Misioni i BE. per te ndihmuar institucionet e kosoves ka rezultuar i suksesshem
“Misioni Be-së është mirë i përgatitur për të ndihmuar institucionet e Kosovës në zbatimin e planit Ahtisaari, i cili i siguron Kosovës një të ardhme të mirë edhe në procesin e integrimit në BE. Një prej elementeve të këtij plani është decentralizimi, i cili përveç që paraqet një avancim të së drejtës së njeriut, krijon edhe një qeverisje më të mirë”, ka thënë z. Burton.
Ndërkaq, dekani në UBT, Edmond Hajrizi tha se forumi do të organizojë edhe tre debate brenda këtij muaji, në të cilat pritet të marrin pjesë afro 1000 ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, dhe nga konkludimet e dala do të hartohet një plan rreth kësaj çështje, i cili do t’iu dorëzohet institucioneve të Kosovës
Mekanizmat e Bashkimit Evropian në Kosovë filluan sot fushatën për promovimin e pranisë evropiane nëpër treva të ndryshme të vendit, e cila do të zgjasë deri më 27 qershor. Me moton “Eja në Evropë”, dhe me shumë argëtim, organizatorët thanë se shpresojnë që popullit të Kosovës t’ua bëjnë më të afërt rrugën që i pret drejtë integrimit të plotë në strukturat e Bashkimit Evropian.
Derisa liderët në Kosovë kanë ftuar misionet e Bashkimit Evropian që të mbikëqyrin jetësimin e pavarësisë, ashtu siç edhe parashihet me pakon e Ahtisaarit, vetë BE-ja ka zgjedhur një formë ndryshe për të promovuar veten në Kosovë.
Përmes udhëtimit në 20 qendra të vendit, me një kamion të madh, me sloganin “Eja në Evropë” dhe me shumë argëtim, mekanizmat evropiane shpresojnë t’ua ofrojnë njerëzve të Kosovës domethënien e vlerave që synojnë.
Zëdhënësi i Zyrës ndërkombëtare civile Endi Mekgafi tha se në fund të fundit e ardhmja evropiane varet nga vetë njerëzit e Kosovës.
“Bëhet fjalë për dy ftesa njëkohësisht: njëra nga Qeveria e Kosovës që ne të vijmë këtu, dhe tjetra “Eja në Evropë” është porosi e jona për popullin e Kosovës” tha Mekgafi.
ICO dhe EULEKS, janë dy shkurtesat për misionet e reja evropiane. Simbolikisht fushata synon të zbërthejë edhe kuptimin e tyre.
“Duam të arrijmë tek sa më shumë njerëz dhe duam të sqarojmë se çfarë domethënie ka BE-ja për Kosovën”, tha zëdhënësja e EULEKS-it, Karin Lindal.
Vlera e kontratës për këtë fushatë është 200 mijë euro. Ajo filloi dje në Prishtinë dhe do të vazhdojë deri më 27 qershor.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën Piter Fejt ka thënë se misioni i EULEX it do të jetë i pranishëm në Kosovë pas 15 qershorit kur hyn edhe në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit të rregullt me Kryeministrin Hashim Thaçi. Ky i fundit shpreson se me ndihmën e autoritetit civil ndërkombëtar do të rritet edhe autoriteti i institucioneve shtetërore të vendit.
Komandanti i KFOR it gjenerali Ksavie dë Marnak, tha se misioni i NAT0-s në Kosovë është në përputhje me rezolutën 1244 të OKB së dhe se është në pritje të veprimeve të reja të misionit paqeruajtës pas 15 qershorit kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. "15 qershori është një ngjarje e madhe për Kosovën, dhe ne duhet të presim se si do të zhvillohen gjërat me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Andaj ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë misionin tonë, pavarësisht rrethanave që do të krijohen", ka theksuar komandanti i KFOR it gjenerali Dë Marnak gjatë vizitës në komunën e Vitisë, ku nga udhëheqësit lokalë u njoh edhe me shqetësimet e banorëve të brezit kufitar për shënimin e vijës kufitare me Maqedoninë. "E vetmja formë që është më e favorshme për të dyja palët është vazhdimi i dialogut mes të dy komisioneve që do të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë", u shpreh Marnak dhe shtoi se e kupton brengen e banorëve të brezit kufitar. Gjenerali Dë Marnak situatën e sigurisë e vlerësoi të qetë.
Kosovë : Decentralizimi i vështirë
Implementimi i procesit të decentralizimit në Kosovë, shihet si një proces shumë i vështirë për tu realizuar. Serbët e Kosovës nuk e pranojnë krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe. Decentralizimi i pushtetit lokal, i cili është një ndër pikat kryesore në planin e Marti Ahtisarit, fillon së implementuari më 15 qershor, sapo Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka nisur që tani fushatën informuese, sepse e cilëson këtë proces të jetë i vështirë meqenëse ndodh për herë të parë në Kosovë dhe se me të pretendohet të arrihet përparim, ashtu sikur në vendet më të zhvilluara.
Në procesin e decentralizimit parashihet krijimi edhe i tetë komunave të reja, pesë nga to vetëm për serbët e Kosovës ku ata janë shumicë. Mirëpo, problemi është se serbët e Kosovës nuk e njohin planin e Marti Ahtisarit dhe kjo, sipas udhëheqësve politik kosovarë, do ta bëjë të vështirë implementimin në vendbanimet serbe.
Sadri Ferati, ministër i pushtetit lokal thotë : "Para zgjedhjeve serbe nuk kemi pasur sinjale të mjaftueshme të bashkëpunimit me serbët. Ata kanë refuzuar institucionet e Kosovës. Mirëpo ne konsiderojmë se me jetësimin e procesit të decentralizimit do të tejkalohen problemet e serbëve sepse ata do ta kuptojnë se kjo është në të mirë të tyre. Pra, implementimi i procesit të decentralizimit nuk do të jetë i lehtë, por ne jemi të vendosur që ta zbatojmë atë", thotë Ministri Ferati.
Në të njëjtën linjë, shprehen edhe ekspertët e pushtetit lokal. Sipas tyre, problemi i implementimit të decentralizimit tash për tash, shihet në dy rrafshe. E para, është mosbashkëpunimi i serbëve në këtë proces dhe e dyta është, sepse AKM-ja, Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, që administrohet nga ndërkombëtarët, akoma nuk ka bartur përgjegjësitë tek qeveria qendrore dhe tek pushteti lokal. AKM-ja, merret me pronat dhe në këtë mes hynë edhe territoret e komunave të Kosovës të cilat duhen ripërcaktuar.
Në procesin e decentralizimit, do të krijohen edhe 8 komuna të reja, pesë nga to janë më shumicë serbe. Kostoja financiare për krijimin e këtyre tetë komunave do të jetë afro 30 milion euro. Një pjesë e kësaj shume tashmë është ndarë nga qeveria e Kosovës, mirëpo një pjesë do të kërkohet nga donatorët e huaj. Komisioni Evropian, në këtë mes ka ndarë 12. 4 milion euro, që përfshirë periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2010, kur pritet edhe të përfundojë procesi i decentralizimit.
Ky proces mbështetet nga institucionet e Kosovës, por kundërshtohet nga Lëvizja Vetvendosje, e njohur me protestat e saj kundër planit të Marti Ahtisarit. Kjo lëvizje ka paralajmëruar se do të organizojë protesta të vazhdueshme kundër decentralizimit, sepse ajo konsideron se më këtë proces shënohet edhe ndarja etnike e Kosovës, sepse komunat e Kosovës me decentralizimin e pushtetit kanë shumë kompetenca në duart e tyre.
DW



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj