Rama: Europa është një realitet që duhet dhe do ta ndërtojmë në vendin tonë
Fondacioni "Qemal Stafa" në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike ka nisur dje një program intensiv të trajnimeve dhe debateve publike me qëllim zgjerimin e kapaciteteve politike
Fondacioni "Qemal Stafa" në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike ka nisur dje një program intensiv të trajnimeve dhe debateve publike me qëllim zgjerimin e kapaciteteve politike të të rinjve dhe nxitjen e aktivizimin e tyre në politikë duke krijuar gjeneratën e Liderëve të së Ardhmes. Në nisje të këtyre debateve me të rinj ka qenë dhe
Kryetari i PSSH Edi Rama. Këto debate kanë nisur në një prej universiteteve private në Kryeqytet "Marin Barleti". Gjatë bashkëbisedimit në këtë Universitet Rama u shpreh se politika duhet të jetë një mjet në duart e qytetarëve por për të bërë të mundur këtë vetëdije të PSSH duhet që vetë qytetarët të mos jenë indiferentë. Kjo në mënyrë që ata që zgjidhen përmes votës të jenë të vetëdijshëm për mandatin e marrë:
“Bëri debat një fjalë që unë thashë përpara disa kohësh, që unë nuk jam politikan dhe sigurisht që debati lidhej me një të kuptuar të politikës, që nuk është i kuptuari im i politikës. Po, kjo është e vërtetë, unë nuk jam politikan. Jam një qytetar, që asnjëherë nuk kam patur aftësinë që të rri rehat, gjithmonë kam qenë i nxitur së brendshmi që të mos rri rehat, lidhur me cilësinë e jetës shoqërore, të mos rri rehat kur isha në moshën tuaj, në atë kohë ishte e pamundur të mos kërkoje rrugë për të zgjeruar dijet dhe fushën e informacionit që ishte shumë e kufizuar."Duke bashkëbiseduar me studentët e këtij Universiteti për rëndësinë e angazhimit në politikë Rama u bëri thirrje për të mos qëndruar indiferentë apo refuzues përballë politikës,sepse në të kundërt nuk do
të kemi rezultatet e kërkuara dhe që i presim prej 17 vjetësh: "Asgjë nuk lëviz në drejtimin e duhur për të rejat dhe të rinjtë e sotëm të këtij vendi, në rast se të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi nuk bëjnë dicka, secili në vetvete për t'i bërë gjërat të lëvizin në
drejtimin e duhur. Pasi delegimi i fatit tek cilido qoftë është absolutisht një aventurë, që mund të ketë një fund aspak të dëshiruar. Është një aventurë që nuk mund t'ia lejoj vetes një njeri i përgjegjshëm për fatin e tij, dhe është një aventurë e cila mund të
krijojë pasoja shumë të mëdha."Ju si studentë, po më thoni se studioni për Shkenca Politike. Nesër, nëqoftëse nuk bëni ndërkohë edhe një përpjekje që të ketë vend edhe
për ju, sepse nëse shkenca politike do të jetë ajo shkenca e 17 vjetëve luftë, kush jam unë e kush jam ti, s'ka nevojë për të bërë shkollë fare. Nga ajo kush jam unë e dhe kush je ti, nuk ka se çfarë dalë tjetër, përveç këtyre problemeve që flasim, sepse ka disa që e
konsiderojnë për fyerje nëse merresh dhe ngre problemet e prodhimeve bujqësore. Por politika, çfarë është vet? Ajo është instrument për të ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e jetës tënde dhe jetës së njerëzve rreth e rrotull. Dua të rinënvizoj, se duhet ndryshuar
përqasja për sa i takon votës, e cila mund të shkoj dëm, nëse njerëzit do të kthejnë kurrizin. Si do të bëjmë të mundur, që ata për të cilët do të votojmë, të jenë sa më shumë të vetëdijshëm që pa ne, nuk janë as ata dhe kjo është ajo që bëjnë moshatarët tuaj në të gjitha vendet në funksionojnë demokracitë e mirëfillta. I keni parë fushatat në Amerikë? Pse, çfarë i shtyn ata qindra mijëra të rinj e të reja, që pa asnjë pagesë, pa patur asnjë njohje personale me Obamën apo Klinton, apo me këdo qoftë, të bëhen bashkë? Ata i shtyn nga njëra anë kjo vetëdije, që sa më shumë të jemi, aq më shumë mund të ndikojmë që të fitojë ai ose ajo që është më pranë asaj që mendojmë. Nga ana tjetër,
sa më shumë të jemi, ai ose ajo që do të fitojë të na ketë parasysh, sepse jemi ne forca.
Duke u shpjeguar të rinjve idetë për idetë e tij Rama u ndal në thirrjen për një bashkim përtej të majtës e të djathtës duke nënvizuar: "Përtej të majtës dhe të djathtës, do të thotë jo që të mos ketë të majtë e të djathtë, por do të thotë që në Shqipëri njerëzit të mos
ndahen majtas e djathtas për arsye të gjyshit, ku gjyshi im ka qenë i persekutuar dhe unë me këta s'kam punë fare, pavarësisht se këta mund të kenë programin, ekipin dhe drejtuesin më të mirë. Unë prapë do të votoj për këta të tjerët, sepse këta thonë që rrjedhin nga rruga kur ra gjyshi im, apo e kanë thënë një herë unë, votën gjithmonë do t'ia
jap këtyre dhe këta mund të më hipin në qafë dhe unë prapë do t'i mbaj. Jo mos të ndahen kështu. Kjo ka treguar që nuk funksionon dhe është arsyeja pse gjërat në Shqipëri janë kështu. Duke iu përgjigjur interesit të pjesëmarrësve në këtë debat lideri i forcës më të madhe opozitare Edi Rama theksoi se Europa është një realitet që duhet dhe do ta ndërtojmë në vendin tonë: "Kjo është një tjetër çështje ku kam një përqasje ndryshe, sepse sipas meje, problemi nuk është burokratik, procedura, negociata. Problemi
është jetik, d.m.th si ta ndërtojmë Europën në Shqipëri?! Kjo është Europa, si të kemi spitalet, shkollat, çerdhet, kopshtet, shërbimet, si në Europë?! Pa dyshim, duke qenë pjesë e strukturave evropiane. Mendoj se çdo gjë varet nga ne. Bindja ime është se mund të kishim qenë më shumë pranë, madje edhe brenda nëse do ta kishim administruar
ndryshe tranzicionin. Nëse do të kishim patur fuqinë për të menduar dhe për të vepruar në funksion të një ekuilibri mes kërkesës së papërmbajtur individuale dhe forcës vetëpërmbajtëse të shtetit. Kjo nuk ndodhi! Ekuilibrat u prishën dhe shumë nga gjërat që kemi patur, nuk i kemi. Çfarë do të thotë të shkosh në Europë? Do të thotë që t'i japësh
mundësi njerëzve që jetojnë këtu, që të ndihen pjesë e Europës në të gjitha kuptimet. Do të thotë të ndërtosh Europën në shtëpinë tënde. Në këtë vetëdije për të cilën po flas, që është themeli i politikës, një politikë që qëndron mbi këtë themel, është krejt tjetër nga politika që qëndron mbi themelin e epsheve individuale për pushtet të një grushti njerëzish. Në një studim shumë serioz të bërë për vendet e varfra, arsyeja themelore e varfërisë, e mungesës së zhvillimit dhe e rënies në rrethin vicioz të pamundësive është konfliktualiteti i elitës politike. Vendet e varfra kanë këtë karakteristikë, elita politike është shumë konfliktuale dhe nëse elita ka konfilktualitet të tillë, ku pushteti konsiderohet si mjet për të asfiksuar gjithë të tjerët, nuk ndërtohet dot shtet, sepse nuk mund të ketë dot një dorë, që rregullon të gjitha zhvillimet e dëmshme dhe në këtë kuptim të
gjitha gjërat kthehen po aty.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj