Në 2008 importohen 25 mijë ton sheqer nga Shqipëria
TIRANE- Tregu i sheqerit, pësoi një rritje gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet në sasi,
TIRANE- Tregu i sheqerit, pësoi një rritje gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet në sasi, por edhe në vlerë të sheqerit pësuan rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregu i shumicës i sheqerit tremujorin e parë të këtij viti përllogaritet në rreth 24.602 ton sheqer dhe prodhime prej sheqeri, ndërsa si vlerë 985 milionë lekë. Por në të njëjtën periudhë të një viti më parë importet në sasi arriten në rreth 10.257 ton, ndërsa në vlerë arritën në 463 milionë lekë. Tregu shqiptar, duke qenë vetëm një blerës i vogël në tregun ndërkombëtar, varet nga kompanitë e mëdha europiane, të cilat realizojnë blerjet. Gjatë vitit të kaluar, sheqeri ka mbërritur kryesisht nga Brazili, ndërsa transaksionet janë kryer në Europë. Harta gjeografike e tregtisë së sheqerit ka ndryshuar si rezultat i heqjes së polikave subvencionuese në vendet e Bashkimit Europian, prej tashmë më shumë se dy vitesh. Kostoja e lartë e prodhimit në vendet e BE-së, ka mundësuar zgjerimin e tregut të vendeve më të mëdha prodhuese të sheqerit si Brazil dhe Barbados. Nga Brazili kemi importuar pjesën më të madhe të sasisë së sheqerit gjatë vitit të kaluar 38% të totalit. Pikërisht çmimi më i lirë vlerësohet të jetë arsyeja e rritjes së importeve nga Brazili. Sipas të dhënave gjatë vitit të kaluar sheqeri nga Brazili rezulton të ketë mbërritur me çmimin 36 mijë lekë/ton, kur një vit më parë sasia e importuar nga Brazili kushtoi 38.5 mijë lekë/ton. Çmimet e ofruara nga tregjet e BE-së gjatë dy viteve të fundit, në bazë të importeve të realizuara, rezultojnë rreth 7-10% më të larta se vende të tilla si Brazili apo Barbados. Mungesa e subvencioneve për prodhuesit e BE-së, bëri që të ulet niveli i prodhimit, deri sa të mos konsiderohet më një treg eksportues. Në fakt, nga të dhënat, rezulton se nga çmimi më i lartë, por mbi të gjitha nga rënia e prodhimit në Itali, gjatë vitit të kaluar kemi importuar nga shteti fqinj rreth 0.1% të totalit të sheqerit. Ndërkohë, që nga ky vend, gjatë vitit 2002 importuam 61% e totalit të sheqerit. Importi dhe tregtimi i sheqerit në vendin tonë realizohet prej vitesh nga dy kompani të mëdha importuese të produkteve ushqimore si Sucralba dhe Ferra & Co. Importet në mënyrë sporadike të tregtisë me Malin e Zi nga veriu dhe Greqinë në jug, të realizuara nga kompani të tjera nuk i kalojnë 500 ton në vit duke përbërë më pak se 1% të importeve. Ndonëse sipas importuesve kryesorë, këta aktorë të vegjël ndikojnë me çmime në treg, sipas eskpertëve të tregtisë, përqëndrimi i tregtisë në vetëm dy kompani mund të përbëjë rrezik për tregun në drejtim të rritjes së çmimit. Mungesa e hyrjes në këtë treg të kompanive të tjera, sipas importuesve aktualë të sheqerit, është vështirësia e tregtimit të këtij produkti. Sipas tyre, importi por mbi të gjitha blerja e sheqerit në bursë kërkon vëmendje. Për më tepër, kohët e fundit, kur luhatja e çmimeve është e dukshme kjo lloj tregtie duket se është bërë e vështirë edhe për tregtarët me eksperiencë në këtë sektor. Paqëndrueshmëria e çmimit të sheqerit dhe rreziku i ndonjë rritje të mundshme të çmimit në të ardhmen frenon blerjet. Konsumi në vendin tonë i sheqerit llogaritet në rreth 20 kg/person/vit. Krahasuar me shumë vende, por edhe me shtetet fqinje, shqiptarët konsumojnë më pak sheqer. Kështu në Maqedoni, sipas të dhënave ndërkombëtare të konsumit, një person konsumon rreth 34 kg sheqer në vit, më Mal të Zi ky nivel është akoma më i lartë dhe arrin në gati 40 kg për person. Prodhimi në nivel botëror llogaritet rreth 224 milionë ton në vit dhe tregu shqiptar përbën vetëm 0.02% të tij. Shoqatat e prodhuesve në nivel ndërkombëtar vlerësojnë se sheqeri prodhohet në më shumë se 100 vende të botës. Rreth 76 % e tij përbëhet nga kallami i sheqerit që rritet kryesisht në zonat tropikale dhe subtropikale. Si për shumë produkte të tjera, konsumatorët më të mëdhenj, mbeten edhe prodhuesit më të mëdhenj.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj