Ekonomi: Kanadezët “Stream Oil & Gas Ltd.” , investim për nxjerrje gazi në Delvinë, Kompania greke, 32 milionë Euro spital në Shqipëri
Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” shpreson të investojë të paktën 200 milionë USD mbi projektet e planifikuara në fushën e energjetikës së Shqipërisë dhe mbi 300 milionë USD për zhvillimin e centraleve elektrike të bazuara në gazin e zonës së Delvinës
Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” shpreson të investojë të paktën 200 milionë USD mbi projektet e planifikuara në fushën e energjetikës së Shqipërisë dhe mbi 300 milionë USD për zhvillimin e centraleve elektrike të bazuara në gazin e zonës së Delvinës
Tiranë - Investimet në energjitikë ishin në qëndër të aktivitetit të organizuar nga kompania kanadeze “Stream Oil & Gas Ltd.” gjatë paraqitjes së Strategjisë së investimit në Shqipëri mbi projekte të planifikuara në këtë sektor. Në këtë eveniment të organizuar në hotel “Sheraton”, merrnin pjesë krahas drejtuesve të lartë të kompanisë “Stream Oil & Gas Ltd.” dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, personalitete të larta të Qeverisë, drejtues dhe ekspertë të lartë të institucioneve qëndrore publike, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të biznesit, si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, Presidenti i kompanisë “Stream Oli & Gas Ltd.” , Sotiris Kapotas, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen i paraqiti këtij auditori të nderuar planin e investimit në Shqipëri. Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” është një kompani publike kanadeze, e cila ka lidhur me datën 8 Gusht 2007 një Marrëveshje Hidrokarbure me kompaninë Albpetrol Sh.A për vlerësimin dhe rizhvillimin e zonave të naftës Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe gazit të Delvinës bazuar në Licensën ekzistuese të Albpetrol-it me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të Shqipërisë (AKBN). Që të katër Marrëveshjet Hidrokarbure u ratifikuan nga Këshilli i Ministrave, siç është njoftuar në Gazetën Zyrtare të Qeverisë me 23 Gusht 2007 dhe hyrë në fuqi me 9 Shtator 2007.
Për të kryer veprimet e duhura dhe përshkruara në këto Marrëveshje, kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” angazhoi një kapital minimum prej 4,8 milionë USD gjatë një periudhe 24-mujore për vlerësimin dhe rehabilitimin e puseve korrespondente. Pasi i vlerësoi ato, propozoi tek Albpetrol dhe Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore një Plan Zhvillimi.
Marrëveshjet përfshijnë të drejtën për rizhvillim, prodhim dhe shitje të produkteve të zonave ekzistuese të naftës dhe gazit, duke shfrytëzuar puset dhe infrastrukturën ekzistuese. Licensa 25-vjeçare e prodhimit përfshin variante zgjerimi bazuar në prodhimin e vazhdueshëm ekonomik. “Sproule International Limited” (Canada) ka përgatitur një raport të pavarur për pasuritë shqiptare dhe Planin e punës së kompanisë “Stream Oil & Gas Ltd.” në pajtim me kërkesat e legjislaturës kanadeze. Nga nëntori i 2007 kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” ka themeluar zyra operative në Tirane, Fier dhe Delvinë;
Ka përfunduar marrjen në dorëzim të zonës së gazit të Delvinës dhe disa puseve të naftës bruto në zonat Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul; Ka inicializur përmirësime të ndërtesave të sipërfaqes dhe të ambjenteve të punës në zonat përkatëse; Ka inicializuar studime mbi rrethanat e zonave të marra në dorëzim në mënyrë që të kuptojë dhe fillojë procesin e tyre të rehabilitimit; Ka nënshkruar Marrëveshje shitjeje të naftës dhe gazit bruto me Albpetrol-in dhe ARMO duke i ofruar atyre naftë dhe gaz bruto; Ka angazhuar kompaninë “Rompetrol” për të bërë studime teknike dhe ambjentale të linjës së bazave, si dhe ka bërë propozime për përmirësimin e ekuipazheve ekzistuese, metodave të rehabilitimit dhe marrjes në dorëzim të puseve;
Ka pajtuar autosonda të Albpetrol-it në mënyrë që të fillojë veprimet për rehabilitimin dhe përfundimin e punëve; dhe
Ka marrë përsipër zhvillimin e studimeve pasive sizmike në zonën e Delvinës. Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” ka planifikuar të marrë me qira pajisje të përshtatshme shpimi, të përmirësojë dhe përdorë metoda të nivelit të lartë teknologjik për të vazhduar rehabilitimin e zonave prodhuese. Planet afatgjata përfshijnë gjithashtu studime të mundshme në fushën e zhvillimit të fabrikave të prodhimit të elektricitetit nga gazi i zonës së Delvinës. Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” shpreson të investojë të paktën 200 milionë USD mbi projektet e planifikuara në fushën e energjetikës së Shqipërisë dhe mbi 300 milionë USD për zhvillimin e centraleve elektrike të bazuara në gazin e zonës së Delvinës. Gjithashtu, kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” ka planifikuar që ky investim të gërshetohet edhe me një kontribut të madh social në zonat ku do të operojë. Në këtë planifikim parashikohet: Punësim i punonjësve vendas me sigurime shoqerore dhe medikale, si dhe përfitime të tjera; Punësim kontraktorësh lokalë për ofrim shërbimesh në fushën e naftës; Standarte të larta sigurimi shendetësor dhe mirëqënieje të punonjësve, sigurim shëndetësor internacional dhe procedura të ndryshme, trajnime dhe orientime, angazhim për ndërtim marrëdhëniesh të mira me komunitetet locale; Kontribut në rritjen e mirëqënies, të edukimit dhe infrastrukturës së komunitetit local.
I hiqet licensa firmës minerare "Durici 07"
TIRANE- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, nëpërmjet një letre, i ka kërkuar bashkëpunim Prokurores së Përgjithshme për të parandaluar aktivitetin e paligjshëm në objektet minerare të mbyllura, duke i vënë në dispozicion edhe materialet mbi ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Bulqizë, bëri të ditur të enjten për median, zëdhënësja e METE-s, Iva Tiço. Në vendngjarje, ku vdiq 1 person dhe u dëmtuan 3 të tjerë, që nga dita e djeshme shkoi dhe një grup nga Inspektim-Minierat, i cili, pasi shqyrtoi rrethanat, konkludoi se aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të masave të sigurimit teknik. Pas denoncimit në organet e Prokurorisë nga reparti i Inspektim-Minierave, ministri i METE-s, Ruli, firmosi heqjen e licencës për subjektin privat "Duriçi 07", bëri të ditur Tiço. Duke marrë shkas nga ky aksident, ministria ripërsërit për të disatën herë se aktivitetet e rihapjes së shumë punimeve në objektet e vjetra minerare, të cilat, për efekt sigurie, janë të mbyllura, janë të paligjshme. Sipas të dhënave, deri tani janë rihapur rreth 150 vendburime minerare të mbyllura në ish- minierat e kromit, hekur-nikelit, etj. Që nga muaji janar, METE ka ngarkuar shoqëritë "Albminiera", "Albkrom" dhe "Albakër", që të verifikojnë të gjitha punimet e rihapura dhe të vënë në dijeni organet e pushtetit lokal dhe të Policisë për të parandaluar këto aktivitete të paligjshme, me pasojë vdekjen e njerëzve. Gjithashtu, i ka kërkuar këtyre që të kontrollojnë aktivitetin e firmave të licencuara edhe për respektimin e rregullave të sigurimit teknik.
Mbyllet Uzina Mekanike në Elbasan
ELBASAN- Dega e Tatimeve në Elbasan, bllokoi mesditën e së enjtes Uzinën Mekanike sh.a, pasi prej 3 vjetësh nuk ka paguar kontributet shoqërore për 56 punëtorët e saj, me një vlerë debitore prej 17 milionë lekësh.
Shefi i Degës së Tatimeve, Skënder Daja, tha për ATSH-në, se "kjo ndërmarrje, që ushtron aktivitetin prej më shumë se 10 vjetësh, është një nga debitorët më të mëdhenj të degës së tatimeve". Ai sqaroi se drejtuesve të uzinës u ishte lënë nëntë muaj afat për të shlyer këto detyrime, por ata nuk morën asnjë masë, derisa u detyruam që të mbyllnim aktivitetin.
Uzina Mekanike, e cila ndodhet në ambientet e ish- Kombinatit Metalurgjik, u bllokua para nëntë muajsh dhe dega e tatimeve i la këtë afat kohor me qëllim që drejtuesit të shlyenin shumën në fjalë.
Tiranë- Konsorciumi grek Terna SA tha se ka fituar një kontratë prej 32 milionë eurosh për ndërtimin e një spitali të ri në Shqipëri. Kompania nuk ka dhënë ndonjë detaj tjetër rreth këtij projekti. Terna është një nga konsorciumet më të mëdha në Ballkan dhe ka më shumë se 30 vjet eksperiencë në këtë fushë. Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Europë, dhe një e treta e popullsisë jeton nën nivelin ndërkombëtar të varfërisë prej 2 dollarë në ditë. Sistemi publik shëndetësor vuan nga mungesa e pajisjeve dhe mjeteve financiare. Por me rritjen e të ardhurave rriten edhe kërkesat për shërbimin privat shëndetësor. Shpenzimet publike të Shqipërisë në shëndet janë 2.7% e PBB-së për vitin 2007, më pak se një e treta e mesatares në gjithë Bashkimin Europian



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj