Ish pronarët kundër rivlerësimit të tokës dhe ndarjes së fondit për kompensimin financiar
Kjo do të thotë edhe një kthim mbrapsht për procesin e kryer deri më tani, duke marrë parasysh se çmimet që janë aplikuar deri më sot janë bazuar në një metodikë që Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave iu desh më shumë se një vit për ta hartuar
TIRANË - Ish-pronarët kundërshtojnë vendimin e qeverisë për rivlerësimin e tokës. Sipas tyre, kjo bëhet me qëllim që të ulen çmimet për kompensimin e tyre. Përfaqësuesit e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, deklarojnë se është antikushtetuese përcaktimi i çmimit të tregut nga qeveria dhe se një vendim i tillë do të shtojë përplasjes qeveri-individ në Gjykatë. Përfaqësuesit e ish-pronarëve kanë kundërshtuar edhe kriteret për ndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh që qeveria ka akorduar këtë vit në buxhet për kompensimin financiar të tyre. Ata shprehen se këto financime janë shumë të ulëta krahasuar me borxhin që shteti i ka ish-pronarëve. Sipas ish-pronarëve, fatura financiare e kompensimit kap vlerën e 30 miliardë eurove. Ndërkohë që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, publikoi pak kohë më parë shifrën e kompensimit që sipas saj, vlerësohet në 4.4 miliardë euro. Por edhe kjo shumë është e papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe e bën të pamundur angazhimin e qeverisë për mbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave brenda vit 2014. kjo duke parasysh fondin prej 5 milionë dollarë që qeveria akordon çdo vit për ish-pronarët. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të dy ditëve më parë, të gjitha procedurat që duhet të ndjekin ish pronarët për të marrë pjesë në procesin e kompensimit në formë monetare. Duke iu referuar ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar me propozimin e ministrit të Drejtësisë, qeveria vendosi që subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, kompensohen, sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Kompensimi do të bëhet vetëm për deri 200 metër katror të sipërfaqes së caktuar për kompensim, sikundër u veprua dhe një vit më parë, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet. Gjithashtu, subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Fondi i kompensimit për këtë vit është parashikuar në 500 milionë lekë ose rreth 6 milionë dollarë. Pavarësisht afateve të premtuara nga qeveria për të përfunduar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ky ka kapërcyer çdo limit kohor dhe nga ana tjetër është duke mbajtur pezull sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Për më tepër që kthimi dhe kompensimi i pronës është radhitur ndër kriteret që duhet të përmbushë qeveria shqiptare për të marrë besimin nga ndërkombëtarët se ajo meriton të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, kryeministri Berisha ka përforcuar idenë e hedhur më parë lidhur me çmimin e përcaktuar deri më tani për pronat, duke deklaruar se do të ketë ndërhyrje që ky të ndryshojë me justifikimin se deri më tani është abuzuar nga ana e pushtetarëve vendorë. Por një pikë e tillë ka hasur në kundërshtimin e ish pronarëve, të cilët shprehen se është tregu ai që vendos çmimin për tokën dhe jo qeveria, ndaj e kanë cilësuar të padrejtë dhe të jashtëligjshme këtë ndërhyje të qeverisë për të përcaktuar çmimin e tokës. Nga ana tjetër kjo do të thotë edhe një kthim mbrapsht për procesin e kryer deri më tani, duke marrë parasysh se çmimet që janë aplikuar deri më tani janë bazuar në një metodikë që Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave iu desh më shumë se një vit për ta hartuar



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj