Bello: Fatkeqësi që në krye të Kuvendit është një si Topalli, dhunon e shkel Kushtetutë e ligje
Bello: “Falë” Topallit, Parlamenti, në konflikt të hapur me Presidentin, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Pergjithshme dhe FA
Abuzimi me funksionet shtetërore, papërgjegjshmëria, arroganca, sentimentet revanshiste, vënia e interesave partiake mbi ato mbarëkombëtare janë vetëm disa nga elementët që kanë karakterizuar sjelljen e spikeres së parlamentit, znj Jozefina Topalli Çoba.
Ndërhyrja e kryetares së kuvendit në çështjen e dekretimeve nga presidenti Bamir Topi për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë, si dhe zvarritja e qëllimshme e çështjes së imunitetit të ish ministrit të Mbrojtjes kanë qenë veprimet më të fundit anti- ligjore dhe tërësisht jashtë kompetencave të kësaj të fundit. Një veprim i tillë është, përveç të tjerash një shenjë e qartë se Shqipërisë i mungon dukshëm shteti ligjor.
Për ne përfaqësuesit e opozitës, ka qenë e qartë se znj.Topalli ka mangësi të theksuara jo vetëm në drejtimin e kuvendit, por edhe një mentalitet që bie ndesh me konceptet demokratike që funksionojnë në të gjitha demokracitë perëndimore. Shpesh kjo zonjë shpreh habinë se si votimi në shumicë të thjeshtë i PD në 3 korrik 2005 nuk po kuptohet si një mundësi për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet në Shqipëri. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Turqi për të bllokuar çdo vendim që vë në pikëpyetje sekularizmin në këtë vend mik, për Jozefina Topallin është antidemokratik.
Është fatkeqësi për një vend që pretendon të anëtarësohet në BE dhe NATO të ketë në krye të Parlament dikë që ende nuk kupton se për SHBA dhe vendet e Europës Perëndimore ku duam të integrohemi, demokracia konceptohet si demokraci liberale, pra si një sistem politik që karakterizohet jo vetëm nga zgjedhjet e lira e të ndershme, por sidomos nga sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të lirisë së shprehjes, besimit dhe pronës. Thënë këtë, shpresoj se zonja Topalli të ketë kuptuar më në fund përse ambasadori i SHBA reagoi menjëherë kur Prokurorisë së Përgjithshme iu bë presion i hapur dhe kur kryeparlamentarja tentoi ta ktheje Parlamentin në një institucion hetimor dhe akuzues.
E frikësuar dhe aspak e qetë, znj Topalli reagoi të nesërmen, duke pranuar se imuniteti do të hiqet shpejt, por sërish, me kokëfortësi insistoi se parlamenti gjoja funksionon normalisht, duke evituar që të prononcohej mbi dekretet, një e drejte ekskluzive dhe kushtetuese e Presidentit të Republikës.
Të nderuar kolege,
Parlamenti vazhdon, edhe sot të jetë në një situate kaotike për shkak të shkeljes së rëndë të rregullores, mohimit te debatit, mohimit të fjalës së lirë, mohimit të nismave ligjore dhe bllokimit të kontrollit kushtetues parlamentar, sidomos për deputetet e opozitës.
Parlamenti, edhe pas deklaratës së nënkryetares së PD konfirmohet si institucioni më i rëndësishëm politik i vendit në krah të krimit shtetëror të Gërdecit.
Parlamenti, edhe pas deklaratës së n/kryetares së PD vazhdon të mbetet në pozita antikushtetuese të bllokimit të veprimtarisë normale të gjykatës më të lartë në vend.
Parlamenti, edhe pas reagimit të n/kryetares se PD vijon të mbetet në konflikt të hapur me Presidentin e Republikës, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Në këto kushte, rikthimi në normalitet i parlamentit mbetet jetik për demokracinë, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e tyre, klimën dhe stabilitetin politik, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ikja e Jozefina Topallit do të ishte një kontribut domethënes për t’i rikthyer Kuvendit seriozitetin dhe do t’i hapte rrugën zgjidhjes përfundimtare të problemit të imuniteteve për veprat penale të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën shtetërore. Atëherë, Prokuroria e Përgjithshme do t’i ketë duart e lira për të hetuar, pse jo edhe vetë znj Topalli lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës, shkeljes së rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Dhe në fund, dy fjalë për ju të nderuar kolegë të mazhorancës. E pate se ç’ndodhi në Maqedoninë fqinje. Nuk ngeli përfaqësues i lartë i BE dhe SHBA pa reaguar me forcë për mënyrën sesi u zhvillua fushata zgjedhore dhe sidomos zgjedhjet të dielën e kaluar. Synimi i Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO pësoi goditje të rëndë, pasi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend kaluan me viktima, dhunë dhe incidente.
"Ky votim është tragjedi për mbështetësit e BE-së maqedonase dhe ardhmërisë Transatlantike". "Askush nuk mund të formojë qeveri në bazë të zgjedhjeve në të cilat policia mbush kuti votuese dhe dhunuesit sulmojnë vendvotimet",- shprehet BBC. “Gjakderdhja është shkas për turp në shtetin ballkanik, i cili shpresonte në zgjedhje të shkëlqyeshme për të dëshmuar gatishmërinë për anëtarësim në BE dhe NATO, shkruante gazeta Liberasion; Shpresat e Maqedonisë për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe BE, pësuan goditje të rëndë, pasi që zgjedhjet parlamentare u përcollën me dhunë të gjerësishme, komentonte “Deili Telegraf”.
Hapni sytë dhe mos pranoni urdhrat e shefave tuaj për të tentuar te njëjtin skenar. Do të ishte fatale dhe me pasoja të parikuperueshme.




del.icio.us
Digg
Technorati
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj