Blushi: Reforma mbi territorin, mbi konceptin e së drejtës jo elektorale, por si e drejtë universale
Ky debat që hap sot fondacioni “Qemal Stafa”, është në një kontekst sa i vjetër aq edhe i ri, sidomos duke marrë parasysh debatin e ditës, në lidhje
Ky debat që hap sot fondacioni “Qemal Stafa”, është në një kontekst sa i vjetër aq edhe i ri, sidomos duke marrë parasysh debatin e ditës, në lidhje me ligjin e kthyer dhe të rikthyer të legalizimeve dhe çështjet që ai prek në kuadrin e pronësisë dhe të territorit.
Çështja e territorit , me sa duket, siç ka shoqëruar zhvillimet ekonomike dhe politike në 20 vjetët e fundit, do të vazhdojë të jetë një gangrenë që pengon zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. E them këtë i bindur edhe nga fakti që çështjet e territorit nuk po marrin përgjigjen e merituar, edhe në një kontekst të rishikuar të legjislacionit shqiptar, siç është rasti i ligjit të legalizimeve. Çështjet e territorit dhe me atë çfarë kanë ndodhur këto vite, duhet konsideruar një krim, ndryshe nga krimet e tjera në kurriz të shoqërisë, do të ketë efekte të parikuperueshme për një kohë të gjatë. Ky është një krim që një brez politik apo shoqëror, nuk merr një zgjidhje të merituar. Krimi mbi territorin është i parikuperueshëm për shkak se së pari, krijon efekte ose difekte demografike, efekte sociale, ekonomike dhe dëmton pa dyshim zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në përgjithësi. Zaptimi i territorit, siç e kemi parë, ka krijuar në pjesë të ndryshme të vendit, geto sociale brenda shoqërisë, geto të cilat janë margjinalizuar për këtë arsye, ka rritur nivelin e varfërisë në zonat nga ata që janë larguar, por edhe aty ku kanë ardhur, një varfëri e cila e bën të vështirë integrimin e shumë shtresave sociale dhe rrit koston në përgjithësi për shoqërinë, e cila pa dyshim që ka detyrim, që lë kosto për t’u paguar për një gabim që është bërë në këto 20 vjet. Çështja e territorit është problem kolektiv dhe po të kthehemi në vitet 1991, ku sa kishte filluar të ndodhte kjo masakër urbane dhe po të imagjinojmë se nëse nuk do të ndodhte, besoj se Shqipëria do të ishte sot ndryshe, do ishte më e fortë, do të kishte thithur më shumë investime, në radhë të parë, sepse do të kishte një raport më korrekt dhe më të logjikshëm mes investimeve dhe pronës.
Sot del e vështirë, edhe te arsyeja, sepse përveçse zaptimit të territoreve, ka ndikuar direkt në frenimin e investimeve, qofshin të brendshme apo të huaja. Në radhë të parë, ka dëmtuar sensin e bashkësisë dhe sensi i bashkësisë, është një gjendje që janë grindur qytetërimet përreth nesh. Besoj se Shqipëria është i vetmi vend ku mund të shohësh që koncepti i bashkësisë është i dëmtuar në mënyrë primitive, se është vështirë edhe në vendet për rreth nesh, si stad politik dhe ekomonik të krahasueshëm, të shohësh që fshatra të tëra janë ndërtuar pa sens bashkësie. Kemi dhjetëra fshatra sot, ku një shtëpi është 10 km larg tjetrës. Kjo është e pamundur, sepse njerëzimi ka krijuar për mijëra vjet një sens bashkësie, një sens të jetesës së përbashkët. Kjo është dëmtuar për 1001 arsye në Shqipëri. Besoj se pyetja e të gjithëve sot, është se pse nuk arritëm dot ne të krijonim një disiplinë urbane në këto 20 vjet? Kam përgjigjet e mia, ku e para mendoj se territori në Shqipëri është përdorur politikisht, është abuzuar, sepse ka pasur tendencë nga viti 1992, deri në 1997, ku vazhdon edhe sot, që sipas të cilës, ka ndryshim demografik të zonave të caktuara urbane. Ky ndryshim është përdorur për të ndryshuar balanca elektorale dhe në thelb ky ka qenë qëllimi i atyre që kanë frymëzuar një proces zaptimi të territoreve.
