“Gërdeci”, Presidenti shkarkon nga posti 2 ushtarakë të lartë
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shkarkuar nga posti dy ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, emrat e
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shkarkuar nga posti dy ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, emrat e të cilëve janë thirrur më shumë se njëherë në Prokurori ku janë pyetur për tragjedinë e Gërdecit. Propozimi është bërë nga Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ndërsa kreu i shtetit dekretoi dje shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të Gjeneral Major Shpëtim Spahiu dhe të Gjeneral Brigade Zija Bahja. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e Presidentit.
“Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi sot shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të Gjeneral Major Shpëtim Spahiu, deri tani me detyrë Komandant i Forcës së Bashkuar dhe të Gjeneral Brigade Zija Bahja, deri tani me detyrë Komandant i Komandës Mbështetëse.
Ky dekret u nënshkrua nga Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 8, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe të nenit 18, të ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes” thuhet në njoftimin zyrtar të faqes së institucionit të presidencës. Sipas të njëjtave burime, Topi dekretoi shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të Gjeneral Major Shpëtim Spahiu, deri tani me detyrë Komandant i Forcës së Bashkuar dhe të Gjeneral Brigade Zija Bahja, deri tani me detyrë Komandant i Komandës Mbështetëse. Spahiu dhe Bahja kanë dëshmuar më shumë se një herë në prokurori për ngjarjen e 15 Marsit në Gërdec të Vorës ku shpërtheu fabrika e demontimit të armëve. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë si dhe u shkatërruan qindra banesa dhe dhjetëra biznese. Ekspertët amerikanë të ATF që bënë hetime në kraterin e Gërdecit kanë hartuar një raport lidhur me vetëm disa prej përfundimeve nga puna disa ditore në fshatin e tragjedisë së 15 marsit. Sipas një bilanci të ndërtuar prej këtyre ekspertëve, në të ashtuquajturën punishte të Gërdecit kanë qenë 5 mijë ton barut, ndërsa sasia e predhave ka arritur në plot 15 mijë të tilla. Këto të dhëna që janë bërë të ditura nga vetë ekspertët, të cilët i kanë nxjerrë konkluzionet jo vetëm nga hetimet e bëra në krater por edhe nga dëshmitë e banorëve që punonin në fabrikë. Shifrat e nxjerra nga ekspertët amerikanë tregojnë një tjetër provë të shkeljes së ligjit, sipas të cilit për sasi municionesh deri në 250 ton distanca nga qendra e banuar duhet të jetë jo më pak se 2.5 kilometra, çka nuk është respektuar në rastin e Gërdecit.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj