Rama: Nuk lejojmë presionin antikushtetues të Qeverisë mbi Prokurorinë, per shmagien e hetimit të Gërdecit
Rama: Nuk lejojmë presionin antikushtetues të Qeverisë mbi Prokurorinë, per shmagien e hetimit të Gërdecit
Rama: Të harrojnë Berisha, Topalli e Mediu që me presione antikushtetuese mbi Prokurorinë do të shmangin hetimin e Gërdecit
“Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s'ka Shqipëri demokratike e evropiane”.
Tiranë- Lideri i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama tha dje se socialistët janë më të vendosur se kurrë që të mos lejojnë presione antikushtetuese kundrejt Prokurorisë, presione që kanë për qëllim shmangien e hetimeve të tragjedisë së tmerrshme të Gërdecit. Pas lëvizjeve të fundit që kanë ndodhur, ku në Kuvend është bllokuar kërkesa për heqjen e imunitetit të Mediut si dhe nga ana e kryetares së Kuvendit i është kërkuar kryeprokurores që të paraqesë në Kuvend dokumenta shtesë, për heqjen e këtij imuniteti, ka reaguar kryesocialisti Rama. “Ne nuk mund të lejojmë sot që ata që shkaktuan Gërdecin të fajësojnë Prokurorinë e Republikës dhe nga të pandehur të opinionit publik të kthehen në inkuizitorë publikë të përfaqësuesve kushtetues të akuzës. Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s'ka Shqipëri demokratike e evropiane”, ka deklaruar në fjalën e tij socialisti. Ai ka bërë me dije se socialistët kanë refuzuar vijimësisht t'i bëjmë mish për topat e politikës së ditës viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit. “Por këtë e kemi bërë për të mos i kushtëzuar organet e drejtësisë dhe jo për të lejuar që forcat qeveritare t'i bëjnë presion Prokurorisë së Republikës”, nënvizoi Rama. Sipas tij socialistët kanë përballuar “qetësisht të gjithë mospëlqimin ndaj përqasjeje sonë prej shumëkujt që ka kërkuar rritjen e presionit tonë publik për Gërdecin, sepse besojmë tek politika e re e respektit për pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe jo tek politika e vjetër e përshkallëzimit të konfliktit për fajësinë e kundërshtarit, pa i dhënë drejtësisë as kohën e as mundësinë të flasë. Por ne nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë që forcat qeveritare të përfitojnë nga politika jonë e re e ndarjes së qartë të pushteteve e të punëve mes politikës dhe drejtësisë, për të vazhduar avazin e vjetër të presionit antikushtetues e antiligjor mbi Prokurorinë e Republikës, me synimin e turpshëm pengimin e hetimeve për Gërdecin”. Më tej në fjalën e tij Rama vijoi se është zgjedhur me vetëdije të plotë rruga e e dhënies së shembullit të ri në politikën shqiptare. “Ne kemi zgjedhur me vetëdije të plotë rrugën e dhënies me guxim të një shembulli të ri në politikën shqiptare, duke e trajtuar Gërdecin jo si një rast për të nxjerrë përfitime politike të çastit në kurriz të drejtësisë, po si një krim shtetëror që duhet zbardhur deri në fund vetëm përmes rrugës kushtetuese e ligjore të hetimit e të gjykimit të çdo fakti nga organet e pushtetit gjyqësor. Por nëse ne e kemi refuzuar rrugën tradicionale të degjenerimit të kësaj tragjedie të jashtëzakonshme në sherrin e zhurmshëm politik, që tradicionalisht u ka shërbyer fajtorëve për të bërë rolin e viktimës, ne nuk mund të lejojmë sot që ata që shkaktuan Gërdecin të fajësojnë Prokurorinë e Republikës dhe nga të pandehur të opinionit publik të kthehen në inkuizitorë publikë të përfaqësuesve kushtetues të akuzës”, ka shtuar Rama. Gjithashtu numri një i socialistëve ka theksuar se për asnjë arsye nuk kanë për të lejuar që të shmanget hetimi i Gërdecit, pavarësisht të gjitha manovrave që po përdoren për të shmangur hetimin e tragjedisë së tmerrshme që solli vdekjen e dhjetëra personave, plagosjen e qindra të tillave si dhe dëmtime të pafundme. “Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s'ka Shqipëri demokratike e evropiane”, përfundoi Rama, duke qenë shumë i qartë se opozita nuk ka në mend të tërhiqet nga kërkesa e saj për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj