Faqja e Pare | Politike | Berisha premton sërish rritje pagash dhe pensionesh. Kompensimi nis pas dy muajsh, çmimet e rritura të ushqimeve që prej gati një viti

Berisha premton sërish rritje pagash dhe pensionesh. Kompensimi nis pas dy muajsh, çmimet e rritura të ushqimeve që prej gati një viti

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Kreu i qeverisë nuk ka sqaruar se mbi bazën e cilave përllogaritjeve do të bëhet kompensimi i rritjes së çmimeve përmes rritjes së pagave

 

Kreu i qeverisë nuk ka sqaruar se mbi bazën e cilave përllogaritjeve do të bëhet kompensimi i rritjes së çmimeve përmes rritjes së pagave dhe pensioneve dhe njëherësh sa do të jetë kjo rritje ndërkohë që inflacioni gjatë këtyre muajve ka qenë në nivel rekord 

Tiranë- Kryeministri Berisha ka premtuar kompensim të rritjes së çmimeve përmes rritjes së pensioneve dhe pagave që nga 1 korriku. Ashtu si edhe premtimet e tjera të bëra për rritje pagash dhe pensionesh, madje deri në dyfishim të tyre, ky mbetet thjesht një teori që duhet të presë edhe dy muaj më pas. Për më tepër që nuk mbulon rritjen e çmimeve e cila ka filluar prej disa kohësh, ndërsa kompensimi pritet të nisë vetëm nga korriku, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Ai i ka kërkuar mediave që të mos përhapin lajme të tilla si ai i mosrritjes së pagave dhe pensioneve, sepse ky nuk është i vërtetë. Megjithatë kreu i qeverisë nuk ka sqaruar se mbi bazën e cilave përllogaritjeve do të bëhet kompensimi i rritjes së çmimeve përmes rritjes së pagave dhe pensioneve dhe njëherësh sa do të jetë kjo rritje. Jo shumë kohë më parë, vetë Berisha deklaroi se me rritjen më të fundit të të ardhurave, qeveria kishte marrë parasysh edhe inflacionin e rritur në një nivel rekord në Shqipëri, por edhe rritjen e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve. Ndërsa dje është shprehur se qeveria ka programuar rritje që nga 1 korriku për të kompensuar pensionistët dhe buxhetorët. Në vend të llogaritjeve për të arsyetuar vendimin e marrë nga qeveria dhe për të shprehur vërtetësinë e tij, Berisha ka mbajtur një fjalim pa lidhje me të ardhurat, gjendjen e vështirë ekonomike të familjeve shqiptare dhe mundësitë përditë e më të pakta për të përballuar jetesën e shtrenjtë. Në kushtet kur as rritja e të ardhurave, sipas premtimit më të fundit të qeverisë, jo vetëm që nuk e përfshin këtë rritje të inflacionit, por nuk mbulon aspak rritjen e përditshme të çmimeve, problemet për familjet shqiptare do të vijnë duke u shtuar. Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë që prej disa muajsh, artikujt ushqimorë kushtojnë më shtrenjtë, po kështu edhe nafta si dhe shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarët. Kjo vendos përpara vështirësive jo vetëm pensionistët, të ardhurat e të cilëve janë të pamjaftueshme edhe pas rritjes qesharake që u bë nga qeveria pak kohë më parë, por edhe familjet që kanë pak më tepër të ardhura nuk e kanë të lehtë të përballojnë shpenzimet e muajit. Rritja e fundit për pagën minimale jo vetëm që nuk është efektive përballë rritjes së përditshme të çmimeve, por ajo rezulton të jetë madje edhe e pazbatuar pasi drejtuesit e sipërmarrjeve pretendojnë se pagesa e punëtorëve bëhet në bazë të normës që ata realizojnë, ndërsa duke i paguar me pagën e re të miratuar nga qeveria ata dalin me humbje. Frutat dhe perimet vazhdojnë të shënojnë rekord në çmime edhe për faktin se ato vijnë nga importi dhe ky shërben edhe si një justifikim i mirë për tregtarët për të vendosur çmime abuzive. Ndërsa prodhimi bujqësor vendas në shumicën e rasteve përfundon i kalbur dhe i groposur tamam në tokën ku është prodhuar, pasi nuk arrin dot të shkojë në tregjet më të afërta. Kjo do të thotë se edhe për një vit tjetër, qytetarët do të mashtrohen nga kryeministri Berisha për një mbrojtje nga rritja e çmimeve përmes kompensimit deri më tani të premtuar, por me siguri të pamjaftueshëm për kategoritë që deri më tani i janë nënshtruar vetëm indiferencës së qeverisë dhe jetës së papërballueshme për shkak të çmimeve të shtrenjta.  

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative