Qeveria Berisha pranon dështimin me pronat. Asnjë ndihmë fermerëve për punimin e tokës, paralajmëron taksë për tokën djerrë
Tiranë- Bashkë me dështimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, kryeministri Berisha ka pranuar se duhet bërë abrogimi i ligjit 7501 për tokën bujqësore, që sipas tij rezulton
Tiranë- Bashkë me dështimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, kryeministri Berisha ka pranuar se duhet bërë abrogimi i ligjit 7501 për tokën bujqësore, që sipas tij rezulton të ketë qenë pengesa për realizimin e premtimit të madh. Partia në pushtet ka mbetur megjithatë vetëm tek teoritë, duke deklaruar ngritjen e një grupi deputetësh demokratë që do të merren me procesin e kthimit të pronave dhe zhbllokimin e tij nga ligji 7501. Në kuadër të këtij premtimi të përsëritur, Berisha është shprehur se do të vendoset taksë tek ata fermerë që lënë tokën që kanë në pronësi pa e punuar. Sipas tij, ky detyrim financiar do të bëjë të mundur rritjen e prodhimit bujqësor. Në të vërtetë, ky i fundit u premtua të shtohej në mënyra të tjera dhe pikërisht përmes ndihmës financiare nga ana e qeverisë, që gjatë këtyre viteve ka munguar në mënyrë të ndjeshme. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i TVSH për bujqësinë, apo sigurimi i karburantit pa akcizë për mekanikën bujqësore. Të tjera premtime që iu bënë fermerëve kanë pasur realizim në nivelin zero dhe në këto kushte, kryeministri nuk mund të pretendojë se do të shtyjë fermerët të punojnë tokën e tyre vetëm duke iu vënë një taksë. Shumica e fermerëve në vendin tonë janë shprehur se nuk e kanë lënë tokën djerrë për zgjedhje të tyre, por sepse prodhimi ka një kosto shumë të lartë në kushtet kur mungon ndihma nga qeveria për subvencionim apo naftë pa akcizë, kosto kjo që nuk justifikohet kur prodhimi mbërrin në tregun që gjithmonë dhe në vazhdimësi mbizotërohet nga artikuj që mbërrijnë nga importi.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj