive të reja për prodhim dhe transmetim. Pra taksa e publikut dhe të ardhurat e tjera që mund të derdhen në arkën e RTSH-së adresohen në drejtime të tjera por jo në rinovimin e teknologjisë. Dhe jo pa arsye. Investimi në teknologji është detyrim i qeverisë. Qeveria duhet të kuptojë që në vitin 2012 RTSH nuk mund të jetë i vetmi transmetues publik ne Evropë që të vazhdojë të përdorë teknologjinë kineze të viteve 70. Qeveria duhet të kuptojë që RTSH që ka në dispozicion dy frekuenca kombëtare duhet ti vërë urgjentisht në shërbim të publikut duke transmetuar në mënyrë dixhitale. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që në këto dy frekuenca RTSH mund dhe duhet të prodhojë pa pagesë rreth 20 programe, ashtu siç bëjnë sot me sukses mediat elektronike private, të cilat transmetojnë një numër të madh programesh me teknologjinë dixhitale. Këto programe u adresohen fëmijëve, grup moshave të ndryshme dhe kanë një interes të madh për publikun. Por këto programe janë me para.
Një shumicë e madhe shqiptarësh nuk mund ti ndjekin këto programe. Për këto arsye këto programe duhet të transmetohen nga RTSH, i cili i transmeton ato pa pagesë. Në këtë mënyrë në mijëra familje shqiptare brenda dhe jashtë vendit prindërit nuk do të ndjehen keq përballë kërkesës së fëmijëve të tyre për të ndjekur programet shume te kërkuara te transmetimeve dixhitale, por qe ata nuk mund t’i kene per shkak te varferise ekonomike. Kjo është më së paku, por shumëfishimi i programeve të transmetuara nga RTSH për shkak të futjes së transmetimeve numerike në dy frekuencat që ka në dispozicion ka një rëndësi të dorës së parë për informimin, edukimin dhe argëtimin e mijëra qytetarëve të këtij vendi që nuk janë në gjendje të paguajnë tarifat e televizioneve private për këto programe.
Mungesa e investimeve dhe indiferenca e qeverisë përballë emergjencës së rinovimit teknologjik të RTSH-së dhe futjes së shërbimeve të reja për publikun është një qëndrim antipublik dhe anti evropian që nuk duhet të tolerohet më. Në këtë pikë dhe për këtë çështje unë kam qëndrim kritik për ekipin drejtues të RTSH-së dhe këshillin e tij drejtues, të cilët i njohin shumë mirë këto probleme dhe janë të mirinformuar për detyrimet që qeveria dhe shteti shqiptar ka ndaj transmetuesit publik për arritjen e objektivave të vitit 2012 që është një objektiv Evropian (transmetimet dixhitale) e megjithatë zëri i tyre i protestës është i tillë që nuk dëgjohet as përtej zyrave të tyre të punës. Ndërkohë që ata jo vetëm për shkak të ligjit që i detyron por dhe për shkak të mundësive që kanë duhet të kishin këmbëngulur më shumë e ta kishin kthyer në një çështje të rëndësishme publike dhe politike nevojën për një sjellje krejt tjetër të qeverisë ndaj RTSH-së. Aq më shumë që mazhoranca drejtuese në këtë rast është e zgjedhur nga kjo mazhorancë qeverisëse.
Në komision dhe në dy dokumentet që shoqërojnë raportin e Këshillit Drejtues të RTSH-së ne si opozitë kemi argumentuar qëndrimet tona dhe shprehur rezerva për shumëshka që nuk ka funksionuar siç e kërkon ligji. Gjithashtu ne kemi mbështetur RTSH-në dhe ekipet e tij drejtuese për përpjekjet dhe arritjet e shënuar gjatë vitit 2007. Por unë personalisht mendoj se problemi që parashtrova më sipër është një problem shumë serioz dhe që në thelbin e tij është i lidhur me interesin e publikut. Unë këtu nuk diskutova si në komision për diskordancën e madhe që ky transmetues ka në mënyrën sesi informon publikun për veprimtarinë e pozitës dhe të opozitës. Ndërsa tre vjet më parë ky raport ishte i balancuar 50 me 50 sot ky raport është krejt i disbalancuar. Monitorimi i bërë nga KKRT për vitin 2007 provon që ky raport është sot 50% për pozitën dhe 30% për opozitën. Kjo disbalancë është në kundërshtim me detyrimet ligjore të transmetuesit publik. Ky problem dhe pse është i dorës së parë për opozitën nuk është i dorës së parë për publikun si problemi që parashtrova gjerësisht më sipër. RTSH është pasuri publike e të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk është një plaçkë që mund të keqpërdoret për arsye private apo politike. Unë i drejtohem ndërgjegjes profesionale dhe qytetare të drejtuesve të Këshillit Drejtues të zgjedhur nga ky Kuvend që të krijojnë një aleancë të gjerë me parlamentin dhe publikun për ta zgjidhur dilemën hametliane të RTSH-së: ”Të jetë apo të mos jetë” në favor të zhvillimit të një transmetuesi të fuqishëm publik dhe në dobi të publikut.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj