Me eprorë si Saliu dhe Mediu, nuk mund të funksionojnë normalisht F.A.
Tashmë opinioni ka në dispozicion shumë informacion lidhur me ngjarjen kriminale të Gërdecit. Është shumë e qartë se organizimi i demontimit të
Nga Pirro Lutaj
Tashmë opinioni ka në dispozicion shumë informacion lidhur me ngjarjen kriminale të Gërdecit. Është shumë e qartë se organizimi i demontimit të armatimit luftarak ngjitur me autostradën kryesore të vendit dhe vetëm 15 km larg kryeqytetit të Shqipërisë, nuk ka patur si qëllim “plotësimin e standardeve për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO” siç kërkojnë dhe e paraqesin atë dyshja Berisha-Mediu, por një qëllim krejt tjetër, atë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasojat e të cilit për hapësirën shqiptare do të kujtohen siç kujtohet ne Botë shpërthimi në Hiroshima.
Mbrojtja e Fatmir Mediut në Këshillin për rregulloren dhe imunitetet nuk tregoi asnjë shenjë të pafajësisë së tij, përveç se evidentoi gjithë personat ushtarakë që kishin dijeni për ngjarjen në Gërdec, a thua se ish Ministri nuk e kupton që përgjegjësinë kryesore për një krim e kanë autoret e krimit dhe jo ata që kanë dijeni për të.
Natyrisht nuk duhet të shmanget nga përgjegjësia asnjë person që ka edhe 1 % lidhje me ngjarjen e rëndë të Gërdecit, qoftë ky ushtar apo gjeneral, por në bazë të dokumentave që janë shpërndarë dhe mund t’i gjesh në çdo cep të Tiranës. Autorët e ngjarjes së rendë të Gërdecit, rezultojnë Kryeministri, Ministri Mbrojtjes, Delijorgji i cili u bë “bos” me paret e përziera me 26 jetët e pafajshme.
Ju kërkoj falje familjarëve dhe të afërmeve të atyre që kanë humbur jetën ose janë plagosur në këtë krim të rëndë shtetëror, që po detyrohem t’ju lëndoj plagën e madhe që u shkaktoi atyre qeveria e Saliut.
Duke bërë një analizë të hollësishme të të gjitha materialeve dhe dokumentave që kanë firmosur e vulosur dyshja Berisha-Mediu, e posaçërisht VKM Nr.138 datë 14.3.2007 dhe Urdhri I MM Nr. 2044 dhe 7.12.2007 rezulton se FA kanë patur dy detyra;
- Të bëjnë transportimin dhe dorëzimin e municionit tek objekti i kontraktuar nga ndërmarrja MEICO.
- Të bëjnë ruajtjen nga jashtë të objektit.
Është e qartë për të gjithë se ngjarja nuk ndodhi as gjatë transportit e dorëzimit dhe as në rrethimin e jashtëm të objektit, por mu në zemër të procesit të demontimit që kryhej nën përgjegjësinë e Ministrit të Mbrojtjes dhe strukturave vartëse të tij dhe kontraktori privat.
Pra e thënë shkurt, autorët e kësaj ngjarjeje tragjike janë tashmë të ekspozuar qartësisht. Ata fillojnë nga Kryeministri i Shqipërisë nëpërmjet VKM Nr.136, dhe vazhdojnë me Urdhrat e përpiluara nga Delijorgji në interes të biznesit të tij vrastar të firmosura nga ish Ministri i Mbrojtjes.
Jam i bindur se Prokuroria e ka mjaft të thjeshtë ta dokumentojë këtë veprimtari kriminale dhe të përcaktojë shkaktarët, prandaj le ta lemë atë një sahat e më parë të lirë për të vepruar.
Qëndrimet tuaja z. Kryetare lidhur me veprimet e Prokurorisë për këtë ngjarje, tregojnë qartë se në Shqipërinë tonë, vetëm koncepti i ndarjes së pushteteve nuk ekziston.
Askush nuk mund ta kuptojë qëndrimin tuaj zonja Topalli që kërkoni të merrni mbi vete misionin e pamundur të fshehjes së krimit. Mediu dhe ustallarët e shtetkapjes nuk e kanë të lehtë këtë herë. Ata nuk i ndihmoni dot as ju dhe as alternativa e shpërndarjes së fajit duke ju referuar F.A. apo institucioneve të tjera të Sigurisë.
Zotërinj kolegë. Është e rëndësishme të theksoj se në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është mjaft shqetësuese edhe situate post-Gërdec. Deri tani që po flasim, pra pas gati 3 muaj nga koha kur ndodhi tragjedia në strukturat e kësaj ministrie nuk është zhvilluar asnjë analizë. Këto struktura janë në amulli të plotë dhe në mënyrë të çuditshme megjithëse janë pjesë e një dikasteri, duket se po vijojnë ekzistencë duale dhe të ndara si në dy formacione të kundërta lufte administrative dhe institucionale.
E kam thënë edhe herë tjetër se si anëtar i komisionit parlamentar për sigurimin kombëtar dhe pjesëtar i një formacioni politik që i do dhe i mbështet reformat në interes të Shqipërisë kam përkrahur iniciativat e ardhura në Kuvend nga MM, por kam kundërshtuar veprimet që cënojnë rëndë Kushtetutën e vendit siç është organizimi “i ri” i Forcave të Armatosura në kundërshtim me nenin 168 pika 1 të saj. Po kështu kemi kundërshtuar me forcë ligjin që mazhoranca Juaj miratoi me ngut për eksport-importet e mbetjeve të armatimit dhe materialeve me përdorim të dyfishtë.
Edhe pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gërdec, Brenda strukturave të MM dhe Shtabit të Përgjithshëm, vazhdojnë telashet e mëdha përsa u përket administrimit dhe asgjësimit të armatimeve dhe municionit.
Shqetësuese është edhe situate e personelit. Si rezultat i reformave politike që keni bërë sipas kutit dhe interesave tuaja vrastare, kemi sot një situatë alarmante, që nuk përputhet kurrsesi me standardet e NATO-s. Keni rreth 1000 kuadro ushtarakë të niveleve të ndryshme që nuk u përputhet grada me funksionin.
E pra kjo është reforma dhe standardet tuaja në FA, të cilat u bënë të njohura për shkak të fatkeqësisë së rëndë që mori jetën e 26 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosi rreth 300 të tjerë atje në Gërdec…
Ushtria e çdo vendi demokratik mbështetet përveç të tjerash mbi tre shtylla kryesore: - Organizimi strukturor.
- Administrimi i kapaciteteve luftarake, plotësim të misionit, teknik, armatim, etj.
- Administrim të kapaciteteve njerëzore.
Të tri këta faktorë për ushtrinë tonë ku nuk reflektohet asnjë lidhje midis eprorit dhe vartësit, përveçse kush e kush ta shesë më parë tjetrin dhe ju po e ktheni në një anarshi konsistojnë:
- Në organizim strukturor të FA në kundërshtim me Kushtetutën
- Në keqadministrim të kapaciteteve luftarake, deri në vrasje njerëzish të pafajshëm.
- Në keqadministrim të burimeve njerëzore, deri në shpërfytyrim.
- Nga kjo foltore po i drejtohem Komandantit të Përgjithshëm, zotit Bamir Topi dhe Kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha, boll më me demagogji dhe propagandë. Ngrihuni në nivelin e nevojës për të kryer detyrën kushtetuese ndaj Forcave të Armatosura dhe merrni në dorë situatën në MM dhe në Shtabin e Përgjithshëm, që të mos prodhoni për shqiptarët Gërdec të tjerë. Kjo realizohet pasi të zhvillohen analizat e thella në të gjitha strukturat dhe të mos i lini kuadrot ushtarak të nëpërkëmben nga politikane të papërgjegjshëm, siç ka ndodhur deri tani. Pasi mbizotëron mendimi që me parë si Saliu dhe Mediu nuk mund të funksionojnë normalisht F.A.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
Digg



Komente (2 vendosur):
Vendosni komentin tuaj