KLSH: Qeveria, 1.1 miliardë lekë vjedhje
“Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 1.1 miliardë lekë”, thuhet në raportin e KLSH-së
Tiranë - “Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 1.1 miliardë lekë”, thuhet në raportin e KLSH-së. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë përfunduar kontrollin e tyre në institucionet shtetërore, ku kanë evidentuar një sërë shkeljesh. Fatura financiare e këtij dëmi arrin vlerën e mbi 1.1 miliardë lekëve. Sipas raportit më të fundit të KLSH-së, tatimet, doganat si dhe prokurimet publike mbeten “gropat e zeza” që i shkaktojnë buxhetit të shtetit miliona lekë dëme.
Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007. Në fushën e prokurimeve publike, si pasojë e shkeljes së ligjit nga punonjësit, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej 458 milionë lekësh. Por një dëm i konsiderueshëm i është shkaktuar buxhetit të shtetit edhe nga administrata doganore. Fatura financiare e shkaktuar nga abuzimet e punonjësve të doganave arrin në 412 milionë lekë.
Peshën më të madhe të këtij dëmi e mban dogana e Tiranës me 349 milionë lekë si detyrime doganore të papaguara. Por përveç kësaj abuzime ka pasur edhe në fushën e urbanistikës, dëm i cili arrin në 139 milionë lekë. Konkretisht në komunën Dajt, vlera e dëmit arrin në 136 milionë lekë. Ky dëm është shkaktuar si pasojë e mospagesës së taksës së infrastrukturës në masën 1% të vlerës së investimit. Në bashkinë e Divjakës e Lushnjës, dëmi financiar arrin në 1.6 milionë lekë si rrjedhojë e mospagesës së taksës për leje ndërtimi, në kundërshtim me ligjin “Për Urbanistikën”. Por për sa i përket abuzimeve dhe mosrespektimit të ligjit, nuk mbeten prapa as dega e tatim-taksave.
Sipas raportit të KLSH-së, dëmi i shkaktuar nga tatimet arrin në 80 milionë lekë. Ekspertët e KLSH-së kanë konstatuar se abuzime janë kryer edhe me dhënien e shpërblimeve në mënyrë të padrejtë. Vetëm në Spitalin Ushtarak Qendror, Tiranë, janë dhënë 2.8 milionë lekë shpërblime në mënyrë të padrejtë për fundvitin.
Ja abuzimet e konstatuara nga KLSH
1 110 175 000 lekë dëmi financiar
458 411 000 lekë në fushën e prokurimeve publike
412 277 000 lekë në sistemin doganor
139 302 000 lekë në fushën e urbanistikës
136 978 000 lekë në komunën Dajt
80 314 000 lekë në tatim-taksa
8 637 000 lekë në bashkinë e Gjirokastrës
2 640 000 lekë në degën e tatim-taksave Pogradec
4 664 000 lekë në dhënien me qira të pasurisë
4 553 000 lekë në fushën e shpërblimeve
2 818 000 lekë në fushën e shpenzimeve operative
1 271 000 lekë në dhënien e pagave
1 557 000 lekë nga mungesa e materialeve
1 557 000 lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
5 008 000 lekë dëme nga shkelja e disiplinës financiare



del.icio.us
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj