Thaçi: Kosova pas 15 qershorit funksionon në tërë territorin e vet
28 Nëntori, jo më festa e Flamurit. Qeveria e Kosovës, miratoi të hënën projektligjin për 11 festat zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërkohë që është lënë jashtë 28 Nëntori, dita e flamurit kombëtar shqiptar, ndërsa nuk është vendosur përfundimisht festa e Ditës së Çlirimit.
Prishtinë- Pas datës 15 qershor institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e vendit me autoritet të plotë shtetëror që del edhe nga Kushtetuta, natyrisht me këshillat dhe mbikëqyrjen e lehtë ndërkombëtare, tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Kreu i Qeverisë së Kosovës duke qenë i sigurt se pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tha se qeveria e vendit do t’i kryejë me përgjegjësi të gjitha obligimet që dalin nga pakoja e Ahtisaari-t. “Kemi besimin se pas datës 15 qershor institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e Kosovës me autoritet të plotë shtetëror që del nga kushtetuta e vendit me autoritetin për të ushtruar në gjithë territorin e vendit me përgjegjësi shtesë, por me këshillat dhe mbikëqyrjen e autoritetit ndërkombëtar civil dhe të NATO-s që do të jetë një ndihmesë shtesë”, tha Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që festa kryesore në vend të jetë 17 shkurti, Dita e shpalljes së pavarësisë së vendit, ndërkohë që ende nuk është caktuar si festë Dita e Çlirimit, e cila duhet të jetë 11 apo 12 qershori. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky projektligj është punuar duke respektuar historinë, kulturat, dhe traditat e popullit të Kosovës dhe shtetasve të saj. Duke arsyetuar para gazetarëve mospërfshirjen në kalendarin e festave të Ditës së Flamurit Kombëtar, Thaçi tha se “Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe shumetnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare”.
Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit Rozmari Di Karlo ka vlerësuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shënuar një progres të rëndësishëm, duke shtuar se "Kroacia dhe Shqipëria janë ftuar në NAT0, por shpresojmë që edhe Maqedonia do të marrë ftesën posa të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë". Ajo ka shprehur kënaqësinë që në Kosovë po zbatohet i plani i Ahtisarit. "Kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, konsiderojmë se plani i Ahtisarit është zgjidhja e vetme e duhur dhe na vjen mirë që Kosova po e zbaton atë plan. Kushtetuta (e Kosovës) së shpejti do të hyjë në fuqi, po miratohen ligje në konform saj", është shprehur Rozmari Di Karlo në një intervistë për gazetën e Sarajevës "Dnevni avaz". Ish i dërguari i Bashkimit Evropian në negociatat shtesë për statusin e Kosovës, tash kryesues i ri i Konferencës së Mynihut për politikat e sigurisë, Volfgang Ishinger ka përsëritur qëndrimin se pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë. "E konsiderojmë me të vërtetë si edhe përpara të paalternativë pavarësinë e Kosovës, mirëpo një pavarësi të mbikëqyrur. Të gjithë zërat se një lloj pavarësie e tillë do të sjellë pasoja të këqija u dëshmuan si të gabueshme", ka thënë Ishinger në një intervistë për sektorin e kulturës të Radios gjermane. Më herët siç pohon vetë Ishinger kishte shpresuar se në fund mund të arrihej një kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj