Faqja e Pare | Ekonomi | Rritja e çmimeve shton vështirësitë për familjet

Rritja e çmimeve shton vështirësitë për familjet

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

Tirane - Sipas Institutit të Statistikave, çmimet e ushqimeve në Shqipëri vitin e fundit janë rritur me 7 për qind. Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit

 

Tirane - Sipas Institutit të Statistikave, çmimet e ushqimeve në Shqipëri vitin e fundit janë rritur me 7 për qind. Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit të përditshëm ka sjellë vështirësi të shumta për mijëra familje shqiptare në përballimin e jetesës së përditshme. Në muajt e fundit nga tryeza e familjeve shqiptare janë hequr jo pak asortimente. Kryeministri shqiptar Sali Berisha, ka premtuar një rritje pagash, pensionesh dhe të ndihmës ekonomike, që do të fillojë nga 1 korriku i këtij viti për të indeksuar rritjen e çmimeve. Dr. i Shkencave Ekonomike, Gjergji Filipi, i Institutit Axhenda në Tiranë thotë se duhen politika të ndërhyrjes strukturore në treg për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve. Ai thotë se indeksimi i pagave krijon një rreth vicioz që çon gjithnjë në rritje të çmimeve. Korrespondenti i BBC-së në Tiranë Fatos Ahmati bisedoi me zotin Filipi.

BBC: Kohët e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e ushqimeve, por edhe produkteve të tjera. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, rritja e çmimit të ushqimeve është mbi 7 për qind në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Sa mendoni se ka ndikuar kjo rritje në buxhetet e familjeve shqiptare?

Po, sipas Institutit të Statistikave patëm një rillogaritje të shportës së konsumit drejt fundit të vitit të kaluar dhe që nga janari 2008, shporta e konsumit të një familjeje shqiptare me konsum mesatar, shpenzon rreth 40 për qind të buxhetit mujor për ushqime dhe pije jo alkolike. Aktualisht kjo shifër tenton të gjejë një mesatare të artë midis konsumit qytetar dhe atij rural, midis konsumit të familjeve me buxhet të lartë dhe familjeve me buxhet të cunguar, etj. Në llogaritjen e kësaj shifre mendoj se ka një diapazon të munguar në kontekstin e vet konsumit të familjave rurale, të produkteve ushqimore, gjithsesi rreth 40 për qind e buxhetit mujor përbën pothuajse gjysmën, sikur këto përllogaritje të ishin të sakta, dhe kjo shkon në një rritje prej më shumë se 7 për qind e këtij grupi produktesh dhe automatikisht influencon në rënien e fuqisë blerëse të një familje mesatare shqiptare.

BBC: Nëse flasim me shifra absolute, sa familje shqiptare janë cënuar nga kjo rritje?

Të gjitha familjet shqiptare cënohen nga kjo rritje, nuk ka familje shqiptare që nuk konsumon për ushqim dhe praktikisht nëse tek familjet e varfëra konsumi për ushqim është vendimtar, në rastin e familjeve të tjera konsumi për ushqim i rritur në vlerën monetare, tregon më pak kursime. Efektet në ekonominë shqiptare janë për të gjitha llojet e familjeve.

BBC: Sipas të dhënave që ju keni, cilat zona të vendit janë goditur nga kjo valë e rritjes së çmimeve në Shqipëri?

Praktikisht goditen më shumë qendrat urbane nga rritja e çmimeve të produkteve bujqësore. Zonat rurale kanë një vetfurnizim me produkte bujqësore në radhë të parë dhë në radhë të dytë, produktet bujqësore të importit nuk arrijnë në zonat rurale për shkak të konkurencës së fortë aty me anë të produkteve autoktone. Mendoj që më shtrenjt duhet ti blejë Tirana dhe pastaj me radhë qytetet sipas kapaciteteve dhe fuqisë blerëse.

BBC: Pas deklaratës së zotit Berisha për indeksimin e çmimeve, a jemi në kohë për të përballuar ndikimin e rritjes së çmimeve tek popullata?

Në kohë jemi. Qeveria është e justifikuar që këtë rritje ta bëjë në korrik, e ka bërë gjithmonë në këtë periudhë. Zakonisht ndërhyrja e formës së kompensimit duke indeksuar të ardhurat bëhet e tillë maximumi një apo dy herë në vit, për rrjedhojë edhe ky reagim është i justifikueshëm nga pikëpamja politike, ndonëse unë kam rezervat e mija jo në lidhje me indeksimin e pagave më shumë se sa me ndërhyrjet e nevojshme strukturore në treg për të eleminuar rritjen e mëtejshme sepse nuk mund të vazhdohet në formë ciklike që tregu rrit çmimet dhe ne kompensojmë pagat e buxhetorëve në mënyrë që të kompensojmë konsumin dhe vazhdon kjo punë.

BBC: Nëse shikojmë rritmet e rritjes së çmimeve konstatojmë se ato rriten mesatarisht 3 për qind çdo muaj, ndërkohë që reagimi i qeverisë me mekanizmat e saj për rrijten e pagave, pensioneve apo edhe ndihmës ekonomike, kuptohet që për shkaqe objektive nuk mund të jetë i tillë. çfarë do të sugjeronit ju për të përballuar situatën?

Absolutisht situata nuk përballohet vetëm me kompensim, situata përballohet duke kuptuar se kush janë shkaqet e kësaj rritje, si të mundësojmë që kjo rritje mos të vijë drejtpërsëdrejti tek konsumatori shqiptar. Qeveria shqiptare nuk ndjek opsionet e politikave të rregullimit, për të eleminuar të paktën rritjen e çmimit të karburanteve i cili është një dozë e tillë çmimi që futet pak a shumë në strukturën e kostove të shumicës dhe produkteve që hyjnë në treg, përtej atyre bujqësore. Në këtë kontekst qeveria merr vetëm nga TVSH e karburanteve më shumë të ardhura tani që është rritur çmimi dhe kjo mund ti lejojë pa i cënuar burimet buxhetore, të uli nivelin e akcizës, apo nivelin e taksave të tjera në mënyrë që të amortizohet çmimi i karburantit i cili vjen te konsumatori. Mos të harrojmë që në rajonin që na rrethon në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburantit.

BBC: Nëse shikojmë rritmet e rritjes së çmimeve dhe zhvillimet e ekonomisë botërore, si e parashikoni situatën?

Situata është e zymtë për gjithë globin, por mund të jetë optimiste për Shqipërinë, të paktën në afat mesëm nëse ne reagojmë me mençuri. Praktikisht, Shqipëria është një vend me burime gjeografike dhe klimaterike perfekte për të mbuluar konsumin vendas me produkte ushqimore. Ka nevojë automatikisht për politika mbështetëse. Mos harrojmë që bujqësia është një degë e ekonomisë e cila njeh kryesisht ekonomitë e shkallës, që do të thotë sa më shumë tokë të kenë në dispozicion bujqit aq më e lirë del kostoja e produktit apo sa më shumë bujq të bëhen bashkë për të përdorur mekanizma të përbashkëta, aq më e lirë del kostoja, etj. Kjo është e penguar kryesisht nga reforma e pronës, një reformë që e ka lënë gjithë ekonominë e Shqipërisë në impass. Me zgjidhjen e këtij impass dhe politika mbështetëse të agrikulturës shqiptare, absolutisht unë mendoj se në dallim nga vendet e tjera ne mund ta amortizojmë më butë se të gjithë këtë krizë.

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative