Faqja e Pare | Kronike | Arsimi në Qarkun e Kukësit po paguan haraçet e politikës

Arsimi në Qarkun e Kukësit po paguan haraçet e politikës

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Është një fjalë e urtë që thotë: ”Çfarë do mbjellësh, do të korrësh”. Në fakt sistemi i edukimit e shkollimit të brezave që në të ardhmen do të kenë në duart e tyre të gjitha fatet e vendit

 

Nga Asllan Dogjani, sekretar rajonal i PS në Kukës  

Është një fjalë e urtë që thotë: ”Çfarë do mbjellësh, do të korrësh”. Në fakt sistemi i edukimit e shkollimit të brezave që në të ardhmen do të kenë në duart e tyre të gjitha fatet e vendit, është nën influencën e një sëmundjeje të përgjithshme. Por sëmundja e të njëjtit sistem, në zonën verilindore të vendit, është me përmasa katastrofike vetëm e vetëm për shkak të përfitimit momental politik. Thënë me pak fjalë emërimet politike të Partisë Demokratike në arsim kanë goditur edhe atje ku të gjithëve do u duket e dhimbshme, - te edukimi i fëmijëve, te shkollimi i tyre. Pasi për të hapur një vend pune për një militant partiak është hedhur në punë edhe mësuesi me 30 vite përvojë. Ndërsa njeriu që e ka zëvendësuar, në shumë raste rezulton me shkollë të mesme dhe pothuaj në të shumtën e rasteve pa asnjë lidhje me profesionin e mësimdhënies. Në qarkun e Kukësit, përfshirë Hasin e Tropojën, shembuj të tillë janë të shumtë dhe kuptohet që haraçi në të këto raste paguhet nga nxënësit që në rastin më të mirë vihen përballë diletantëve të mësimdhënies.

Shembuj: “Në komunën Arrën ka 12 arsimtarë, të gjithë me arsim të mesëm, vetëm 3 me arsim përkatës. Nga këta 9 mësues janë kryesisht të profilit bujqësor, ndërsa 3 prej tyre ende nuk e kanë përfunduar arsimin e mesëm. Këta i kanë zënë vendin mësuesve me vjetërsi dhe eksperiencë deri në 30 vite në arsim, siç është rasti i mësuesit Arif Doçi, me 37 vjet eksperiencë. Militantizmi nga ana tjetër nuk e ka ndaluar një agronom në fshatin Skavicë që të japë mësim në shkollën e mesme. Ka dyshime se mund të ketë edhe drejtorë shkollash që janë me shkollë të mesme, pasi të lartën e kanë falsifikuar. Kjo politikë katastrofike arsimore ka prodhuar shifrën që thotë se aktualisht në qarkun e Kukësit 50% e mësuesve janë pa arsim përkatës”.

Por e keqja më e madhe është akti i falsifikimi të gjithçkaje . Kjo masë laramane drejtuesish të arsimit me qëllim që t’i sigurojë të drejtë vetes për të jetuar sa më gjatë, duket falsifikimin e të dhënave e ka gjetur si zgjidhjen më të lehtë. Kështu, veç diplomave të falsifikuara të mësuesve militantë, falsifikohet edhe pjesëmarrja në mësim, apo braktisja e shkollës nga nxënësit. Vetë mësuesit thonë se shifrat që jep Drejtoria Arsimore e Kukësit për braktisjen nuk janë të sakta dhe se ajo është shumë pranë shifrës prej 50 për qind të nxënësve. Njëkohësisht me largimin politik të mësuesve profesionistë dhe të vjetër në këtë zanat, në të gjithë zonën janë duke dhënë shpirt edhe vlerat e krijuara me mund për dekada me radhë. Janë ato vlera që arsimi nuk i humbi edhe pas ndërrimit të sistemeve në fillim të viteve 1990, kur falë punës së këtyre mësuesve profesionistë, që tashmë janë hedhur në rrugë, janë fabrikuar në numër pafund intelektualësh, shkrimtarë e poetë, piktorë, historianë apo edhe shkencëtarë, me të cilët të gjithë krenohemi. Por çfarë po fabrikohet sot në sistemin arsimor të kësaj zone?

Shembuj: “Në të gjitha shkollat e Qarkut të Kukësit mungojnë laboratorët, natyrisht që kompjuterat e premtuar nga Kryeministri Berisha nxënësit i kanë parë vetëm në ëndërr. Në qytetin e Kukësit laboratori i fizikës dhe i kimisë qëndrojnë në magazinë sepse nuk ka vend për montimin e tyre. Në qytetin e Kukësit ka një klasë elektrike që po shkon drejt mbylljes sepse mungon stafi i specializuar pedagogjik. Saktësisht mungojnë specialistët që të vënë në efiçencë laboratorët. Në të gjitha shkollat e qarkut mungon baza materiale, madje ka tre vjet që nuk është dërguar as edhe një tavolinë”.

Mjerimit të reformës partiake në arsim nuk i ndahet asnjë hap infrastruktura përkatëse. Kështu në qarkun e Kukësit në këto vite të fundit nuk është ndërtuar as edhe një shkollë e vetme, por edhe të vjetrat janë lënë në mëshirë të fatit të parikonstruktuara. Por probleme ka edhe mishmashi i krijuar ka bërë që të shtohen klasat kolektive në zona të thella, ashtu si edhe raportohen mbingarkesa në zona më pranë qyteteve. Ndërkohë që në Tropojë arsimi parashkollor thuajse nuk ekziston fare.

Shembuj: “Në 17 vjet në qytetin e Kukësit nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re. Është ndërtuar vetëm një shkollë 9 - vjeçare e lënë përgjysmë në katin e dytë, që po shkatërrohet. Në shumë zona, në shkolla, ka numër të madh të nxënësve në një klasë, rreth 52 – 54. Kështu që në një tavolinë detyrohen të ulen 5 nxënës, që nuk kanë sesi të jenë rezultativë. Në Tropojë arsimi parashkollor thuajse nuk ekziston fare. Në shkollat 9 - vjeçare ka klasa kolektive. Mungojnë konviktet. Arsimi profesional mungon në rrethin e Tropojës. Shkolla 9 -vjeçare në komunën Arrën është me dy mësues”.

Kjo është katandisja aktuale politike e arsimit në verilindje. Por një kastë njerëzish të përkohshëm nuk mund të errësojnë punën e ndritur të atyre arsimtarëve që falë profesionalizmit kanë ndërtuar një sistem më të fortë vlerash. Të atyre që janë duke bërë planet për një ndryshim rrënjësor me qëllim rikthimin në traditën më të mirë të mësimdhënies. Këta janë intelektualët e vërtetë të zonës, që nuk kanë asnjë lidhje qoftë me militantizmin, qoftë me diplomat false. Janë ata që kanë hartuar edhe një strategji bashkëkohore për zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Janë ata që flasin me pasion dhe me interes për detyrën e edukimit të fëmijëve. Janë ata që thonë se në politikat aktuale të zhvillimit të arsimit nuk ka transparencë. Se nuk ka asnjë studim që të përcaktoje se çfarë profesionesh nevojiten në këtë zonë. Janë të njëjtët që ngrenë problemet me librat, mungesën e teksteve alternative, në kushtet e mungesës së standardeve etj. Të interesuar për të ardhmen, filluar nga fëmijët e tyre, të njëjtët këmbëngulin në strategji të ndryshme për zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Një ide e tyre është përqendrimi i shkollave për të minimizuar klasat kolektive apo edhe përqendrimi i nxënësve nëpër konvikte. Kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe do të krijonte kushte më të mira për nxënësit. Me qëllim që të mos ketë rrjedhje të trurit në mësimdhënie, ata rekomandojnë që të bëhet diferencimi i pagës së mësuesve që pranojnë të shkojnë në fshat si dhe të stimulohen studentët për të punuar në qarkun e Kukësit. Po kështu strategjia e hartuar prej tyre thotë që mësuesit dhe kryesisht drejtuesit e arsimit duhet të merren me konkurs dhe se duhet të investohet seriozisht për kualifikimin e tyre... Gjithçka me qëllimin e vetëm që të korrat të jenë të mbara.  
 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative