Kriza e rëndë institucionale
Nga data 12 maj deri në 5 qershor, propozimet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë u bllokuan në mënyrë antikushtetuese. Kriza institucionale që ju dhe mazhoranca juaj keni krijuar është më e rënda për një shtet. Abuzimi
Nga Arben Malaj
Nga data 12 maj deri në 5 qershor, propozimet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë u bllokuan në mënyrë antikushtetuese. Kriza institucionale që ju dhe mazhoranca juaj keni krijuar është më e rënda për një shtet. Abuzimi personal i Kryetares së Kuvendit u bë i plotë edhe në seancën e të hënës, kur nuk u përfshinë as në kalendar dhe as në programin e punimeve të parlamentit deri me 15 korrik. Kemi arritur në momentin kur Gjykata e Lartë e vendit tonë nuk ka kryetar dhe 7 anëtarë, ndoshta shpresoni që pjesa tjetër të punojë me kontribut vullnetar.
Kriza juaj personale me mangësi të theksuara të një ligjvënësi apo lideri politik po shndërrohet në krizë të një vendi dhe ky është kontributi më i keq që ju i bëni vendit tuaj dhe mazhorancës tuaj. Ndoshta, ky është keqshpërdorimi më i madh që ju me vetdëshirë apo pjesë e prapaskenave politike të maxhorancës suaj po bëheni viktimë e kësaj krize kushtetuese. Disa kolegë tuaj po lodhen për të thënë që opozita me mocionin e saj synon kryeministrin dhe jo pikërisht ju.
Jo, në cdo vend kryeministri mund të vazhdojë mandatin edhe kur nuk e do opozita, apo opozita nuk ka votat e nevojshme për t’i kërkuar votbesim. Por, në një demokraci moderne, Kryetari parlamentit në asnjë rast nuk duhet të vazhdojë mandatin, në qoftë se ai ndodhet, siç jeni ndodhur ju, përballë kërkesës së të gjithë deputetëve të opozitës për shkarkimin tuaj. Këtë ata e kërkojnë për të tretën herë. Ju do te mbeteni në historinë e parlamentit shqiptar si e vetmja kryetare me kaq shumë kriza, me kaq shumë cinizëm dhe me kaq shumë brutalitet.
Zonja kryetare keni mbritur në momentin kur një forum i tërë politik, të rinj e të reja të bllokojnë derën e Kuvendit duke kërkuar që ju të shpalleni kryeprokurore, bile propozojnë të bëheni Ministre e Brendshme, drafte që qarkullojnë në maxhorancën tuaj, duke pasur në vartësi politike dhe administrative edhe Prokurorinë e Përgjithshme. Zonja kryetare, nga ish të përndjekurit politikë realë, e ka drejtuar këtë Kuvend edhe i ndjeri Pjetër Arbnori, por me shumë dëshirë për t’i zbutur tensionet politike shqiptare, me angazhimin personal për më shumë paqe dhe harmoni. Ndoshta, ju e braktisët atë në ditët e fundit të jetës së tij, pasi kishit braktisur më parë këtë mision të çdo politikani shqiptar.
Është e pabesueshme për këdo nga ne që pikërisht ju, pas një përvoje të gjatë parlamentare të tentoni të drejtoni parlamentin duke e zevëndësuar argumementin me cinizmin, duke e zevëndësuar etikën dhe dashamirësinë me brutalitetin, duke zevëndësuar funksionimin ligjor të shtetit me tiraninë tuaj. Edhe kërcënimi që bëni se dinë shumë për deputetët, ndaj atyre që ju kanë votuar apo jo, është pikërisht mentalitet diktatorial.
Ky qëndrim i juaj, kjo këmbëngulje për të shkelur Kushtetutën dhe institucionet kushtetuese shqiptare, është investimi më i keq jo vetëm personal, është investim i keq publik për kolegët tuaja femra që meritojnë më shumë akses në jetën politike, akademike dhe shoqërore shqiptare, është investim i keq publik për qytetarët e Shkodrës të cilët në opinionin publik shqiptar, ku përfshihem edhe unë me vetdeshirë, vlerësohen për civilizimin, mençurinë dhe humorin e tyre. Zonja kryetare, duhet të kuptoni se ky nuk është debat midis dy individëve, është debat midis dy mentaliteteve si fuksionon shteti ligjor. Rreth 300 vjet më parë një nga themeluesit e SHBA-së moderne theksonte: Në qoftë se qeveria ka frikë nga populli kjo është demokraci, në qoftë se populli ka frikë nga qeveria kjo është tirani. Pra në qoftë se edhe të zgjedhurit e popullit kanë frikë nga maxhorana ku përfshihet edhe Kryetaria e parlamentit, kjo është tirani.
Kam dëgjuar shumë kolegë deputetë që kanë frikë të vijnë në seancë, kanë frikë nga cinizmi juaj, kanë frikë nga brutaliteti juaj partiak, kanë frikë nga tirania juaj ndaj tyre personalisht, por sidomos nga tirania juaj ndaj institucioneve dhe demokracisë së vendit të tyre.
* Diskutim i deputetit Arben Malaj dje në Kuvendin e Shqipërisë
Rritja e çmimeve shton vështirësitë për familjet
Tirane - Sipas Institutit të Statistikave, çmimet e ushqimeve në Shqipëri vitin e fundit janë rritur me 7 për qind. Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit të përditshëm ka sjellë vështirësi të shumta për mijëra familje shqiptare në përballimin e jetesës së përditshme. Në muajt e fundit nga tryeza e familjeve shqiptare janë hequr jo pak asortimente. Kryeministri shqiptar Sali Berisha, ka premtuar një rritje pagash, pensionesh dhe të ndihmës ekonomike, që do të fillojë nga 1 korriku i këtij viti për të indeksuar rritjen e çmimeve. Dr. i Shkencave Ekonomike, Gjergji Filipi, i Institutit Axhenda në Tiranë thotë se duhen politika të ndërhyrjes strukturore në treg për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve. Ai thotë se indeksimi i pagave krijon një rreth vicioz që çon gjithnjë në rritje të çmimeve. Korrespondenti i BBC-së në Tiranë Fatos Ahmati bisedoi me zotin Filipi.
BBC: Kohët e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e ushqimeve, por edhe produkteve të tjera. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, rritja e çmimit të ushqimeve është mbi 7 për qind në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Sa mendoni se ka ndikuar kjo rritje në buxhetet e familjeve shqiptare?
Po, sipas Institutit të Statistikave patëm një rillogaritje të shportës së konsumit drejt fundit të vitit të kaluar dhe që nga janari 2008, shporta e konsumit të një familjeje shqiptare me konsum mesatar, shpenzon rreth 40 për qind të buxhetit mujor për ushqime dhe pije jo alkolike. Aktualisht kjo shifër tenton të gjejë një mesatare të artë midis konsumit qytetar dhe atij rural, midis konsumit të familjeve me buxhet të lartë dhe familjeve me buxhet të cunguar, etj. Në llogaritjen e kësaj shifre mendoj se ka një diapazon të munguar në kontekstin e vet konsumit të familjave rurale, të produkteve ushqimore, gjithsesi rreth 40 për qind e buxhetit mujor përbën pothuajse gjysmën, sikur këto përllogaritje të ishin të sakta, dhe kjo shkon në një rritje prej më shumë se 7 për qind e këtij grupi produktesh dhe automatikisht influencon në rënien e fuqisë blerëse të një familje mesatare shqiptare.
BBC: Nëse flasim me shifra absolute, sa familje shqiptare janë cënuar nga kjo rritje?
Të gjitha familjet shqiptare cënohen nga kjo rritje, nuk ka familje shqiptare që nuk konsumon për ushqim dhe praktikisht nëse tek familjet e varfëra konsumi për ushqim është vendimtar, në rastin e familjeve të tjera konsumi për ushqim i rritur në vlerën monetare, tregon më pak kursime. Efektet në ekonominë shqiptare janë për të gjitha llojet e familjeve.
BBC: Sipas të dhënave që ju keni, cilat zona të vendit janë goditur nga kjo valë e rritjes së çmimeve në Shqipëri?
