Shpallet tenderi për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes së KESH
Planifikohet të shitet 51% deri 76% të Kompanisë së Shpërndarjes tek një investitor strategjik. Sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE: “këto humbje janë rreth 2 miliardë KËh në vit, nga të cilat, 1 miliardë KËh janë humbje jo-teknike dhe që shkaktojnë një dëm shumë të madh ekonomik”
Tiranë - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE) ka shpallur tenderin për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes së KESH-it përmes publikimit të Ftesës për Aplikim në Parakualifikim në gazetën “Financial Times”.
Korporata Financiare Ndërkombëtare, (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, po ndihmon Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë në procesin e privatizimit bazuar në marrëveshjen që ajo ka me të. IFC-ja është angazhuar për të këshilluar METE-n në ndarjen e aseteve te Kompanisë së Shpërndarjes nga aktivitetet e tjera të KESH-it. IFC-ja gjithashtu do të ndihmojë për të strukturuar transaksionin dhe bërë atë sa më tërheqës për sektorin privat. Kjo do të realizonte një proces konkurrues të hapur dhe transparent në mënyrë që të ofrohet një partner strategjik privat optimal, i cili do të punojë dhe do ta zhvillojë më tej kompaninë.
Shumë investitorë ndërkombëtarë potencialë qe morën pjesë në Konferencën e Investitorëve të KESH-it, mbajtur në Tiranë në 8 prill, shprehën interesin për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes së KESH-it.
Nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar,qeveria shqiptare planifikon te shesë 51% deri 76% të Kompanisë së Shpërndarjes tek një investitor strategjik. Privatizimi është një hap i nevojshëm për të ulur humbjet në shpërndarjen e energjisë elektrike, të cilat po vazhdojnë të dëmtojnë rëndë vendin. Sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE: “këto humbje janë rreth 2 miliardë KËh në vit, nga të cilat, 1 miliardë KËh janë humbje jo-teknike dhe që shkaktojnë një dëm shumë të madh ekonomik”. Për këtë arsye pritet që privatizimi të ketë një ndikim thelbësor pozitiv në ekonominë shqiptare. Ndarja dhe privatizimi i Kompanisë së Shpërndarjes është gjithashtu një hap i rëndësishëm në rrugën e pakthyeshme të integrimit në Bashkimin Evropian. Banka Botërore dhe USAID kanë marrë pjesë dhe kanë mbështetur këtë proces si donatorë. Privatizimi i Kompanisë së Shpërndarjes së KESH-it, është më i madhi dhe më kompleksi në sektorin e energjisë në Shqipëri.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj