Fondacioni Qemal Stafa tryezë “Zhvillimi Tregut te Punës në Sektorin Bujqësor”
Me këto ritme brenda 3 dekadash, Shqipëria s’do të ketë më asnjë centimetër tokë të punueshme
Tiranë- Në vazhdim të procesit të konsultimit “Me Dyer të Hapura” së bashku me ekspertë, analistë dhe profesionist të pavarur, Fondacioni “Qemal Stafa” organizoi tryezën me temë “Zhvillimi Tregut të Punës në Sektorin Bujqësor”. Gjatë hapjes së takimit, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri deklaroi: “Në vazhdim të procesit të konsultimit “Me Dyer të Hapura” sot do të diskutojmë një çështje specifike, por fatkeqësisht të harruar nga qeveria dhe politika, duke shkaktuar pasoja të rënda, dhe konkretisht do të diskutojmë Tregun e Punës në Sektorin Bujqësor.
Për një hyrje të shkurtër, sot më shumë se 50% e popullsisë jeton në fshat. Kjo masë e madhe njerëzish që jeton në fshat është e detyruar të punojë, ose të mos punojë po në këtë mjedis, por gjithsesi të sigurojë domosdoshmërisht jetesën në një mënyrë ose në një tjetër. Por në fakt çfarë ka ndodhur. Ligji 7501 që ka ndarë tokën sipas përbërjes familjare, pra hektarë për frymë, i ka konsideruar këta njerëz automatikisht të punësuar në sektorin bujqësor. Dhe kjo është bërë vetëm për shkak të evidencave, për të rregulluar bilancin buxhetor dhe fondin e pensioneve e sigurimeve shoqërore. Por e vërteta është tërësisht ndryshe”. Sipas tij shifrat zyrtare tregojnë një papunësi prej 50% në fshat (ndër të cilët mbi 50% janë të rinj). Natyrisht që janë më shumë. Mjafton ti referohemi disa shifrave të thjeshta do ta kuptojmë pse: Një qytetar shqiptar që jeton e punon në fshat me kapacitet të plotë siguron të ardhura që shkojnë mesatarisht 1700 Euro në Vit, ndërkohë që kolegu i tij në Bashkimin Evropian mesatarisht 26.000 Euro në Vit, ndërkohë që pa pretenduar shumë në krahasim, kolegu i tij në Maqedoni siguron të ardhura mesatarisht 6.800 Euro në vit. Gjithashtu, një familje në fshat ka mesatarisht 1.15 lopë, 7.21 bagëti dhe 7.81 shpendë. Mjaftojë këto shifra për të konstatuar sesa dekurajuese është sot të punosh në fshat. “Nga ana tjetër, në këto 18 vjet vetë toka bujqësore është zvogëluar me 280.000 hektarë ose e thënë ndryshe është zvogëluar sa 7 herë sipërfaqja e Tiranës, ose pothuajse 3 herë sipërfaqja e Myzeqesë, dhe kjo jo për shkak të zënies me ndërtime por sepse nuk ka leverdi të punohet. Pra, në qoftë se në vitin 1991 kishim 701.000 Ha tokë bujqësore, sot kemi 420.000 Ha, 280.000 Ha më pak”. Vetëm në këto vitet e fundit, toka bujqësore është zvogëluar me 20.000 Ha. Pra në qoftë se vazhdojmë me këto ritme, brenda afro 3 dekadash, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë centimetër tokë të punueshme.
Këto janë disa të dhëna alarmante por që shpjegojnë shumë thjeshtë se sa larg jemi nga minimumi që shteti duhet të garantojë për ata që sot jetojnë në fshat, e që janë më shumë se gjysma e popullsisë. Jo vetëm që janë të papunë, por nuk kanë as alternativa të tjera veçse të punojnë tokën, të rrisin bagëti ose të rrinë gjithë ditën kot. Ja pse lind nevoja që ky problem të adresohet në mënyrë imediate. Ja pse lind nevoja që kjo çështje të gjejë edhe një rregullim të detajuar në programin e ardhshëm të PS, rregullim që do të hartohet vetëm pasi të konsultohet me të gjithë ekspertët dhe grupet e interesit”. Gjithashtu në këtë takim e ka marrë fjalën edhe deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë Ermelinda Meksi e cila tha se ajo që na duhet është një vizion i ri i partisë për të hartuar dhe implementuar politika te reja punësimi dhe të kapërcimit të këtij handikapi të zgjeruar të një papunësie që është jashtë standardeve të politikave të çdo shteti modern.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj