Paten: BE të këmbëngulë në standardet e veta për Ballkanin
Zgjidhja që u bë për Kosovën nuk kishte alternativë. BE duhet të jetë unik ndaj kësaj çështjeje, thotë Kris Paten, ish- komisar evropian për politikën e jashtme
Zgjidhja që u bë për Kosovën nuk kishte alternativë. BE duhet të jetë unik ndaj kësaj çështjeje, thotë Kris Paten, ish- komisar evropian për politikën e jashtme. Fillimisht, Lordi Paten flet për rolin e BE-së në Ballkan dhe faktin se disa vende të BE-së akoma nuk kanë njohur Kosovën: “Mendoj se ështe gabim tejet i madh, që disa vende anëtare e shohin Kosovën nën prizmin e argumenteve të devolucionit të brendshëm politik. Arsyeja pse Kosova nuk mund të futej më brenda Serbisë është reagimi shumëvjeçar ndaj Millosheviqit dhe dominimit të Serbisë atje. Arritja në çdo përfundim tjetër ishte i pamundshëm.
Gatishmëri për intervenim ushtarak, po jo për zgjidhje unike politike
Lordi Paten shton se është veçmas fatkeqësi politike për BE–në, që aty ku pati gatishmëri për intervenim ushtarak, tani nuk ka gatishmëri të pranohet po ashtu unikisht zgjidhja e saj politike. Lidhur me qëndrimin ndaj Ballkanit dhe BE-në përgjithësi, ish- komisari evropian për politikën e jashtme e quan të prerë pozitën e vet: “Mendoj se anëtarësimi në BE është çështje serioze. Sipas mendimit tim, ne ishim tepër entuziastë ndaj argumenteteve politike gjatë procesit të anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë, në vend që të insistonim në përmbushjen e obligimeve për anëtarësimin.“
BE i modifikoi rregullat për Bullgarinë dhe Rumaninë
Lordi Paten thotë se sipas mendimit të tij, BE-ja i modifikoi rregullat, për t’i mundësuar Bullgarisë dhe Rumanisë anëtarësimin e shpejtë. BE-ja e la veten të besojë, se fjala vjen Bullgaria, ishte serioze ndaj zgjidhjes së problemit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ky është një problem i akoma tejet i madh”, shton ai. Kur është fjala për Ballkanin, Lordi Paten thotë se rruga drejt BE e definuar përmes procesit të stabilizimit dhe asociimit është rrugë shumë serioze. Të tilla ishin marrëveshjet me vendet e Europës qendrore dhe lindore që tani janë vende anëtare të BE-së: “Ne nuk duhet të jemi të gatshëm t’i dobësojmë këto standarde, t’i modifikojmë rregullat për të ndihmuar këtë apo atë parti politike gjatë fushatës parazgjedhore”, thotë Paten. Pozita e partive pro-evropiane në Serbi dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të forcohet shumë më me efektivitet, nëse BE-ja këmbëngul në standardet e veta. Si mundet të lejohet seriozisht Serbia të ecë shpejt drejt BE, nëse akoma refuzon të respektojë ligjet e ndërkombëtare dhe Tribunalin e Hagës, nëse akoma p.sh. fsheh Ratko Mladiçin, pyet Paten. BE-ja mbajti qëndrim këmbëngulës ndaj Gotovinës në rastin e Kroacisë, thotë Lordi Paten. Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë lidhur me standardet e veta. Një qëndrim i tillë është në interes të vetë vendeve ballkanike. “Është shumë e padrejtë ndaj vendeve që vërtetë po bëjnë orvatje, si p.sh. Maqedonia, nëse ne lëmë përshtypje se po i dobësojmë rregullat në rastet e vendeve tjera”, tha Lord Paten.
Zgjedhjet në Maqedoni, kërkohet zbatimi i kodit zgjedhor
Shkup- Organizata qytetare "Most" - "Ura" në Maqedoni u ka bërë thirrje partive politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vend, që t'i përmbahen kodit për zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo organizatë, një nga më të rëndësishmet në vend që vëzhgon procesin zgjedhor, thotë se deri tani, kur kanë mbetur dhe rreth 1 javë e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve, fushata është karakterizuar nga shumë incidente. "Most" ka dalë me një raport në të cilën ka përmbledhur incidentet që janë shënuar deri më tani. "Përdorimi i armëve në fushatë, sulme me armë ndaj shtabeve dhe shtëpive të aktivistëve partiak, sulmet e karvaneve partiake me armë automatike," tha një nga koordinatoret e organizatës, Laura Beqiri. "Gjithashtu në fushatë u vunë re edhe presione ndaj popullsisë dhe frikësime, sulmet dhe fyerje mes subjekteve politike, keqpërdorimi i fëmijëve në mitingje".
Shkelje e kodit
Të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në garën zgjedhore kanë nënshkruar një kod jozyrtar për zgjedhje të lira dhe të drejta. Por "Most" thotë se një pjesë e partive politike nuk e zbatojnë atë. Organizata thonë se edhe pse kodi nuk është një akt normativ, partitë politike kanë detyrim moral që ta zbatojnë atë. Ajo bën thirrje që autoritetet të marrin masa ndaj shkeljeve dhe të mos lejojnë që administrata shtetërore dhe burimet qeveritare të përdoren për fushatë. "Most" është një nga organizatat më të rëndësishme vendore që bën vëzhgimin e procesit zgjedhor. Ajo ka mbi 80 zyra në të gjithë vendin dhe rreth 3500 vëzhgues. Vërejtje të ngjashme për procesin zgjedhor ndërkohë kanë bërë edhe përfaqësues të huaj si OSBE dhe ambasadat e BE-së dhe SHBA-ve në Shkup.
Tërmeti në Kinë lë të paktën 5 milion të pastrehë
Pekin- Një zyrtar kinez tha të premten se do të duhen deri në tre vjet për të rindërtuar zonat e shkatërruara nga tërmeti në Kinën jugperëndimore. Ai tha se numri i të vdekurve nga tërmeti i 12 majit ka arritur tashmë në më tepër se 55 mijë. Sipas zyrtarëve kinezë, rreth 30 mijë persona të tjerë ende figurojnë të zhdukur dhe Kina po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të japë më shumë tenda për njerëzit e zhvendosur. Tërmeti me magnitudë 7,9 ka lënë më tepër se 5 milion njerëz pa strehë. Dhjetra mijëra vetë flenë në një stadium të qytetit Mianyang, në provincën Sichuan. Shumë prej të zhvendosurve janë fëmijë. Nuk kemi frikë nga katastrofa, këndojnë këta fëmijë. Por psikologia Song Ming thotë se shumë fëmijë ende janë në gjendje shoku pas tmerrit që kanë parë me sy. "Simptomat e tyre janë frika, ankthi dhe mosbesimi. Kur ra tërmeti ishte ditë dhe disa prej tyre po flinin në klasë. Ata panë se si shembeshin shtëpitë, panë se si shokët dhe mësuesit e tyre varroseshin të gjallë nën rrënoja. Ata ndihen të trembur." Në qytetin Beichuan, punëtorët me kostume të bardha ecin nëpër rrugët e boshatisura duke i spërkatur me dizinfektantë për të parandaluar sëmundjet. Fermerët në këtë provincë shikojnë se si ekipet e posaçme shkatërrojnë muret e mbetura të një shkolle të mesme. Qeveria kineze thotë se ka caktuar 2 miliard dollarë për ndihmat, më se dyfishi i shumës së njoftuar më parë. Sipas zyrtarëve, donatorët e huaj kanë dhuruar 3 miliard dollarë. Në një zonë të largët malore, ekipet e shpëtimit i mbajnë viktimat e moshuara në kurriz. Këto imazhe janë të filmuara nga televizioni shtetëror kinez kur rrugët ishin të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Të mbijetuar të tjerë tregojnë për tmerret që kanë parë. Një burrë kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja për 72 orë para se të vinin ta shpëtonin. "E kisha vënë zilen në orën 8 të mëngjesit sepse kisha një mbledhje në orën 8 e 6 minuta. Telefoni filloi të dridhet. Për shkak të qetësisë së madhe isha në gjendje ta dëgjoja shumë qartë dhe kjo më ndihmonte të numëroja ditët". Zyrtarët kinezë thonë ndërkohë se kanë nevojë të ngutshme për më shumë se 3 milion tenda sepse shumë nga të pastrehët, si ata në stadium, vazhdojnë të flenë jashtë.
Një tjetër humbje elektorale për Gordon Brown-in
Londër- Partia Laburiste në pushtet këtu në Britani ka pësuar një humbje të thellë në një balotazh në veri perëndim të Anglisë. Partia kryesore e opozitës, ajo konservatore, fitoi në zonën elektorale të Crewe dhe Nantwich, me një shumicë prej tetë mijë votash. Deputeti i sapozgjedhur, Edward Timpson, tha se votuesit e Crewe dhe Nantwich, i kishin dhënë kështu një mesazh partisë laburiste në pushtet. Ai tha: "Ju i keni dhënë një mesazh të qartë Gordon Brownit, se qeveria e tij ka nevojë të ndryshojë." Korrespondenti politik i BBC-së thotë se rezultati do të shihet si një goditje direkte për kryeministrin Gordon Brown, që është përpjekur të përmirësojë disi imazhin e partisë laburiste, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale tre javë më parë.



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj