Faqja e Pare | Opinion | Uoren Miller: Shqipëria, një vend që përqafon pluralizmin kulturor

Uoren Miller: Shqipëria, një vend që përqafon pluralizmin kulturor

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Ëarren Miller, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit thotë se me mbrojtjen që u bëri hebrenjve

 

Uoren Miller: Shqipëria, një vend që përqafon pluralizmin kulturor

Ëarren Miller, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit thotë se me mbrojtjen që u bëri hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria tregoi se është një vend që përqafon pluralizmin kulturor. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Miller tha se bota ka shumë për të mësuar nga tradita shqiptare që e trajton fqinjin si vëlla. Amerikanëve u bën shumë përshtypje fakti që pothuajse asnjë hebre në Shqipëri nuk ra në dorë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu në Uashington, ata politikanë ose personalitete të tjera që e njohin këtë fakt interesant, e vlerësojnë atë si një akt dinjitoz dhe fisnik.

Një prej këtyre zyrtarëve është Ëarren Miller, i cili kryeson Komisionin për Mbrojtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit.

"Shqipëria ka një histori të gjatë laiciteti, një histori të gjatë tolerance kulturore dhe fetare. Mendoj se kjo pati rëndësi kritike që i bëri shqiptarët të dëshirojnë të mbrojnë qytetarët hebrenj si dhe ata që erdhën nga vende të tjera e që kërkonin strehë."

Zoti Miller, avokat në Uashington, punon pa pagesë si kryetar i Komisionit të Trashëgimisë. Familja e tij me origjinë hebraike nuk pati asnjë anëtar të përndjekur apo të vrarë nga nazistët dhe zoti Miller thotë se e bën këtë punë pasi ndjen thellë në shpirt keqardhjen për ata që u shfarosën në kampet e vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zoti Miller thotë se intrigohet mjaft nga një fakt që lidhet me shqiptarët:

"Në Shqipëri, ekziston një kod i veçantë nderi që quhet Besa. Kjo më duket diçka vërtet historike, pra mënyra se si ata i mbrojtën këta hebrenj që kërkonin strehë. Pothuajse askush tjetër në Evropë nuk u ngrit në nivelin e shqiptarëve në këtë pikëpamje. Danezët bënë një punë të madhe dhe heroike për shpëtimin e shumicës së hebrenjve të tyre, pati gjithashtu disa raste të tjera të izoluara por Shqipëria ishte një rast mjaft i veçantë. Ajo meriton lavdërime dhe falenderime."

Zoti Miller vizitoi Shqipërinë në muajin janar dhe iu dha rasti të mbajë një fjalim në parlamentin e vendit.

Histori të ndryshme për shqiptarët që shpëtuan hebrenj do t’i bënin atij përshtypje të madhe. Një episod flet se si familjet shqiptare “grindeshin” me njëra tjetrën që kush e kush të kishte nderin të shpëtonte hebrenj. Një rast tjetër është ai i shqiptarit në një zonë të thellë, i cili ecte disa kilometra në ditë për t'u çuar ushqime hebrenjve që kishte strehuar.

"Pati vetëm një familje, familja Arditi nga Shkodra, e cila nuk kërkoi mbrojtje, madje më kanë thënë se e refuzoi strehimin pasi mendoi se do të ishte e sigurt. Ata u arrestuan, u dërguan në Prishtinë dhe prej tyre nuk u dëgjua më. Ne e dimë këtë nga të afërm që ata kanë në Izrael. Përveç kësaj familje në Shqipëri, nuk pati hebrenj të tjerë që humbën jetën. Pati natyrisht në Kosovë, por kjo është një çështje krejt tjetër."

Në Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Miller, ata njerëz të cilët merren me edukimin rreth Holokaustit, dhe kanë njohuri për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, e njohin historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, por publiku i gjerë ende nuk di për Shqipërinë dhe përpjekjet që bënë shqiptarët gjatë Luftës për mbrojtjen e hebrenjve.

"Bullgaria shpëtoi gjithashtu hebrenjtë e saj gjatë Holokaustit por ata u bënë bashkëfajtorë sepse organizuan transportimin e tyre nga Traka dhe Maqedonia - rreth 11 mijë prej tyre - të cilët u vranë. Ndërsa në Shqipëri, heroizmi që u tregua ishte i plotë. "

Shqipëria, thotë zoti Miller, ishte një rast i veçantë - një vend kryesisht mysliman i cili ka një sistem vlerash dhe dëshiron të përqafojë pluralizmin kulturor, gjë që nuk ekziston në shumë vende të tjera myslimane.

"Me zhvillimin dhe begatimin e Shqipërisë, ajo do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë dhe njerëz të cilët do të duan të mësojnë se ç’është kjo formulë magjike që i bën të bashkëjetojnë njerëzit e feve të ndryshme, diçka që nuk u imponohet nga qeveria por që vjen natyrshëm, siç është trajtimi i fqinjit si vëlla. Bota ka shumë për të mësuar nga Shqipëria."

Një shqiptar në serialet gjermane

Shqiptari Albin Keune, djali i këngëtares së njohur Alida Hisku, (i larguar nga Shqipëria në moshën 5 vjeçare) është shfaqur në televizionin TV Sat 1 në Gjermani në 29 prill, në serialin "Lenzeri dhe partnerët". Një përvojë e "shijuar" edhe më parë nga artisti i ri, që ka provuar edhe këngën.

Së fundmi, është bërë pjesë e një seriali gjerman të quajtur "Lenzeri dhe partnerët". Shqiptari Albin Keune, djali i këngëtares së njohur Alida Hisku, (i larguar nga Shqipëria në moshën 5 vjeçare) është shfaqur në televizionin TV Sat 1 në Gjermani në 29 prill. Një përvojë e "shijuar" edhe më parë nga djali Hisku, në fakt këtu artisti i ri që ka provuar edhe këngën, shfaqet në një format tjetër.

Para këtij roli, Hisku-Keune ka interpretuar edhe në një tjetër serial gjerman, "Avokati Alexander Hold". I gjithë filmi luhet në një sallë gjyqi dhe është i bazuar vetëm në një ngjarje reale. Roli i parë i tij ka qenë në një serial televiziv, i cili u shfaq me 28 tetor 2007, në televizionet gjermane. "Proces i shkurtër" i regjisorit Ron Lubrich nën serinë e K11 të programit Sat, sjell Hiskun në rolin e një djali të një pasaniku të madh. Një djalosh "i përkëdhelur" që merrte drogë dhe që në gjendje të pavetëdijshme arrin të vrasë një vajzë studente.

Fill pas filmit të dytë, Albini pati përsëri një propozim po nga një regjisor filmi televiziv.

Si një nën seri e telenovelës së "Avokati Alexander Hold", "Dreqi dhe gruaja e tij" e autores Lipke Nicole, filmi tregon për një ngjarje e bazuar në ndodhi reale të marra nga gjykatat qendrore të qyteteve të ndryshme në Gjermani. Një prodhim me seri të ndryshme filmi, duke pasqyruar punën e madhe të gjykatësve për ndjekjen e penaliteteve kriminalistike. Në këtë serial Hisku "shfaqet" si një i ri i quajtur Luz, i akuzuar se ka vrarë të dashurën e tij. Gjatë procesit gjyqësor dhe nëpërmjet dëshmitarëve, vërtetohet në fakt se këtë vrasje e ka bërë burri i saj.

Dëshironte të provonte veten në fushën e kinemasë, ndaj kërkoi në internet dhe gjeti adresën e një agjencie kinematografike. Aty paraqiti një biografi të vetën dhe disa foto. "Më ftuan në studio në një qytet tjetër për t’u paraqitur dhe aty m’u desh të luaja shumë pjesë të ndryshme rolesh. Të gjitha këto pjesë u filmuan atë ditë. Mbas dy javësh më njoftuan me telefon që të paraqitesha edhe një herë dhe aty", tregon në një intervistë Albin Hisku, i cili menjëherë pas kësaj nënshkroi një kontratë pune për këtë agjenci në këtë kanal të TV.Sat 1. Pas kësaj filluan edhe rolet njëri pas tjetrit. Që nga roli i kriminelit, ai i psikopatit e kështu me radhë. Një shans që e kërkoi vetë e që bën që shqiptari Hisku ta ndjejë veten të barabartë me çdo gjerman e herë-herë edhe të përkrahur nga fati.

Sandro Boticelli, piktori i Lindjes së Venerës

TIRANE- Në maj të vitit 1510 ndërroi jetë një nga piktorët më të mëdhenj fiorentinas i gjysmës së dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, Sandro Boticelli. Një nga pikturat e tij më të famshme, "Lindja e Venerës", paraqet jo një legjendë kristiane, por një mit klasik. Kur italianët u përpoqën me aq zjarr të rifitojnë lavdinë e dikurshme të Romës, mitet klasike u përhapën dhe u bënë vërtet popullore. Për italianët historia e lindjes së Venerës ishte simbol i së fshehtës, me anë të së cilës mesazhi hyjnor i bukurisë kishte ardhur në këtë botë. Piktura e Boticellit formon një tablo harmonike të përsosur në këtë drejtim. Figurat e tij janë pak solide dhe të vizatuara jo me shumë saktësi, por Venera e Boticellit është aq e bukur saqë nuk e vëmë re gjatësinë e panatyrshme të qafës dhe mënyrën e pasigurt me të cilën krahu i majtë është mbështetur në trup. Një vepër tjetër e Sandro Boticellit është "Pranvera", në të cilën shprehet qarte ai funksion i artit për t'i shtuar diçka bukurisë dhe hijeshisë së jetës. Kjo pikturë mishëron shpirtin e Rilindjes italiane, por dhe më gjerë.

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
5.00
Powered by ANA Creative