E dytë, mungesa e kontrollit mbi territorin, është përdorur për pasurim të padrejtë apo korrupsion, kryesisht nga ata që kanë pasur mundësi t’i japin një leje provizore banimi apo ndërtimi në zona me pronarë të tjerë nga ata që u zaptuan edhe për shkak të lejeve, apo të kësaj indiference. E treta, sepse ata që duhet të ruanin pronën dhe këta ishin dy, e para shteti dhe pronari i ligjshëm, nuk arritën kurrë të kenë një marrëveshje harmonike me njëri-tjetrin dhe me sa duket, nuk po arrijnë dot as sot. Këtu e kam fjalën për shtetin, si një pronar toke, por edhe si garant i pronës së tjetrit. Disa ligje apo një meny ligjesh të cilat do të duhej të merrnin parasysh dhe të garantonin një marrëveshje mes pronarit të tokës dhe shtetit, në përgjithësi nuk kanë harmonizuar me njëra-tjetrën, ose janë administruar keq dhe këto ligje konsistojnë në tre kategori ligjesh për urbanistikën. Ajo që është më e rëndësishmja, këto ligje duke mos qenë të harmonizuara, duke mos përfaqësuar në kohë dhe hapësirë interesa të përbashkëta, kanë krijuar mosmarrëveshje mes palëve. E kam fjalën për pronarët e ligjshëm dhe shtetin, çka ka krijuar të çara, ku janë shfrytëzuar nga abuzuesit me territore në to. Pse ka ndodhur kjo? Sepse, ligjet e urbanistikës thonë, nëse ke një tokë, mund të ndërtosh mbi atë tokë. Ligji i legalizimeve së fundmi thotë, se nëse ke një tokë të ligjshme, nuk mund të ndërtosh nëse atë e ka zënë një kalimtar dhe nëse pushteti lokal mendon se kalimtari ka të drejtë. Po e vulgarizoj, sepse të tre këto komponent legjislativ, të tre këto paketa të mëdha ligjore, nëse do të ishin harmonizuar, do t’i kishin dhënë një dimension tjetër ekonomisë shqiptare. Këto krijojnë një kakofoni legjislative dhe një burokraci e cila nuk funksionon kryesisht për të rregulluar raportet e shtetit me tokën, e pronarit të ligjshëm me tokën e vet, por krijojnë pasuri të padrejtë, siç ndodh në përgjithësi me çështjet e territorit. Kjo paketë, ose këto 3 ligje, do të duhej të synonin një raport të ndryshëm mes shtetit dhe pronarit të ligjshëm, sepse kjo kakofoni, i ka dhënë mundësi gjithkujt që ka dashur të zaptojë territor, apo të ndihmojë një tjetër, të marrë territor në mënyrë të paligjshme, duke u pasuruar në kurriz të dikujt tjetër dhe ky dikujt tjetër, është shoqëria që humb dhe më pas pronari i ligjshëm i tokës. Besoj se ka nevojë për një reformë tërësore për mbrojtjen e territorit, një reformë e cila në radhë të parë të marrë parasysh këto interesa, sociale në radhë të parë dhe më pas ligjore. Një reformë e cila nuk mund të ngrihet mbi konceptin që ngrihet reforma e sotme mbi territorin. Këto ligje që përpiqen të rregullojnë raportin e territorit me njeriun, i japin të drejtë njeriut në një funksion elektoral. Besoj se reforma mbi territorin, duhet të ngrihet mbi konceptin e së drejtës, e cila nuk është elektorale, por është e drejtë universale, që është në themel të shoqërisë njerëzore.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj