Marko Bello: Larg duart nga pushteti gjyqësor z. Berisha
Sistemi gjyqëor në vendin tonë ka qenë shpeshherë i akuzuar se është i korruptuar, se në vendin tonë po vihen re shenja
Sistemi gjyqëor në vendin tonë ka qenë shpeshherë i akuzuar se është i korruptuar, se në vendin tonë po vihen re shenja të këqija pasi ligjin po e bën forca dhe jo ligji forcën, se e drejta jepet në favor të jakave të bardha apo të pasuruarve brenda natës dhe në dëm të fakir fukarasë, se pushteti gjyqësor manifeston reflekse të sistemit të vjetër që më shumë se ligjit i bindet urdhrave politike dhe partiake, se gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët krijojnë në mjaft raste lidhje sekserësh për të ndarë paratë e plot mëkate të tjera. E megjithatë, duhet pranuar se rastet e veçuara, por mjaftueshmërisht shqetësuese, nuk duhet të errësojne impenjimin, përkushtimin dhe integritetin profesional të shumicës së trupës që jep drejtësi në këtë vend,
Në këto vite, edhe tek ne po shfaqet dilema midis balancimit të pushteteve nëpërmjet mekanizmit “check and balance”, nga njëra anë dhe asaj që Aleks Tokevili e quante “tirania e gjyqësorit” në një sistem demokratik, nga ana tjetër. Unë personalisht përpiqem të besoj në atë qe kolegu ynë i nderuar Spartak Ngjela deklaroi në këtë sallë para do kohësh se “në një sistem pluralist, demokracia mbron maxhorancat, ndërsa pakicat i mbron konstitucionalizmi.”
Kushtetuta dhe ligjet organike që rregullojnë veprimtarinë e një sërë institucionesh të rëndësishme për garantimin e pushteteve në një shtet demokratik dhe ligjor, liritë dhe drejtat e njeriut, të pakicave, liritë ekonomike, për pune dhe standard të lartë jetese kanë fituar qytetari dhe nuk mund të kërcënohen kurrsesi nga mendjet e nxehta dhe shpirtërat e trazuar të politikës.
Pas kthimit nga Brukseli dhe takimeve me zyrtare të lartë të Komisionit Europian, kryeministri i vendit demonstroi edhe njëherë se e ka tejet të vështirë t’i përshtatet sistemit të vlerave demokratike që mishëron sot Europa e Bashkuar. Sali Berisha na bindi serish se për atë dhe një grup rreth tij politikëbërja është demagogji dhe mashtrim, se demokracia është thjesht një slogan, ndërsa BE i përngjan një biçim klubi gjuetie ku mjafton të paguash një kuotë dhe bëhesh anëtar. Ndryshe nuk mund të shpjegohet shpërthimi inatçor i Sali Berishës kundër Gjykatës Kushtetuese, duke e kërcënuar me reformim (nënkupto shkrirje) vetëm pse kjo Gjykate votoi në favor të ankesës së komunitetit të biznesit që kundërshtonte ligjin e gjobave.
Gjate konferencës së shtypit, kryeministri i vendit më të korruptuar të planetit, kryeministri i piramidave dhe Gërdecit në mënyrë eksplicite, të qartë dhe të qëllimshme kërcënoi Gjykatën Kushtetuese se do ta paguajë shpejt atë që ai e quajti “vendim fatal” për të rrëzuar ligjin e gjobave, përmes të cilit ai dhe klani i pushtetit të tij arbitrar dhe i korruptuar po grabisin pasuritë e shqiptarëve.
Zhgënjimi i dytë erdhi në rastin e Arben Sefgjinit. Zoti Berisha tha pa iu dridhur qerpiku se Sefgjini nuk do të shkarkohet nga Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, pasi Qeveria nuk mund të paguajë pagën e tij nëse ai rezulton i pafajshëm. Shakaxhi i madh kryeministri, i vjen keq për paratë e taksapaguesve, paça se SHIK-u i tij dhe i Gazidedes u kthye në polici politike duke vrarë, rrëmbyer e masakruar qytetarë të pafajshëm. Të kishte qenë një kryeministër tjetër, do ta kishim besuar, por Sali Berisha që hodhi në rrugë mijëra nëpunes civile, duke i zëvendësuar me militantë partiake, të paaftë dhe të korruptuar nuk mund të na hedhë hi syve. Përse nuk i erdhi keq për miliona lekë të vajtura dëm për trajnimin e specialisteve që u hodhën në rrugë, apo për dhjetëra milionë të tjera që iu paguan atyre nga vendimet e drejta të gjykatave shqiptare?
Është dashur qe rasti i Remzi, Hoxhës Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt të ngrinte në këmbë të madh e të vogël në këtë vend që ka vuajtur egërsisht nga dhuna e regjimit diktatorial. Për fat të keq, ne bëmë shumë pak, prandaj sot na ndodhin raste edhe më tragjike sikurse Gërdeci, ku përsëri një grup i strukturuar kriminal, nën mbrojtjen dhe bekimin e shtetit vrau në mes të ditës 26 qytetarë të pafajshëm, plagosi mbi 300 të tjerë dhe shkatërroi mijëra shtëpi duke lënë të traumatizuar një popull të tërë.
E drejta vonon, por nuk të harron, thotë një fjalë e urtë e popullit. Sot, pas 13 vjetësh, ne jemi përpara një momenti deçiziv për të kuptuar nëse drejtësia dhe ligji në këtë vend do të mbizotërojne mbi çdo tirani dhe krim shtetëror, apo nëse shpresa për të vënë cilindo që ka abuzuar me funksionet politike dhe shtetërore në bankën e të akuzuarve ka humbur.
Zoti Berisha, ti mund të ëndërrosh se mund të vesh nën thundrën tënde dhe të klanit tënd te gjitha pushtetet, por kujdes. Kur u rrëzove nga kali i pushtetit herën e parë, ishe më i ri, me sportiv dhe me pehlivan, ndërsa kësaj radhe, mund të thyesh qafën në mënyrë të pariparueshme. Kali i pushtetit është bërë më zevzek dhe ai ka filluar të mos bindet kollaj.



del.icio.us
Digg
Komente (2 vendosur):
Vendosni komentin tuaj