Faqja e Pare | Kronike | Thaçi: Kushtetuta e Kosovës gati në 15 Qershor

Thaçi: Kushtetuta e Kosovës gati në 15 Qershor

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në përgatitjet për hyrjen në fuqi të Kushtetutës, më 15 qershor. Kryeministri Hashim Thaçi tha në mbledhjen e sotme të qeverisë

 

Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në përgatitjet për hyrjen në fuqi të Kushtetutës, më 15 qershor. Kryeministri Hashim Thaçi tha në mbledhjen e sotme të qeverisë, se përgatitjet po zhvillohen në koordinim të plotë me faktorët civilë dhe ushtarakë ndërkombëtarë në Kosovë. Qeveria gjatë ditëve të ardhshme do të procedojë në Kuvend edhe 6 deri në 8 projektligje që dalin nga pakoja e Ahtisarit, derisa kryeministri përsëriti angazhimin për zbatimin e plotë të kësaj pakoje.

Ka ngelur edhe një muaj deri në hyrjen në fuqi të aktit më të lartë juridik të vendit dhe qeveria vlerësoi sot se të gjitha përgatitjet për funksionimin e Kosovës shtet në bazë të kushtetutës së re janë duke u zhvilluar mbarë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se i gjithë procesi i përgatitjeve po bëhet në koordinim të plotë me autoritetet civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka filluar përgatitjet për të marrë nën ushtrimin e saj përgjegjësitë shtetërore që nga 15 qershori, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ndërsa UNMIK-u, këtë javë, në disa raste e ka përsëritur se ende nuk e di se çfarë roli dhe përgjegjësie do të ketë administrata e OKB-së në Kosovë pas 15 qershorit, kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës do të ushtrojnë autoritetin e plotë shtetëror në gjithë territorin e vendit. Thaçi tha se i tërë procesi i tranzicionit dhe kalimit të kompetencave nga administrata e Kombeve të Bashkuara te institucionet e Kosovës, do të jetë i koordinuar dhe harmonizuar me bashkësinë ndërkombëtare.

“Po i ofrohemi 15 qershorit, kur do të futet në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kushtetuta e shtetit të Kosovës dhe natyrisht se do të vazhdohet me funksionimin normal dhe efikas të institucioneve të shtetit të Kosovës në gjithë territorin”.

“Gjithë ky proces është bërë në koordinim dhe harmonim të plotë me autoritetet civile dhe ato ushtarake ndërkombëtare”, theksoi Thaçi.

Ndërsa pritjet e institucioneve kosovare janë që funksionimi i Kosovës si shtet të fillojë nga 15 qershori e tutje, kryeministri tha po ashtu se ka shenja pozitive nga vende të ndryshme se duan ta njohin shtetin e Kosovës.

Në këtë plan, ai tha se do të ketë edhe një angazhim shtesë lobimi për njohjen e Republikës së Kosovës.

Thaçi tha se Kosova pret që donatorët ndërkombëtarë ta mbështesin rimëkëmbjen e Kosovës, si shteti më i ri në botë, edhe në Konferencën e donatorëve, që është paralajmëruar të mbahet në muajin korrik.

Ai shprehu besimin e tij se Kosova do të përfitojë mjaft mirë nga kjo konferencë.

“Përgatitjet për Konferencën e donatorëve janë në fazën intensive. Dua të besoj se do të jemi të përgatitur mirë dhe së shpejti do ta kemi një prezantim para mekanizmave përkatës ndërkombëtarë, për t’i prezantuar përgatitjet tona serioze”.

“Do t’i marrim rekomandimet shtesë, vërejtjet dhe sugjerimet, në mënyrë që të jemi të kompletuar dhe jam i sigurt se Kosova do të ketë sukses meritor në Konferencën e donatorëve që do të mbahet në korrik”,  u shpreh Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se së shpejti fillon dhe faza implementuese e pakos së Ahtisaarit dhe që nënkupton dhe zbatimin e obligimeve që Kosova i ka marrë si shtet para bashkësisë ndërkombëtare.

Në kuadër të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, presidenti Fatmir Sejdiu ka ftuar sot partitë politike që të bisedojnë dhe procesin e ardhshëm zgjedhor dhe sistemin që do të aplikohet.

Pakoja e Ahtisaarit parasheh që brenda nëntë muajve pas hyrjes së saj në fuqi, të mbahen zgjedhje të lira në të dyja nivelet. Por, në këtë pikë ka disa mospajtime te partitë në pushtet dhe opozita, sidomos për zgjedhjet në nivelin qendror. 

UNMIK: Nuk bashkëpunojmë me të zgjedhurit serbë 

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se nuk do të bashkëpunojë me përfaqësuesit e serbëve të zgjedhur në zgjedhjet lokale të Serbisë. Kjo për shkak se UNMIK-u e konsideron të jashtëligjshme mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Një zëdhënës i UNMIK-ut në Prishtinë, Alexander Ivanko ka thënë se Misioni i OKB-së në Kosovë nuk njeh legjitimitetin e udhëheqësve serbë, për të cilët qytetarët serbë kanë votuar të dielën në zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia edhe në territorin e Kosovës.

Sipas UNMIK-ut të vetmit përfaqësues legjitimë të serbëve janë ata, të cilët janë emëruar nga shefi i misionit, Joachim Reucker.

Kjo pas bojkotimit të zgjedhjeve të Kosovës nga ana e komunitetit serb në nëntor të vitit të kaluar.

Shumica e politikanëve serbë në veri të Kosovës thonë se njerëzit e emëruar dhe të deleguar nga UNMIK-u nuk mund të përfaqësojnë komunitetin Serb.

Sipas tyre liderët e vërtetë të serbëve janë ata për të cilët është votuar të dielën në zgjedhjet lokale të Serbisë, që u mbajtën edhe në territorin e Kosovës. Por zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko thotë të kundërtën.

"Ne do të bisedojmë vetëm me ata përfaqësues që janë zgjedhur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm.

Për ne ata janë të vetmit përfaqësues legjitim. Ne në asnjë mënyrë nuk do të merremi me askënd tjetër që është "zgjedhur" në këto zgjedhje lokale sepse ato janë ilegale dhe të pavlefshme", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

UNMIK-u kishte paralajmëruar Beogradin zyrtar që të mos mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat siç thuhet, janë në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Por autoritetet serbe injoruan qëndrimin e UNMIK-ut dhe të institucioneve qendrore në Prishtinë dhe të dielën e kaluar mbajtën zgjedhjet lokale në 23 komuna ku jetojnë serbët në Kosovë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko thotë se me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Serbia ka shpenzuar kot paratë e taksapaguesve të saj.

"Serbia ka shpenzuar shumë para për të bërë diçka që është ilegale. Nuk jam i sigurt që është vendi më i pasur në botë për të shpenzuar para në diçka që është ilegale dhe që nuk është në përputhje me obligimet e saj ndërkombëtare", tha zoti Ivanko.

Më pak se 50 për qind e serbëve të Kosovës morën pjesë të dielën në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë.

UNMIK-u ka vlerësuar se pjesëmarrja jo shumë e lartë e votuesve në këto zgjedhje tregon se shumica e serbëve e kanë kuptuar se procesi zgjedhor për pushtet lokal ishte i jashtëligjshëm.

"Siç kemi parashikuar ne, shumë njerëz në pjesën jugore nuk kanë dalë në zgjedhje dhe mendoj se kjo është shenjë e mirë. Mendoj se këta njerëz janë pajtuar me UNMIK-un se këto zgjedhje janë ilegale", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

Sipas tij, përfaqësuesit e emëruar nga UNMIK-u në pesë komunat me shumicë serbe kanë mandat deri në mesin e muajit të ardhshëm.

Deri më 18 qershor, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vendosë nëse do t'u vazhdojë mandatin këtyre njerëzve apo do të emërojë përfaqësues të ri.

Kjo çështje pritet të vendoset gjatë javëve të ardhshme pas konsultimeve që do t'i bëjë UNMIK-u me zyrën ligjore të OKB-së në Nju Jork.

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative