Faqja e Pare | Politike | Bufi: Berisha dhe Ruli të ndalin urgjentisht largimin nga puna të specialistëve nga Armo dhe Albpetrol

Bufi: Berisha dhe Ruli të ndalin urgjentisht largimin nga puna të specialistëve nga Armo dhe Albpetrol

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë Ylli Bufi ka ngritur dje përpara mediave shqetësimin në lidhje me largimet që po bëhen specialistëve në kompaninë e naftës “ARMO”. Sipas tij pas reformës që u zhvillua në kompaninë “ARMO” këto ditë filloi njëkohësisht edhe largimi masiv i naftëtarëve të kompanisë së “ALBPETROL”-it

Tiranë- Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë Ylli Bufi ka ngritur dje përpara mediave shqetësimin në lidhje me largimet që po bëhen specialistëve në kompaninë e naftës “ARMO”. Sipas tij pas reformës që u zhvillua në kompaninë “ARMO” këto ditë filloi njëkohësisht edhe largimi masiv i naftëtarëve të kompanisë së “ALBPETROL”-it. “Dua të shpreh që në fillim faktin që ne si opozitë, por edhe unë si deputet i zonës nuk jemi kundra reformës së nevojshme që duhet kryer në këto kompani publike, por është tepër shqetësues fakt që reforma të tillë kryhen me kritere partiake dhe me militantë partiakë”, tha Bufi. Sipas tij është e papranueshme që reforma në kompani të tilla publike të kryhet me urdhra partiakë që duan të konsolidojnë një staf partiak të futur në punë pas vitit 2005, dhe të largojnë nga puna një numër të madh naftëtarësh me vjetërsi të madhe në punë. Ai u shpreh se ka patur kontakte në Patos me mjaft naftëtarë me eksperiencë 20 vjeçare apo dhe 30 vjeçare në punë, kur në këtë kompani mbahen dhe nuk largohen të gjithë militantët e Partisë Demokratike që janë futur në punë pas vitit 2005. “Unë dua t’i kërkoj drejtorisë së “ALBPETROL”-it, por jo vetëm kësaj drejtorie, por edhe ministrit Ruli dhe kryeministrit Berisha që të ndërpresin menjëherë largimin nga puna të naftëtarëve dhe të angazhohen për një reformë transparente. Ç’dua të them me reformë transparente? Dua të them që kriteret e largimit të naftëtarëve nga puna, duhet të vendosen nga strukturat e “ALBPETROL”-it në bashkëpunim me komisionet e punëtorëve të organizuara ndërmjet sindikatave dhe jo vetëm kriteret, por edhe listat e atyre që do të largohen nga puna të bëhen në bashkëpunim midis Administratës dhe komisioneve të punëtorëve”, tha ai. Më tej deputeti socialist vijoi se është e domosdoshme që për reforma të tilla me impakte të ndjeshme sociale të ketë një transparencë maksimale dhe të ketë një bashkëpunim midis Administratës dhe komisioneve të punëtorëve nëpërmjet sindikatave të tyre. “Pra edhe njëherë ritheksoj që i kërkoj ministrit Ruli dhe kryeministrit Berisha të ndërpresin menjëherë këtë proces të nisur së prapthi dhe të marrin menjëherë masa për transparencën e nevojshme dhe bashkëpunimin mes administratës dhe punonjësve të “ALBPETROL”-it”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

 

 

 

Punëtorët e ABPETROL protestë për shkurtimet

 

Patos - Punonjësit në sektorin e naftës të prekur nga reforma kanë vendosur të vazhdojnë protestat kundër pushimeve nga puna. Këtë herë protagonistët kanë qenë punonjësit e Prodhimit të Naftës në Patos nën varësinë e “ALBPETROL” të cilët kanë kërkuar sot rishikimin e listave dhe zbatimin e kritereve, në të kundërt ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë madje edhe me grevë urie pasi mbeten pa të ardhura minimale për familjet e tyre. Si zakonisht, punonjësit kanë shkuar për të nisur punën në orën 07:30 ku janë ndeshur me listat e afishuara me emrat e 418 personave që do pushoheshin nga puna. Një vendim i tillë ka irrituar punonjësit të cilët për afro 30 minuta kanë bllokuar aksin nacional Fier-Ballsh, duke paralizuar lëvizjen në aksin më të rëndësishëm që lidh jugun e vendit. Rruga është liruar vetëm me anë të ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilët sipas punonjësve kanë ushtruar dhunë, një deklaratë e cila është hedhur poshtë nga efektivat blu. ALBPETROL do të ketë plot 1100 punonjës që pritet të dalin në reformë këtë vit dhe kjo në kuadër të ristrukturimit dhe përgatitjes së kompanisë për privatizim.

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
1.00
Powered by ANA Creative