SHBA, USAID: Qeveria të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit. Politika të lërë imunitetin
“Shqipëria ka shansin t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare që synon standardet më të larta të gjyqësorit, të cilat kërkohen prej saj si kusht për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian” ka deklaruar administratorja e USAID, Hennrieta Fore
“Shqipëria ka shansin t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare që synon standardet më të larta të gjyqësorit, të cilat kërkohen prej saj si kusht për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian” ka deklaruar administratorja e USAID, Hennrieta Fore
Tiranë- Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë këmbëngulur në nevojën e thellimit të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Pas mesazhit të dhënë pak kohë më parë nga ana e ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, këtë herë deklarata është bërë nga administratorja e USAID, Henrietta Fore. Duke inauguruar Agjencinë Kombëtare të Informacionit që do të koordinoje pagesën elektronike të taksave, regjistrimin elektronik të bizneseve dhe prokurimin elektronik të tenderave, administratorja e USAID-it dhe kryeministri Berisha u shprehën se ky është një hap tjetër që ndihmon vendin për një qeverisje më të mirë nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë së informacionit. Por sipas zyrtares amerikane ka akoma shumë për të bërë në këtë drejtim dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm, sidomos në administratë. “Nëse ajo kombinohet me politika të qarta që zbatohen nga nëpunësit e kualifikuar publike në institucione të mirëstrukturuara, ajo mund të rrisë transparencën dhe eficencës së qeverisë dhe të reduktojë korrupsionin" është shprehur Fore gjatë ceremonisë së inagurimit. Administratorja e USAID ka shfrytëzuar këtë rast për të thënë gjithashtu se qeveria amerikane pret më shumë veprim nga qeveria dhe gjyqësori në luftën kundër korrupsionit. “Ndërkohë që Shqipëria shikon përpara drejt zgjedhjeve parlamentare dhe anëtarësimit në NATO, do të jetë e rëndësishme që qeveria të demonstrojë përkushtimin e saj për të zbatuar reformat gjyqësore dhe zgjedhore. Do të duhet të intensifikojë përpjekjet aktive kundër korrupsionit, sidomos lidhur me imunitetin dhe sanksione më të ashpra për kundravajtësit, vënë në zbatim nga gjyqe dhe dënime të ndershme dhe apolitike”. Duke u shprehur në të njëjtën linjë me ambasadorin amerikan John Ëithers, Fore kërkoi angazhimin e publikut në luftën kundër zyrtarëve të korruptuar. "Eshtë gjithashtu e rëndësishme të risjell në vëmendje deklaratën e ambasadorit Withers dy javë më parë për të theksuar përgjegjësinë e shqiptarëve për të kërkuar dhënien fund të korrupsionit”. Duke firmosur një memorandum mirëkuptimi me gjykatën e Apelit të Tiranës, administratorja e USAID, Hennrieta Fore iu referua sondazhit të dy javëve më parë, sipas të cilit shumica dërmuese e shqiptarëve tregonin se nuk kanë besim tek drejtësia. "Ky verdikt i padëshiruar duhet të ndryshojë dhe tani që perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është më e afërt, Shqipëria ka një shans të madh jo vetëm për të treguar seriozitet në reformën në drejtësi, por edhe seriozitet për të rikthyer besimin e publikut tek gjykatat”. “Besimi publik tek gjykatat është i domosdoshëm për sundimin e ligjit. Kur qytetarët akuzohen për një kundravajtje apo dëshirojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, duhet të presin dhe të marrin trajtim të paanshëm dhe të barabartë në sytë e ligjit. Ata kanë të drejtën të sjellin apelime në gjykata si kjo për të kërkuar zhdëmtim për veprime të gabuara apo vendime të padrejta” ka vazhduar Fore. Ajo është shprehur se përmes realizimit të reformave, “Shqipëria ka shansin t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare që synon standardet më të larta të gjyqësorit, të cilat kërkohen prej saj si kusht për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj