Shumica miraton legalizimet pa ndryshuar asgjë në ligj. Opozita: Kundër pushtetit absolut të ALUIZNI-t, antikushtetues
Bufi: Maxhoranca, bëri përmirësim vetëm në dy- tre raste që nuk janë fare esenciale, ndërsa kompetencat kryesore të procesit i mbeten ALUIZNI-t. Ne mendojmë se ky është një deformim i kushtetutës
Tiranë- Ligji i legalizimeve është miratuar sërish vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk ka qenë dakord me ndryshimet e bëra në të pas kthimit pa dekretim nga presidenti i Republikës. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ALUIZNI po merr kompetencat e pushtetit lokal, çka bie në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas kryetarit të komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Ylli Bufi për sa kohë kompetencat e qeverisë vendore përmes këtij ndryshimi në ligj i kalojnë Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, opozita do të vazhdojë të kundërshtojë këtë ligj të padekretuar. “Maxhoranca, bëri përmirësim vetëm në dy- tre raste që nuk janë fare esenciale, ndërsa kompetencat kryesore të procesit i mbeten ALUIZNI-t. Ne mendojmë se ky është një deformim i kushtetutës”. Ai ka sqaruar gjithashtu se për sa i përket propozimeve të ish pronarëve, këto nuk janë marrë aspak parasysh nga ana e maxhorancës që dje vendosi me forcën e kartonëve që të dërgojë ligjin sërish në parlament, ku do t’i nënshtrohet votimit. Sipas kryetarit socialit të këtij komisioni parlamentar, e vetmja pikë që është përfshirë në ligj nga pretendimet e grupeve të interesit është vetëm një afat për njohjen e ndërtimeve pa leje. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi më 30 prill kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje". Pavarësisht kundërshtimeve edhe nga ana e opozitës si dhe një miratimi vetëm në dukje nga ana e maxhorancës për të përmirësuar pikat më të dobëta të këtij ligji pas mos dekretimit nga ana e kreut të shtetit, gjithçka përfundoi me disa ndryshime të vogla të cilat nuk ndikuan aspak në përmirësimin e thelbit. Përkundrazi, pikat më të kontestuara të këtij ligji nuk janë ndryshuar, që do të thotë se Agjencia e Legalizimit, në varësi të Këshillit të Ministrave do të ketë në dorë jo vetëm mbledhjen dhe hartimin e dokumentacionit, por edhe vënien në zbatim të ligjit. Marrja e kompetencave nga pushteti vendor është kundërshtuar që në fillim nga ana e opozitës, duke e cilësuar si antikushtetuese, por kjo nuk e ka penguar maxhorancën që të vendosë ALUIZNI-n si përgjegjëse të vetme për procesin. Vetë shumica pretendoi se do t’i jepte prioritet kthimit dhe kompensimit të pronave, përpara legalizimit të zonave informale, por edhe kjo pikë nuk u diskutua më pas miratimit të këtij ligji. Brenda datës 1 Gusht ALUIZNI i kalon listën e parë të pronarëve, Këshillit të Ministrave, i cili merr një vendim dhe brenda tre muajsh duhet të kryhet kompensimi për pronarët nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Dhe brenda këtij afati kohor ALUIZNI ka përgatitur të gjithë dokumentacionin që ndërtimet pa leje të pajisen me çertifikata. Të paktën siç thuhet në ligjin që dje i është kthyer sërish për miratim parlamentit. Opozita ka kërkuar që kompetencat t'i ketë pushteti vendor sepse një agjenci qeveritare nuk mund të marrë të gjitha kompetencat edhe ato të përgatitjes së dokumentacionit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve të marra.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj