Faqja e Pare | Bota | Rajoni | Ambasada e SHBA në Shkup: Për një rivotim të rregullt, duhet zbatim i barabartë i ligjit

Ambasada e SHBA në Shkup: Për një rivotim të rregullt, duhet zbatim i barabartë i ligjit

Germezoni: Decrease font Enlarge font
image

SHKUP- Maqedonia është vend unitar, ku vlen rregulla një njeri - një votë dhe një ligj për të gjithë. Kjo do të thotë se ligji duhet të zbatohet

 

SHKUP- Maqedonia është vend unitar, ku vlen rregulla një njeri - një votë dhe një ligj për të gjithë. Kjo do të thotë se ligji duhet të zbatohet, ndërsa njerëzit që tentojnë t'i prishin zgjedhjet dhe të vjedhin vota, duhet të mos lejohen ta bëjnë këtë, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Xhilien Milovanoviç, rreth përsëritjes së zgjedhjeve në Maqedoni, në qendrat e votimit ku janë konstatuar parregullsi. "Besoj se kemi policë shumë të mirë dhe se shumë nga ata e kanë kryer mirë punën gjatë zgjedhjeve, po për fat të keq ka pasur edhe policë të njëanshëm apo të paaftë që ta kryejnë punën. Kjo duhet të marrë fund. Partitë dhe drejtuesit e tyre kanë përgjegjësi që t'u thonë njerëzve se me frikësimin dhe përdorimin e armëve i shkaktojnë dëm partisë", shtoi Milovanoviç, para se të prezantonte rezultatet e tre viteve të para të Projektit të USAID-it "Për forcimin e shoqërisë qytetare". Vlerësimit të kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, se fajin për parregullsitë gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare "duhet ta mbajnë partitë e bllokut shqiptar", ambasadorja Milovanoviç iu përgjigj:  "parimisht, përgjegjësia që zgjedhjet të jenë të lira, korrekte dhe të sigurta, është e institucioneve të Qeverisë". "Është e qartë se kryetarët e partive politike kanë përgjegjësi që të vendosin nën kontroll dhe t'u japin udhëzime  korrekte mbështetësve të tyre, si dhe të mos angazhojnë apo të punësojnë njerëz të cilët shfrytëzojnë armët dhe  frikësimin e qytetarëve. Por, përgjegjësia e parë është e pushtetit - Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurorit publik dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Nuk them se Qeveria nuk ka punuar mjaft, përkundrazi, janë bërë shumë punë të mira dhe është derdhur shumë mund, por është e qartë se kjo nuk mjafton në zonat kyçe. Çështja nuk qëndron nëse je maqedonas etnik, apo shqiptar etnik dhe nga cila pjesë e vendit vjen, por nëse votat e tyre janë të vjedhura. Pikërisht kjo është përgjegjësi e Qeverisë", tha Milovanoviç. Ajo i hodhi poshtë disa thënie të medias se bashkësia ndërkombëtare kërkon ndryshimin e drejtuesve të partive  shqiptare dhe se Ambasada amerikane kryen presion mbi KSHZ-në. “Kemi thënë publikisht se në çdo vend ku ka dyshime ose kanë ndodhur parregullsi zgjedhore, duhet të përsëritet votimi. Kjo është mënyra e vetme që të sigurohet se votuesve të cilëve u janë vjedhur votat, do t'u kthehet e drejta e zgjedhjes së lirë. Kjo është me rëndësi që të kthehet imazhi ndërkombëtar i vendit, por, para se gjithash, të rifitohet besimi i qytetarëve se do të mund të votojnë lirisht, pa u frikësuar për sigurinë e tyre", tha ambasadorja Milovanoviç. 

Rivotim në mbi 90 vendvotime në Maqedoni 

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka konstatuar se zgjedhjet duhet të përsëriten në mbi 90 vendvotime për shkak të parregullsive. Numri i vendvotimeve ku do të përsëriten zgjedhjet pritet të jetë më i lartë pasi ende nuk janë shqyrtuar të gjitha ankesat e partive pjesëmarrëse. Komisioni pritet të përfundojë aktivitetin ditën e sotme me shqyrtimin e ankesave, ndërsa partitë politike të pakënaqura kanë të drejtën e tyre që t'i drejtohen edhe gjykatës së lartë. E gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë deri të hënën por, sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe vonesa.

Shqyrtimet janë bërë në mënyrë të ngadaltë, pasi janë bërë verifikime në të gjitha materialet zgjedhore. Numri i madh i tyre ka bërë që KSHZ-ja të shkelë afatet ligjore të shqyrtimit të vërejtjeve nga partitë. Me një pjesë të vendimeve për rivotim, nuk është pajtuar një nga anëtarët e KSHZ-së nga radhët e PDSH-së, i cili siç u njoftua ka lëshuar punimet. Të gjitha vendvotimet ku zgjedhjet do të përsëriten më 15 qershor janë në viset e banuara me shqiptarë. Partitë politike kundërshtare shqiptare - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) - në ankimimet e tyre thonë se gjatë ditës së diel ka pasur mbushje të kutive, thyerje të kutive të votimit, votim të një për më shumë persona, presion ndaj aktivistëve partiakë, ndërsa BDI thotë se pjesëmarrëse në këto incidente kanë qenë edhe pjesëtarë të ministrisë së rendit.

Për shkak të pjesëmarrjes në parregullsitë gjatë procesit zgjedhor, sipas Ministrisë maqedonase të Rendit, para drejtësisë do të dalin mbi 50 persona, në mesin e të cilëve ka edhe pjesëtarë të policisë. Për shkak të incidenteve të shumta gjatë ditës së votimit, ku pati edhe një viktimë dhe disa të plagosur, procesi zgjedhor ka marrë vlerësim negativ si nga vëzhguesit ashtu edhe nga diplomatë perëndimorë. 

Protestë e BDI-së

BDI-ja zhvilloi një protestë në Sheshin Skënderbej në Shkup, kundër siç tha, manipulimit të votave. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se është e papranueshme që problemet elektorale nuk shihen si probleme të gjithë vendit, por vihen në fokus vetëm shqiptarët.

"Nuk jam pajtuar asnjëherë me deklaratat e fundit që bëhen se na paskan ndodhur akte vandale, të turpshme vetëm në pjesën shqiptare," tha zoti Ahmeti. "Ky vend është i të gjithë atyre që jetojnë këtu dhe çfarëdo e keqe që ndodh në këtë vend, i ndodh shtetit, kurse shteti ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët e vet," tha ai. BDI-ja akuzoi autoritet dhe PDSH-në se kanë penguar votën e lirë të qytetarëve. Policia, e cila është në fokus edhe nga ndërkombëtarët, përgjegjësinë për procesin zgjedhor e hodhi tek udhëheqësit politikë shqiptarë. Ndërkohë PDSH-ja ka përsëritur akuzat se BDI-ja qëndron pas shkeljeve.

BBC 

PDSH akuzon Ambasadën e SHBA në Shkup: Prishen zgjedhjet 

SHKUP- PDSH akuzon përfaqësinë e SHBA ne Shkup se ka prishur zgjedhjet. KSHZ-ja pranoi 13 vërejtje të PDSH-së, 48-të të VMRO DPMNE-së ndër të cilat, në Bogovinë 2 dhe 2 të tjera në Zajas. Siç bëri të ditur TV Alsat, kjo ka shkaktuar revoltë tek anëtarët e PDSH-së, dhe anëtari i komisionit nga kjo parti Iljaz Ibishi braktisi mbledhjen e KSHZ-së së bashku me përfaqësuesin e partisë së Thaçit, Sadulla Izairi i cili akuzoi këtë komision se është duke punuar në bazë të listave që ka dërguar Ambasada amerikane për prishjen e zgjedhjeve. Anëtarja e KSHZ-së, Tanja Alltanxhieva i ka quajtur skandaloze këto akuza të anëtarëve të PDSH-së drejtuar Ambasadës amerikane. Ndërkohë kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski tha se komisioni ka vepruar dhe vepron në mënyrë objektive, gjatë shqyrtimit të ankesave dhe kështu do të vazhdojë deri në fund. Edhe pas braktisjes së komisionit nga ana e përfaqësuesve të PDSH-së, KSHZ-ja vazhdoi me punë ndërsa pak pas mesnate KSHZ filloi edhe shqyrtimin e ankesave të BDI-së dhe deri tani janë pranuar 7 vërejtje të kësaj partie. Ndërkaq Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni vazhdon të shqyrtojë ankesat e partive politike për procesin zgjedhor të së dielës ku u shënuan shumë parregullsi. Nëse partitë nuk janë të kënaqura me vendimin e KSHZ-së dhe mospranimin e vërejtjeve të tjera, në afat prej 48 orëve ata mund ti drejtohen Gjykatës Supreme të Maqedonisë e cila në afat prej 24 orëve duhet të marr vendim nëse do të pranoj apo jo ndonjë nga vërejtjet e partive. 

BDI mbështet vërejtjet e dokumentuara nga ndërkombëtarët për procesin zgjedhor 

TETOVE- Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret dhe mbështet vërejtjet e dokumentuara dhe të shprehura publikisht nga monitoruesit ndërkombëtarë që përcollën procesin zgjedhor në Maqedoni. Nëpërmjet një komunikate, BDI gjithashtu ndan shqetësimin e shprehur nga të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendosjes të cilat e monitorojnë prej së afërmi procesin euro integrues të Maqedonisë. "Qëndrimet e tyre konfirmojnë se dita e zgjedhjeve ishte një ditë tmerruese për ardhmërinë e demokracisë së Maqedonisë". BDI akuzon militantët e PDSH-së dhe përfaqësuesit e organeve të rendit për dhunën e ushtruar në ditën e zgjedhjeve, duke shtuar se "shqiptarët nuk mund të identifikohen me grupe kriminele" si dhe "nuk mund të jenë mbulesë për dështimet e koalicionit qeverisës në organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike". Më tej në komunikatë theksohet se "më 1 qershor u përsërit në mënyrën më të vrazhdë skenari i vitit 2000" për të pohuar se PDSH, edhe atëherë në mënyrë të dhunshme dhe me viktima në njerëz, e mori pushtetin lokal. BDI u bën thirrje gjitha forcave politike dhe jopolitike, që të ndërpresin "skenarët e zi me të cilat PDSH po shkatërron institucionet e shtetit". BDI thekson se "situata e krijuar pas 1 qershorit mund të tejkalohet vetëm me izolimin e plotë të PDSH së", si dhe kërkon largimin e krerëve të PDSH së, në veçanti kryetarit të saj Menduh Thaçi nga skena politike, si "mënyra e vetme për rehabilitimin e procesit politik dhe shoqërisë shqiptare në Maqedoni pas dëmtimit të rëndë të imazhit që u shkaktua gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve", thuhet mes tjerash në këtë komunikatë të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Shtoni ne: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Posto kete artikull
  • print Printo versionin
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0
Powered by ANA Creative