Praktikisht goditen më shumë qendrat urbane nga rritja e çmimeve të produkteve bujqësore. Zonat rurale kanë një vetfurnizim me produkte bujqësore në radhë të parë dhë në radhë të dytë, produktet bujqësore të importit nuk arrijnë në zonat rurale për shkak të konkurencës së fortë aty me anë të produkteve autoktone. Mendoj që më shtrenjt duhet ti blejë Tirana dhe pastaj me radhë qytetet sipas kapaciteteve dhe fuqisë blerëse.
BBC: Pas deklaratës së zotit Berisha për indeksimin e çmimeve, a jemi në kohë për të përballuar ndikimin e rritjes së çmimeve tek popullata?
Në kohë jemi. Qeveria është e justifikuar që këtë rritje ta bëjë në korrik, e ka bërë gjithmonë në këtë periudhë. Zakonisht ndërhyrja e formës së kompensimit duke indeksuar të ardhurat bëhet e tillë maximumi një apo dy herë në vit, për rrjedhojë edhe ky reagim është i justifikueshëm nga pikëpamja politike, ndonëse unë kam rezervat e mija jo në lidhje me indeksimin e pagave më shumë se sa me ndërhyrjet e nevojshme strukturore në treg për të eleminuar rritjen e mëtejshme sepse nuk mund të vazhdohet në formë ciklike që tregu rrit çmimet dhe ne kompensojmë pagat e buxhetorëve në mënyrë që të kompensojmë konsumin dhe vazhdon kjo punë.
BBC: Nëse shikojmë rritmet e rritjes së çmimeve konstatojmë se ato rriten mesatarisht 3 për qind çdo muaj, ndërkohë që reagimi i qeverisë me mekanizmat e saj për rrijten e pagave, pensioneve apo edhe ndihmës ekonomike, kuptohet që për shkaqe objektive nuk mund të jetë i tillë. çfarë do të sugjeronit ju për të përballuar situatën?
Absolutisht situata nuk përballohet vetëm me kompensim, situata përballohet duke kuptuar se kush janë shkaqet e kësaj rritje, si të mundësojmë që kjo rritje mos të vijë drejtpërsëdrejti tek konsumatori shqiptar. Qeveria shqiptare nuk ndjek opsionet e politikave të rregullimit, për të eleminuar të paktën rritjen e çmimit të karburanteve i cili është një dozë e tillë çmimi që futet pak a shumë në strukturën e kostove të shumicës dhe produkteve që hyjnë në treg, përtej atyre bujqësore. Në këtë kontekst qeveria merr vetëm nga TVSH e karburanteve më shumë të ardhura tani që është rritur çmimi dhe kjo mund ti lejojë pa i cënuar burimet buxhetore, të uli nivelin e akcizës, apo nivelin e taksave të tjera në mënyrë që të amortizohet çmimi i karburantit i cili vjen te konsumatori. Mos të harrojmë që në rajonin që na rrethon në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburantit.
BBC: Nëse shikojmë rritmet e rritjes së çmimeve dhe zhvillimet e ekonomisë botërore, si e parashikoni situatën?
Situata është e zymtë për gjithë globin, por mund të jetë optimiste për Shqipërinë, të paktën në afat mesëm nëse ne reagojmë me mençuri. Praktikisht, Shqipëria është një vend me burime gjeografike dhe klimaterike perfekte për të mbuluar konsumin vendas me produkte ushqimore. Ka nevojë automatikisht për politika mbështetëse. Mos harrojmë që bujqësia është një degë e ekonomisë e cila njeh kryesisht ekonomitë e shkallës, që do të thotë sa më shumë tokë të kenë në dispozicion bujqit aq më e lirë del kostoja e produktit apo sa më shumë bujq të bëhen bashkë për të përdorur mekanizma të përbashkëta, aq më e lirë del kostoja, etj. Kjo është e penguar kryesisht nga reforma e pronës, një reformë që e ka lënë gjithë ekonominë e Shqipërisë në impass. Me zgjidhjen e këtij impass dhe politika mbështetëse të agrikulturës shqiptare, absolutisht unë mendoj se në dallim nga vendet e tjera ne mund ta amortizojmë më butë se të gjithë këtë krizë.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj