Këshilli i BE mblidhet në Bruksel për Ballkanin
Bruksel- BE diskutoi dje për misionin EULEX në Kosovë, i cili ka pak gjasa të fillojë nga puna më 15 qershor, siç qe planifikuar
Bruksel- BE diskutoi dje për misionin EULEX në Kosovë, i cili ka pak gjasa të fillojë nga puna më 15 qershor, siç qe planifikuar. Temë tjetër në Bruksel do të jetë edhe lidhja e një marrëveshjeje strategjike me Rusinë. Në të ashtuquajturin "këshill xhumbo" në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE do të diskutojnë së bashku me kolegët e tyre nga ministritë e mbrojtjes dhe të zhvillimit. Qëllimi i takimit që do të zgjasë dy ditë është përgatitja e takimit të rregullt të verës të kryetarëve të qeverive dhe shteteve të BE, që do të mbahet në datat 19-20. Pjesa më e madhe e diskutimeve do të përqendrohet në misionin EULEX të BE në Kosovë. Ky mision qe planifikuar të merrte në dorëzim më 15 qershor nga UNMIK-u administratën e Kosovës të sapo pavarësuar. Por zyrtarët e BE tani kanë arritur në përfundimin që vështirësitë ligjore dhe logjistike e kanë bërë këtë datë jorealiste. Burime të presidencës sllovene të BE bëjnë të ditur, se megjithëse synimi i përgjithshëm i misionit "nuk ka ndryshuar", ka pak gjasa që ministrat të caktojnë një datë tjetër për fillimin nga puna të misionit. Planet për një mbrojtje të përbashkët evropiane janë ende në një nivel embrional, megjithatë BE ka dërguar tashmë trupa në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Çad dhe po stërvit policë në Afganistan dhe në Ballkanin Perëndimor. Gjeorgjia u bashkua të premten e javës që sapo përfundoi me listën e vendeve që kërkojnë ndihmë nga Brukseli për të përgatitur forcat e sigurisë.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj