Gazeta Zeri i Popullit - Organ i Partise Socialise: Intervistë me konstitucionalistin Njazi Jaho Intervistë me konstitucionalistin Njazi Jaho ====================================================NuLLeD by x-MoBiLe T.E.A.M================= ==== Gerd Pasmaciu on 09 May, 2008 01:46:00 Midis ndryshimeve kushtetuese që u bënë, u ndryshua edhe sistemi zgjedhor. Pas ndryshimit të këtij sistemi, cilat janë hapat që duhet të ndërmerren për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2009? Më lejoni që fillimisht të theksoj se para miratimit të këtyre ndryshimeve jam shprehur publikisht se çdo ndryshim i Kushtetutës duhet ti nënshtrohej një debati gjithëpërfshirës me argumente pro dhe kundër. Por meqë tani ndodhemi përpara një fakti të kryer kur veç ndryshimit të sistemit zgjedhor u ndryshuan edhe nene të tjera, përsa i përket përgatitjes të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 mund të shpreh mendimin e mëposhtëm: Me reformën zgjedhore jemi tepër të vonuar. Është e domosdoshme që me urgjencë të fillohet nga puna për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Për këtë duhen patur parasysh rekomandimet e shumta të OSBE / ODIHR-it dhe komisionit të Venecias, si dhe të gjitha të metat dhe dobësitë e vërtetuara në zgjedhjet e mëparshme. Infrastruktura e zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë. Pa karta identiteti dhe pa regjistër të saktë dhe të plotë të zgjedhjeve nuk mund të shkohet në zgjedhje. Për këtë kërkohen angazhime serioze dhe transparente. Duhet të përcaktohen afate për përmbajtjen e kësaj detyre. Ka persona që mendojnë se tashmë që u caktua sistemi zgjedhor, Kodi zgjedhor mund të përmirësohet me lehtësi dhe brenda një kohe të shkurtër. Mendoj se koncepte të tilla nuk janë të argumentuara ndërsa pjesërisht janë subjektive. Për një punë cilësore dhe konsensuale kjo detyrë mendoj se nuk do të ishte e lehtë. Përkundrazi për disa çështje të veçanta do të kishte kundërshti. Në këtë drejtim mund të ndikonin interesat e ngushta partiake. Kështu, për shembull, kur të shtrohej çështja e administrimit të zgjedhjeve, d.m.th. kur të flitet për komisionet zgjedhore, mund të lindin diskutime, cili do të ishte roli dhe përbërja e tyre, duke filluar nga KQZ-ja deri tek grupi i numërimit të votave, etj. Qysh nga viti 2000 dhe deri më sot nuk është bërë asnjë ndryshim kapitullit mbi referendumet, megjithëse disa nene të këtij kapitulli janë të paqarta dhe kontradiktore. Madje për mendimin tim ka dhe ndonjë dispozitë antikushtetuese. Për këtë ka bërë vërejtje edhe OSBE / ODIHR-i si dhe Komisioni i Venecias.