Lufta kundër pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit – prioritet i sigurisë kombëtare
Lufta kundër pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit si një prioritet i sigurisë kombëtare është një sfidë e vështirë dhe afatgjatë. Të ndërgjegjshëm për risqet në rritje të këtij fenomeni edhe në ekonominë shqiptare, në vitin 2003
Nga Arben Malaj
Lufta kundër pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit si një prioritet i sigurisë kombëtare është një sfidë e vështirë dhe afatgjatë. Të ndërgjegjshëm për risqet në rritje të këtij fenomeni edhe në ekonominë shqiptare, në vitin 2003, nxitëm krijimin e një kuadri ligjor për luftën kundër pastrimit të parasë. Kështu, u krijua kuadri ligjor për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga pastrimi parasë dhe dyshohen për financim të terrorizimit.
Konsideruam të domosdoshëm ratifikimin e konventave ndërkombëtare në fushën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.
Njëkohësisht patëm vullnetin e plotë edhe politik për të bërë sekuestrimet e para të pasurive të personave të shpallur të lidhur me financimin e terrorizmit.
Krijimi i bazës ligjore është një parakusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Lufta kundër pastrimit ta parave dhe financimit të terrorizmit bëhet e vështirë për disa arsye:
Së pari - kosto njerëzore e parave kriminale është shumë e lartë. Ajo vjen nga droga, prostitucioni, tregtia e armëve, kontrabanda e mallrave me fitime të larta etj. Por, kosto financiare e saj mund të konsiderohet e ulët, cka i rrit mundësitë e e tyre për t’i pastruar ato edhe duke tentuar të korruptojnë nivele të larta të administratës publike dhe politike. Sidomos, në vendet me institucione të dobëta, ato tentojnë të rrisin korruptimin politik dhe në disa raste kapjen e shtetit në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Së dyti – ekspertët vlerësojnë se, financuesit e terrorizmit tentojnë të kenë avantazh teknologjik. Ata të blejnë dhe përdorin në funksion të tyre teknologjitë më të avancuara.
Së treti - pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit është fenomen gjithnjë e më shumë global. Kriminelët bashkëpunojnë më lehtë dhe më shpejt në kërkim të fitimeve të menjëhershme dhe në arritjen e objektivave të tyre politike.
Në përgjigje të këtyre tre sfidave të luftës ndaj tij, ne duhet të kemi strategjitë tona. Vullneti i qartë politik dhe në nivel kombëtar duhet të jetë momenti thelbësor.
Ne duhet të rrisim çdo bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Në këtë aspekt, edhe anëtarësimi në NATO krijon premisa më pozitive për efikasitetin e strukturave tona te sigurisë.
Ne duhet të rrisim mbështetjen buxhetore për organet tona të sigurisë për të krijuar mundësinë që të operojnë me teknologji adeguate në luftën kundër pastrimit të parave. Ne duhet t’i njohim dhe përballojmë këto kosto që, në shumë raste, shpërndahen edhe ndërmjet partnerëve, sidomos kur ato u besojnë strukturave tona reciproke.
Strukturat tona kombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duhet të rrisin efikasitetin e tyre, ato duhet të eliminojnë mbivendosjet, të qartësojnë mandatet dhe përgjegjësitë e strukturave përbërëse, edhe midis atyre që nuk janë thjeshtë qeveritare, të rrisin cilësinë, përgjegjësinë dhe efikasitetin e këtij koordinimi.
Një vend të rëndësishëm do të ketë në këtë sukses investimi tek kapacitetet njerëzore. Për të gjitha organet e sigurisë kombëtare, ne duhet të synojmë krijimin e kapaciteteve sa më profesionale, sa më të qëndrueshme dhe sa më apolitike.
Këto struktura duhet të fitojnë imunitet profesional nga rotacionet politike, duhet të përzgjidhen më kujdes, duhet të kenë motivim karriere të qartë dhe shpërblim financiar sa më të mirë.
Garantimi i karrierës duhet të jetë në parimet bazë dhe të respektueshme nga të gjitha forcat politike, dhe pas çdo rotacioni politik.
Këto struktura duhet të motivojnë dhe të thithin të rinj nga shkencat me inteligjente. Përzgjedhja e tyre, performanca e tyre, kredibiliteti i tyre jo vetëm do të rrisë efikasitetin e punës së tyre, por do të rrisë kredibilitetin e këtyre strukturave me partnerët ndërkombëtarë që është parakusht shumë i rëndësishëm për suksesin.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj