Faqja e Pare | Kronike | ERE kundër FMN-së: Nuk do të ketë rritje tjetër të energjisë këtë vit

ERE kundër FMN-së: Nuk do të ketë rritje tjetër të energjisë këtë vit

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë nuk do të miratojë këtë vit asnjë rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht

 TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë nuk do të miratojë këtë vit asnjë rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht këmbënguljes të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta ka deklaruar se  për këtë vit, kostot e prodhimit të energjisë janë miratuar, me rritjen e çmimit që u bë më 1 mars. “Gjatë takimit që patëm me FMN-në, ne argumentuam metodologjinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe shpjeguar se nuk duhet të ketë një rritje tjetër të çmimit këtë vit. Në vizionin tonë, nuk ka asnjë arsye që tarifat e energjisë të rriten sërish brenda 2008-ës”, ka deklaruar Nepravishta. Por kjo nuk do të thotë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet gjatë viteve të ardhshme. Sipas kreut të Entit Rregullator, situata do të analizohet dhe gjatë të ardhshme rritja e çmimit do të jetë e ndjeshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka insistuar në një rritje të dytë të çmimit të energjisë këtë vit, kërkesë që është mbështetur edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Sipas FMN-së, KESH nuk duhet të marrë më subvencione nga qeveria, por duhet të sigurojë importin dhe investimet nëpërmjet fondeve të veta. Por drejtuesit e korporatës kanë deklaruar se energjia duhet të shitet në kosto, me qëllim që kesh të mos dalë me humbje.

Njësoj si Banka Botërore në raportin e një viti më parë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përsëritur se rritja e çmimit të energjisë është e vetmja rrugë shpëtimi për gjendjen financiare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Përmirësimi i treguesve dhe plotësimi i standardeve të tjera është vënë si kusht për KESH-in, në mënyrë që të afrohen investitorët e huaj. Por deri më tani, KESH nuk ka qenë në gjendje të arrijë në nivelin e kërkuar. Për këtë arsye, BB dhe FMN kanë propozuar që Korporata të rrisë çmimin, jo vetëm për të përballuar koston e prodhimit të energjisë, përfshirë këtu edhe çmimet e kripura me të cilat ble energjinë në çdo krizë që ka kaluar vendi. Nuk ka asnjë rekomandim të Bankës Botërore për rritje të çmimit të energjisë, por një rekomandim për të përmirësuar treguesit e Korporatës Elektroenergjitike që gjatë këtyre 18 muajve kanë njohur vetëm rënie. Duke iu referuar shifrave, BB llogarit edhe treguesit e kërkuar për ecurinë e Prodhimit të Energjisë Elektrike si dhe Financimin e Brendshëm të kërkuar për periudhën 2006 deri në 2010. Nga të dhënat e KESH del se në vitin 2006 humbjet në rrjet kanë qenë në nivelin e 33.5% ndërsa niveli i arkëtimeve 88%. Në vitin 2007, sipas Bankës Botërore humbjet duhet të bien në nivelin e 30.5% ndërsa arkëtimet duhet të shkojnë në 90%. Për secilin prej viteve parashikohet edhe çmimi i energjisë për një kilovatorë. Nëse për vitin 2006 ky çmim ka qenë 7.4 lekë, për vitin 2007 ai duhet të jetë 8.1 lekë për kilovatorë ndërsa në 2008 çmimi parashikohet 8.5 lekë. Ndryshe nga treguesit e tjerë që duhet të lëvizin në ulje për humbjet dhe rritje për arkëtimet deri në 2010, një gjë e tillë nuk parashikohet edhe për çmimin, gjithmonë në efekt të përmirësimit të treguesve. 

Asnjë parashikim për situatën energjetike në vijim. KESH: Kemi rezerva të kënaqshme 

TIRANË- Ajo që mund të thuhet me shumë siguri është fakti se të paktën deri më tani situata energjetike është më e mirë se e një viti më parë. Megjithatë mungon parashikimi për periudhën në vazhdim, me mbërritjen e temperaturave më të larta. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka siguruar se aktualisht ka rezerva energjetike shumë të kënaqshme, si pasojë e mirëmenaxhimit të rezervës hidrike në kaskadën e HEC-eve mbi Drin nga KESH-i, por dhe si rezultat i mbajtjes në kuota të mjaftueshme të importit të energjisë elektrike. Sipas shifrave zyrtare, konsumi ditor i energjisë në vend sot është në nivelin e 14,7 milionë kilovat/orë ndërsa prodhimi vendas i energjisë elektrike ka arritur në 9,3 milionë kilovat/ditë. Importi po mbahet në kuotat e 5,4 milionë kilovat/ditë.

Rezerva hidrike në liqenin e Fierzës është në kuotën 294 metra. Shirat e pranverës si dhe shkrirja e borës në malet e veriut, kanë ndikuar dhe në nivelin e prurjeve të ujërave nga përrenjtë në këtë liqen, duke pasur një nivel prej 126 metra kub/sek. Ndërkohë Korporata ka deklaruar se po punon për vendosjen e matësave me qëllim faturimin e gjithë sasisë së lëshuar në rrjet, duke shmangur në këtë mënyrë edhe arkëtimet e ulta. KESH ka instaluar mbi 20 mijë matësa tek konsumatorët familjarë, si dhe mbi 4.000 matësa për konsumatorët e biznesit. Ata po vendosen në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Burrel, ndërsa në vijim do të shtrihen në rrethet e tjera të vendit. Megjithatë, realizimi i premtimit të qeverisë pikërisht për vendosjen e matësave është akoma larg në kohë dhe afate.  

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative