Faqja e Pare | Politike | Leskaj: Kryeministri implikohet me heshtjen e tij në zvarritjen e imunitetit të Mediut dhe dekretet e Presidentit

Leskaj: Kryeministri implikohet me heshtjen e tij në zvarritjen e imunitetit të Mediut dhe dekretet e Presidentit

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

“Çështja e diskutuar në grup është ajo e imunitetit për ish-ministrin e mbrojtjes Mediu, çështje e cila po futet në kalendat greke. Kjo është çështje e madhe për ne, sepse kanë vdekur 26 vetë, ka shkaktuar mjaft dëme, dhe ka të bëjë me një krim shtetëror, që implikon Ministrin deri dhe Kryeministrin”


Tiranë- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i mbledhur mesditën e djeshme ka diskutuar mbi dy çështje të rëndësishme siç është çështja e Imunitetit të ish ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ngritjen e një grupi ekspertësh të PSSH për shqyrtimin e përshtatshmërisë ligjore e konstitucionale për një mocion ndaj Kryetares së Kuvendit Topalli. Pas mbledhjes së grupit të deputetëve socialistë, Kryetarja Valentina Leskaj u shpreh se: “Dy janë çështjet e rëndësishme që ka diskutuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, dhe besoj se janë shumë të rëndësishme për Kuvendin dhe për të gjithë vendin. Është çështja e imunitetit të për, ish-ministrin e mbrojtjes, Mediu, e cila po futet në kalendat greke. Kjo është çështje e madhe për ne, sepse kanë vdekur 26 vetë, ka shkaktuar mjaft dëme, dhe ka të bëjë me një krim shtetëror, që implikon Ministrin deri dhe Kryeministrin”, tha ajo. Sipas Leskajt socialistët nuk mund të tolerojnë në zvarritjen e procedurave për heqjen e imunitetit të deputetit të Kuvendit, Mediu. “Problemi i dytë, ka të bëjë me çështjet e dekreteve lidhur me 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Siç dihet, edhe ato po zvarriten nga Kryetarja e Kuvendit, ku po ndiqen proçedura jo normale dhe jo në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, vijoi Leskaj. Më tej numri një i socialistëve kuvendorë tha se lidhur me këto dy çështje, në mënyrë të veçantë me Gërdecin, pra me imunitetin e Ministrit, e cila është e patolerueshme, e pajustifikueshme, sepse nuk ka vend në botë, që do të mblidhte komisionet të numëronin në mënyrë burokratike faqe dokumentash, ndërkohë që janë vrarë 26 njerëz. “Ajo që na bën ne përshtypje, është heshtja e Kryeministrit, i cili nuk ka reaguar, nuk është prononcuar për këto dy çështje madhore. Për sa i përket çështjes së mocionit për Topallin, kemi ngritur grup ekspertësh, që po shqyrton përshtatshmërinë ligjore e konstitucionale lidhur me këto dy çështje. Natyrisht mocioni është akt politik, që ne e kemi në proçes, por nuk do të ndalemi vetëm te çështja e mocionit lidhur me këto dy probleme”, tha ajo. Ndërkohë e pyetur nga media nëse janë votat për këtë mocion të mundshëm, Kryetarja e grupit kuvendor të PSSH, Leskaj u shpreh se kjo nuk është një çështje llogarish matematikore, por standardesh dhe morali, që duhet të ketë çdo politikan me detyrën që kryen. 

Leskaj- Topallit: Faktet për Mediun i keni sheshit që implikojnë deri Kryeministrin.  

Tiranë- Numri një i socialistëve kuvendorë ka përsëritur edhe njëherë dje në Kuvend kërkesën e ardhur nga ana e prokurorisë për Imunitetin e ish- ministrit Mediu për ngjarjen tragjike të Gërdecit, duke kërkuar me forcë të futet në kalendarin e punimeve të kuvendit. Duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit me fakte se ajo po zvarrit procedurat. “Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Imuniteteve, ju nuk morët asnjë vendim duke e shtyrë pa afat. Në fakt, nga njëra anë i bëtë presion prokurorisë dhe nga na tjetër i kërkuat këshillit të studiojë dosjet e plotësuara nga ju, pra veç atyre të prokurorisë, duke theksuar se janë mijëra faqe për tu studiuar”, tha Leskaj. Sipas saj kjo do të thotë se që këshilli mund ta shtyjë sa të dojë, pa limit, studimin e dosjeve duke penguar organet e hetimit të bëjnë punën. “Kjo vonesë edhe mund të ishte e pranueshme në një rast tjetër në një rast  shkelje administrative apo diçka të tillë. Po këtu kemi të bëjmë me krim shtetror, kemi të bëjmë me një rast, që është paguar me zhdukje jetësh e pronash. Kjo nuk mund të presë” tha ajo. Duke iu drejtuar me pyetje Topallit, Leskaj tha se çfarë do sqarojë Këshilli mandateve këtu? “Faktet i keni sheshit që implikojnë deri Kryeministrin. Një Ushtarak I lartë dje ju ka hedhur fakte të reja kompromentuese që lidhen me vendime Qeverie e të Ministrisë së Mbrojtjes. Çfarë pritet  hetimin e bën prokuroria jo Kuvendi. Ne kërkojmë që kjo çështje të futet në kalendar dhe të mos bllokohet prokuroria për të zbardhur të vërtetën”, theksoi ajo

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative