Faqja e Pare | Ekonomi | Hiqet kërkesa për paraqitjen e librave të shitjeve për tatimpaguesit e TVSH-së

Hiqet kërkesa për paraqitjen e librave të shitjeve për tatimpaguesit e TVSH-së

Germezoni: Decrease font Enlarge font

  

Vendimi i ri i Ministrit të Financave nr 17, datë 13.05.2008, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” heq procedurën e dorëzimit mujor të librave të shitjeve dhe blerjeve, duke rikonfirmuar si detyrimin ligjor për mbajtjen e saktë dhe të rregullt të tyre nga biznesi, ashtu dhe parimin e vetëdeklarimit dhe kontrollit të strukturuar tatimor 

Tiranë - Tatimpaguesit e TVSH-së nuk kanë më nevojë të paraqiten në degët e tatimeve për të paraqitur brenda datës 14 të çdo muaji librat e shitjeve dhe blerjeve, siç qe procedura e deritanishme.

Në frymën e reformimit dhe modernizimit të mëtejshëm të sistemit tatimor në Shqipëri, të mbështetur dhe nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, i administruar nga USAID, Vendimi i ri i Ministrit të Financave nr 17, datë 13.05.2008, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” heq procedurën e dorëzimit mujor të librave të shitjeve dhe blerjeve, duke rikonfirmuar si detyrimin ligjor për mbajtjen e saktë dhe të rregullt të tyre nga biznesi, ashtu dhe parimin e vetëdeklarimit dhe kontrollit të strukturuar tatimor. Ky vendim i përgjigjet komenteve të komunitetit të biznesit. Ai zvogëlon numrin e kontakteve me inspektorët tatimorë si dhe hapësirat për subjektivizëm dhe praktika korruptive.

Kështu, kur tatimpaguesit bëjnë deklarimin e TVSH-së përmes internetit duke përdorur sistemin e deklarimit elektronik të taksave nëpërmjet faqes së internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT): www.tatime.gov.al, duke filluar që nga muaji qershor, ata nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në zyrat e tatimeve për kryerjen e procedurave të tjera në lidhje me deklarimin e TVSH-së. Shërbimet elektronike të taksave me shkarkimin e formularëve tatimore nga interneti dhe deklarimin e pagesën e tyre në formë elektronike e bëjnë më të lehtë dhe më me pak kosto përmbushjen e detyrimeve tatimore për bizneset.

Eliminimi i kërkesës për paraqitjen e librave të shitjeve dhe blerjeve në vendimin për TVSH-në, i cili hyn në fuqi me botimin në fletoren zyrtare, është pjesë dhe mundësohet falë hapave të ndërmarra nga Ministria e Financave si në drejtim të legjislacionit, me ligjin e ri për procedurat tatimore, për procedura më të thjeshta, të parashikueshme dhe transparente në fushën e tatimeve, ashtu dhe për riorganizimin e administratës tatimore. Këto çojnë në një funksionim më të efektshëm të administratës tatimore në bazë të parimeve të shërbimit ndaj tatimpaguesve si dhe përdorimit të praktikave më të mira ndërkombëtare për administrimin e taksave duke përfshirë dhe përzgjedhjen e subjekteve për kontroll tatimor në bazë të  analizës së riskut . 

Drejtuesit e industrisë së naftës para senatorëve për çmimet e larta 

Uashington-- Ligjvënësit amerikanë morën në pyetje të mërkurën drejtuesit e industrisë së naftës lidhur me çmimin e lartë të saj. Kreu i komisionit juridik të senatit akuzoi kompanitë e naftës se po nxirrnin përfitime të jashtëzakonshme dhe kërkuan të dinin se cilat ishin masat që kjo kompani po merr për t’i vënë çmimet nën kontroll. Ndërkohë çmimet e karburantit vazhdojnë të rriten, edhe në prag të sezonit të pushimeve në Shtetet e Bashkuara, kur njerëzit bëjnë udhëtime të gjata. Pothuajse çdo ditë, çmimi i naftës arrin rekorde të reja. E megjithatë, analisti i energjisë Kevin Savij paralajmëroi se çmimet do të rriten edhe më shumë. “Tani po fillon sezoni i udhëtimeve dhe ka më shumë kërkesë për karburant. Se në ç’nivel do të qëndrojnë, varet nga fakti se ku duan t’i çojnë përfitimet pjesëmarrësit në treg”. Për disa njerëz çmimi i lartë i naftës po bëhet i papërballueshëm. Për të folur për shqetësimet gjithnjë e më në rritje, ligjvënësit amerikanë thirrën drejtuesit e kompanive të naftës në Komisionit Juridik të Senatit të mërkurën. Senatori Riçard Dërbin u tregua i ashpër:

“Nuk ju shqetëson aspak ajo që po na bëni? Përfitimet që po nxirrni, kostoja që po u impononi familjeve, bizneseve të vogla, shoferëve, fermerëve? Nuk ju bën përshtypje që do të merrni një miliard më shumë nga qytetarët dhe ekonomia e Amerikës? A e shqetëson ndonjërin nga ju, ajo që po i bëni vendit?” Drejtuesit e kompanive të naftës thanë se e kuptonin shqetësimin e konsumatorëve, por u dolën në mbrojtje fitimeve prej 36 miliardë dollarësh që ata nxorrën gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Megjithëse ata këmbëngulën se fitimet e naftës përputhen me atë të industrive të tjera, senatori nga Uiskonsi Herb Kol tha se kjo nuk e bindte:

“Ju po nxirrni fitime të pashembullta. Kështuqë fakti është që industria juaj nuk ka problem të dyfishojë, apo trefishojë përfitimet tuaja. Edhe kur çmimet e karburantit kalojnë çdo kufi, ju nuk e keni problem të vazhdoni të rrisni fitimet. Kjo nuk është aspak e drejtë”. Presidenti i kompanisë Shell, Xhon Hofmaister nuk kërkoi falje. Ai fajësoi për rritjen e çmimeve të naftës, shtimin e kërkesës globale dhe dobësimin e dollarit. “Pavarësisht se mund të duket si një arsye jo interesante, këtu bëhet fjalë thjesht për ligjet e kërkesës dhe ofertës”. Nënpresidenti i Eksonit Stivën Sajmon e pranoi se kompania e tij ka përfituar nga rritja e çmimeve të naftës, por tha se këto çmime përcaktohen nga tregu. “Nuk janë fitimet tona që rrisin çmimet që paguajnë konsumatorët. Është lënda e parë që na duhet të blejmë në treg për të nxjerrë prodhimet për konsumatorët”.   Drejtuesit e industrisë së naftës thanë se ligjvënësit duhet të mos merren me fajësime dhe paralajmëruan se masat ndëshkuese kundër kompanive të naftës do të dëmtonin vetëm kërkimet e ardhshme. Ata u kërkuan gjithashtu ligjvënësve që të heqin kufizimet për shpim në pjesë të Shteteve të Bashkuara, të cilat ata thonë se mund ta pakësojnë varësinë e vendit tek nafta e huaj.

Çmimi i naftës arriti një rekord të ri të enjten, duke kaluar 135 dollarë për fuçi, në një atmosferë shqetësimesh për nivelin e kërkesës dhe ofertës. Është e dyta ditë radhazi që çmimi vazhdon të rritet në nivele rekord në bursën e Nju Jorkut. Nafta u shit të mërkurën me afro 134 dollarë për fuçi. Rritja e çmimeve ka ndodhur në përgjigje të shqetësimeve për mungesa në furnizime në mbarë botën. Ka tregues se këto mungesa mund të bëhen më të theksuara. Gazeta Ëall Street Journal njofton se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë me seli në Paris do të nxjerrë parashikimet e saj se kompanitë e naftës do ta kenë të vështirë të prodhojnë 100 milionë fuçi në ditë në vitin 2030. Agjencia kishte parashikuar më parë se prodhimi i naftës në vitin 2030 do të arrinte në 116 milionë fuçi në ditë. 

Punimet në doganën e Murriqanit ecin me ritme të shpejta 

SHKODËR.- Dogana e Muriqanit në rrethin e Shkodrës, e cila sipas projektit të Bashkimit Europian do të funksionojë e përbashkët mes dy shteteve fqinj, Shqipërisë dhe Malit të Zi, do të jetë gati në fundin e këtij viti. Gjatë përurimit që iu bë fillimit të punimeve më 21 prill me praninë e dy kryeministrave, shqiptar dhe malazes, Sali Berisha dhe Milo Gjukanoviç, si dhe të përfaqësuesve të Komunitetit Europian, drejtuesit e firmës ndërtuese morën zotim se do të punojnë me ritme më të shpejta për ta dorëzuar doganën e re në fund të këtij viti. Viktor Apostoli, drejtor i kompanisë së ndërtimit në këtë doganë, tha te enjten për ATSH-në, se "deri tani janë kryer punimet e sistemimit të rrugës së re të doganës, duke e zhvendosur atë në një pozicion tjetër". Krahas ngritjes së kantierit, punimet kanë avancuar më tej duke hedhur e sistemuar rreth 4 mijë metër kub çakëll, janë shtruar 500 metër asfalt, janë hequr mbi 12 mijë metër kub dhera në kodër etj. Ndërkohë, kanë përfunduar plintat e korpusit më të madh të objektit, si dhe është në mbarim soleta e katit të dytë me rreth 420 metër katrorë. Pas pak ditësh do të fillojnë punimet edhe për bllokun “B” të objektit. “Ecuria e mirë e punimeve garanton që në muajin qershor të mbarojë tërësisht blloku “B” dhe të fillohet menjëherë blloku “C”. Kjo do të arrihet duke punuar në mënyrë të barabartë edhe për sistemimin e ujërave të bardha dhe ato nëntokësore, sistemin e kanalizimit, instalimet elektrike, hidrosanitare, telefonike, etj", tha Apostoli. Dogana e Muriqanit në përfundim të saj, parashikohet të jetë me rreth tetë mijë metër katrorë në tërësinë e saj të sipërfaqes. Ndërkohë, vetëm godinat funksionale do të jenë afërsisht me 700 metër katrorë, çka do ta bëjë këtë sektor shumë funksional dhe bashkëkohor në shërbimin e tij për të dy palët, shqiptare dhe malazeze

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
5.00
Powered by ANA Creative