Hillari Klinton largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë
Uashington- Senatorja amerikane, Hillari Rodham Klinton, vendosi t’i japë fund kandidaturës për në Shtëpinë e Bardhë dhe shprehu mbështetje për rivalin e saj
Uashington- Senatorja amerikane, Hillari Rodham Klinton, vendosi t’i japë fund kandidaturës për në Shtëpinë e Bardhë dhe shprehu mbështetje për rivalin e saj, Barak Obma, për të marrë emërimin e kandidatit për president të Partisë Demokratike. Hauard Ulfson, zëdhënës i shtabit elektoral të zonjës Klinton tha se senatorja e Nju Jork-ut do të zhvillojë një takim në Uashington të shtunën ku do të falënderojë përkrahësit e saj dhe të shprehë mbështetjen për zotin Obama dhe unitetin e partisë. Të martën, zoti Obama siguroi numrin e duhur prej 2118 delegatëve për të kryesuar Partinë Demokratike në zgjedhjet e nëntorit kundër senatorit të Arizonës, Xhon Mekein, i cili mendohet se ka fituar emërimin si kandidat i Partisë Republikane. Zoti Obama, senatori i shtetit të Illinoit, pas një fushate të gjatë dhe të fortë kundër zonjës Klinton për të fituar emërimin e partisë Demokratike, shpreson të bëhet Presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Nga ana e saj, ish-Zonja e Parë u përpoq të bëhej Presidentja e parë e Shteteve të Bashkuara. Dje, zoti Obama filloi të shikojë mundësitë për njeriun që në zgjedhjet e nëntorit do të konkurrojë përkrah tij si zëvendës president.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj