Dade: Berisha në Bruksel përcjell mesazh jo real. Shqipërisë iu kërkua më shumë reforma e rezultate
Vizita e fundit e kryeministrit Berisha në Bruksel, ishte një rast i mirë për të matur dhe verifikuar nivelin e marrëdhënieve
Vizita e fundit e kryeministrit Berisha në Bruksel, ishte një rast i mirë për të matur dhe verifikuar nivelin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, të tashmen dhe perspektivën me organizatën më të rëndësishme politike e ekonomike të kontinentit, me të cilën jemi prej vitesh në një proces të gjatë marrëdhëniesh të ngushta. Me keqardhje vërejmë se përkundër mesazheve të qarta dhe pa ekuivoke që erdhën nga zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian, përfshirë Presidentin e tij Hoze Manuel Barroso, kreu i qeverisë shqiptare nuk e frenoi as këtë rradhe triumfalizmin e tij të njohur, si dhe dëshirën për të servirur një realitet tjetër nga ai që njohim sot në marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
Është për të ardhur keq kur vazhdojmë t’i ofrojmë opinionit publik formula mirësjelljeje të homologëve të huaj, për arritje dhe suksese, kur spekullojmë me deklaratat e zyrtarëve që takojmë, duke i transformuar sipas një gjuhe hileqare e të pandershme, kur kërkesat e qarta për më shumë ritëm në reforma dhe angazhim serioz ndaj axhendës europiane, e fshehim pas formulimeve rozë që thonë gjithçka, pa thënë në fakt asgjë.
Vizita e fundit e kryeministrit në Bruksel zbuloi vonesën që po akumulohet në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëdhëniet kontraktuale që kemi me BE. Administrata, lufta kundër korrupsionit e evazionit fiskal, lufta ndaj trafiqeve e krimit të organizuar dhe respektimi i standardeve demokratike, vazhdojnë të mbeten më shumë emergjenca, sesa përparësi për qeverinë shqiptare. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që PD e firmosi dhe PS e negocioi, vazhdon të mbetet e paratifikuar nga një numër i madh vendesh anëtare, përfshirë fqinjët tanët, me të cilet kemi marrëdhënie e bashkëpunim mjaft të ngushtë. Mos ratifikimi i MSA është dëshmia më e qartë e paaftësisë që kjo administratë ka në menaxhimin e vetë procesit të integrimit.
Kjo neglizhencë e pafalshme e institucioneve më të larta të shtetit, po sjellë në mënyrë të pashmangshme vonesa e tërheqje zvarrë edhe në pjesën tjetër të procesit, në hapat drejt kërkesës së kandidimit në BE. Është paradoksale që sot qeveria të pretendojë se ka mundur të avancojë marrëdhëniet me BE dhe se e ka përmbushur axhendën europiane, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë sinjal që të flasë për një demarsh të afërt diplomatik e shtetëror, në drejtim të hapave të mëtejshme të afrimit me Bashkimin Europian. Në këto kushte, është ironike dhe e pandershme që të tregohen publikisht përralla me liberalizim vizash, në kohën që të gjithë e dinë, e më së pari vetë zoti Berisha, që kjo është një perspektivë ende e largët dhe e kushtëzuar me disa detyra shtëpie, të cilat ne nuk i kemi marrë akoma seriozisht. E njëjta gjë mund të thuhet për punën gjigande që na duhet të bëjmë për të marrë rezultate të prekshme në të gjitha sfidat që nisin me marrjen e ftesës në NATO dhe periudhës për ratifikimin e Protokollit deri në anëtarësim të plotë në këtë organizatë. Personalitetet e Departamentit të Shtetit, të Kongresit dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së që pritën delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë folën qartë lidhur me parametrat, ku duhet mbërritur për ta arritur këtë objektiv.
E vërteta e hidhur që qëndron pas kësaj, na thotë se Shqipëria vijon të jetë sot një vend që nuk përmbush shumë prej standardeve të BE-së. Politizimi i tejskajshëm i administratës, vetëm dje opinion publik u njoh me shqetësimin e PD-së në Elbasan duke manifestuar koncept arkaik dhe militantist lidhur me administratën publike. Ne pamë sesi koalicioni qeverisës u përfshi në një luftë me njëri-tjetrin dhe sesi postet publike jepen si shpërblim partizanllëku; reforma të vonuara dhe që nuk japin thuajse asnjë rezultat në jetën e shqiptarëve, një korrupsion galopant në rritje dhe një frymë arrogante e shtetit ndaj qytetarit, që e gjen simbolikën e saj vetëm në shpërthimin e Gërdecit, kjo është Shqipëria e sotme që ka ngecur në vend-numëro në procesin e integrimit europian.
Sado që kryeministri u përpoq ta shesë si të suksesshme vizitën e tij në Bruksel, dëshiroj t’i kujtoj atij dhe qeverisë që drejton, se është më racionale dhe transparente që administrata të vihet urgjentisht në lëvizje për t’i dhënë një impuls dhe ritëm tjetër procesit të integrimit europian. Nuk është diçka e urtë dhe e mençur, që ftesën për aderim në NATO ta përdorim si valium për të vënë veten dhe popullin në gjumë. Procesi ka dy shina dhe është mirë që asnjëra prej tyre të mos neglizhohet, përndryshe rezultati është i mangët, aspiratat e shqiptarëve të papërmbushura.



del.icio.us
Digg
Komente (3 vendosur):
E nisa me kete nenvizim te fundit te z. Dade bere mbylljen e shkrimit te saj mbi viziten e kryeministrit tone ne Bruksel, pasi me duket nje nenvizim me vend. Une nuk mund te komentoj si nje lexues i thjeshte sa parashtorn ajo, po dhe ckam cte komentoj. Jane thene e thene plot gjera per mangesite e qeverissjes sone sa ne qe aty i kemi syte dhe na lodhin se ka fjale shume dhe pune pake. Nje fjale e urte popullore thote ne dasma: "Mos u mburr mos u levdo, neser mbrema do t'i sho" , kete kryeministri yne e harron kete thenie shume dimesionale te popullit, dhe kur flet andej jashte, flet "mbrockulla" i themi ne andej nga Dangellia, kur dihet e thna me te bere i ndan nje det i tere". Nuk eshte vendi per tu mare me keto se gjerat jane serioze, po mesime te popullit jane dhe atje duhet te mbeshtetemi.
Faleminderit z. Dado dhe pasuesve ne te mire te ketij Kombi qe po lengon nga ai "litar nyje"ne fyt qe po e asfikson.
Zgidheni ate nyje, si perfaqesues te shumices se popullit qe jeni ju e majta (natyrisht pa marre parasysh ato ndasite per interesa te ngushta...)
Nje dashamires i mbrodhesise se vendit me gen Dangellie te "Vellezerve Frasheri".
Me konsiderate Golik Kokojka.
Toronto 9 maj 2008.
Vendosni komentin tuaj